E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria u paralajmërua nga opozita mbi rreziqet e buxhetit

Zv.kryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Mimi Kodheli:

Kur është njohur opozita me ndryshimet e buxhetit dhe si e gjykoni reduktimin e shpenzimeve me 39 miliardë lekë?

Opozita është njohur me ndryshimet në ligjin për buxhetin 2010 në mënyrë informale, vetëm të premten pasdite, ndërkohë që bazuar në rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë, këto ndryshime duhej të vinin të paktën një muaj përpara datës përfundimtare të shqyrtimit të këtyre ndryshimeve.

Si rezultat i keqmenaxhimit të parave publike e të korrupsionit galopant dhe si pasojë e mosrealizimit të të ardhurave buxhetore, vjen reduktimi prej rreth 39 miliardë lekësh i shpenzimeve, i cili është një tregues i qartë se ekonomia shqiptare ka probleme serioze dhe se kriza është gjithëprezente.

çfarë mund të ishte bërë më mirë me rishikimin e buxhetit? çfarë ndikimi do të japë në ekonomi dhe a rrezikohen sektorët që lidhen me projektet publike, duke qenë se do të ketë rreth 19 miliardë lekë më pak investime?

Fillimisht do të ishte mirë sikur opozita të dëgjohej që në nëntor të vitit të kaluar, kur në më shumë se një rast ka ngritur zërin e përsëritur për bërjen transparente të shifrave reale të ekonomisë shqiptare dhe pranimin e krizës nga ana e qeverisë, gjë e cila do të ndihmonte në një planifikim të buxhetit 2010 më pranë realitetit dhe larg populizmave.

Për fat të keq kjo nuk ndodhi e me çfarë po shohim nuk po ndodh. Qytetarët e kuptojnë tashmë se rritja e PBB-së do të thotë për ta më shumë mirëqenie, por rritja e PBB-së nuk ka asgjë të përbashkët me shkurtimin e shpenzimeve publike dhe sidomos me shkurtimin e investimeve publike. çdo ndërhyrje në programin e investimeve publike do të dëmtojë ecurinë e ekonomisë, do të ketë për pasojë më pak të ardhura, por dhe rritje të papunësisë. Për të mos folur për 17 000 vendet e punës që shkurtohen me një të rënë të lapsit me ndryshimet e fundit në buxhet.

Ndërkaq, diçka që prek drejtpërdrejt publikun dhe që sjell trishtim është padyshim shkurtimi në masën prej rreth 22-25 për qind të fondeve për arsimin dhe shëndetësinë apo të 1 miliard lekëve që shkurtohen nga fondet sociale, gjë që do të vazhdojë të varfërojë shtresa të tëra të shoqërisë shqiptare.

Si e gjykoni qëndrimin e FMN-së, e cila në takimin me ju ka shprehur rezerva rreth nivelit aktual të borxhit, deficitit korrent etj? Gjithashtu, ju keni kërkuar zhvillimin e disa seancave dëgjimore me guvernatorin, krerët e tatimeve dhe doganave etj. Pse?

Përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në mënyrë tejet realiste folën për disa probleme themelore e serioze, me të cilat përballet sot ekonomia shqiptare, siç janë problemet e fiskut, ato të deficitit buxhetor dhe borxhit apo të nivelit të papranueshëm dyshifror të deficitit të llogarive korrente.

Ata folën për hapat seriozë që duhet të ndërmarrë qeveria shqiptare për një buxhet nën kontroll dhe absolutisht të qëndrueshëm.

Për sa i përket pjesës së dytë të pyetjes suaj, mund t’ju them se është normale që në një proces të tillë kaq të rëndësishëm siç është ai i shqyrtimit të ndryshimeve në buxhet të ketë seanca dëgjimore me anëtarë të kabinetit qeverisës apo drejtues të agjencive të ndryshme qeveritare në funksion të marrjes së një informacioni më të detajuar lidhur me impaktin që këto ndryshime të buxhetit sjellin në ekonominë shqiptare dhe në zgjidhjen e krizës ku kjo ekonomi ka rënë.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›