E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reduktimi ul në mënyrë të ndjeshme nivelin e huamarrjes

Ish-zv.ministri i Financave dhe deputeti Sherefedin Shehu:

Ju i keni sugjeruar FMN-së, që qeveria mund të operojë edhe me nivelin 4% të deficitit, pa e ndryshuar (në 3.1%). çfarë keni parasysh me këtë qëndrim?

Niveli i ulët i huamarrjes, ose mundësisht operimi me suficit buxhetor është një rregull klasik i preferuar nga teoria dhe ekspertët e financave publike. Por në praktikë edhe vendet e zhvilluara operojnë me deficit dhe marrin hua për financimin e tij. Marrja e huas dhe niveli i saj vazhdojnë të debatohen, por në praktikë ka predominuar teoria e huamarrjes. Në përgjithësi pranohet se huamarrja është justifikuar nëse përdoret për autostrada, rrugë rurale, ujësjellës, shkolla, spitale etj. Pra, nëse borxhi përdoret për investime, të cilat nxisin zhvillimin ekonomik dhe përmirësojnë gjendjen sociale të popullsisë, ai nuk është barrë mbi popullin se e shlyen veten. Meqenëse borxhi është instrument për zhvillimin e kombeve, për vendet e varfra si Shqipëria, ai bëhet i domosdoshëm. Por është e rëndësishme që huaja të përdoret vetëm për investime dhe kjo është e sanksionuar në ligjin organik të buxhetit të miratuar më 2008-n. Kjo do të thotë që ne mund të marrim borxh vetëm për investime publike dhe deri në atë nivel që absorbohet nga ekonomia shqiptare. Pra, niveli relativisht i lartë i huamarrjes për investime publike në një kontekst afatmesëm dhe me objektiva të qarta për uljen e saj në një kontekst afatgjatë është plotësisht i argumentuar. Koncepti im bazohet edhe në historinë e huamarrjes në Shqipëri pas vitit 2005. Gjatë qeverisjes së PS-së është marrë borxh më shumë se sa propozohet të merret në vitin 2010 dhe borxhi nuk është përdorur për investime, por për paga, përfitime personale dhe shpenzime administrative. Në vitet 2000-2005, investimet ishin 350 milionë USD në vit, ndërsa borxhi vjetor 400 milionë USD. Në 2009-n, kur bota ishte në krizë, investimet publike ishin 1 miliard USD dhe borxhi ishte gati sa ai i periudhës 2000-2005. Në vitin 2010 propozohet që investimet të jenë rreth 700 milionë USD, ndërsa huamarrja të jetë 380 milionë USD. Pra, shihet qartë që investimet janë gati sa dyfishi i huamarrjes, që do të thotë se huaja merret vetëm për investime.

Ulja e buxhetit, çfarë ndikimi jep në ekonomi dhe a rrezikohen sektorët që lidhen me projektet publike?

Do të jetë një efekt i kombinuar, që do të thotë se ndërsa ulja e borxhit do të ulë presionet inflacioniste dhe nivelin e borxhit publik, nga ana tjetër do të ulet pesha specifike e investimeve në PBB. Kjo e fundit do të thotë se ngadalësohet përmirësimi i infrastrukturës dhe nivelit të shërbimeve publike. Investimet kanë një kosto relativisht të lartë kur kryhen, por kanë efekt të shumëfishtë në ekonomi. Në momentin e kryerjes ato nxisin punësimin dhe konsumin, e në kontekstin afatgjatë ata nxisin zhvillimin ekonomik. Po të kemi parasysh që efektet e krizës janë zbutur, por nuk kanë kaluar, investimet publike konsiderohen edhe si stimul për nxitjen e kërkesës agregate. Megjithatë niveli i investimeve publike në Shqipëri është sa dyfishi i atyre të vitit 2005 dhe mbetet më i larti në rajon e më gjerë.

Si e gjykoni qëndrimin e FMN-së, e cila në takimin me ju ka shprehur rezerva rreth nivelit aktual të borxhit?

Fondi Monetar Ndërkombëtar është institucioni më serioz dhe me kapacitetet më të mëdha në fushën fiskale dhe monetare. Si i tillë është e natyrshme që rekomandimet e tij të jenë në përputhje me standardet më të mira të teorisë dhe praktikës së financave publike. Rekomandimi i FMN-së është tepër korrekt dhe i vlefshëm në kushtet e një vendi me nivelin më të domosdoshëm të infrastrukturës dhe të shërbimeve publike. Rezervat e FMN-së kanë të bëjnë me nivelin e deficitit kundrejt PBB-së dhe me rreziqet e financimit të vërejtura kohët e fundit. Por niveli i borxhit të Shqipërisë nuk është kritik dhe po të shikojmë strukturën e tij rezulton se ai në pjesën më të madhe është borxh i brendshëm, rreth 60% dhe pjesa e borxhit të jashtëm është me afat shlyerje deri në 40 vjet dhe me kushte jo tregtare, pasi interesat e tij lëvizin 0.75-4%. Në këto kushte, propozimet e bëra për amendimin e ligjit të buxhetit vjetor jo vetëm që respektojnë kufirin ligjor të borxhit, që është 60% e PBB, por ulin ndjeshëm huamarrjen vjetore me rreth 1%. Pra, ky rishikim e ul në mënyrë drastike huamarrjen, por në kushtet kur efektet e krizës nuk kanë kaluar, kjo ulje mund të ishte më vogël.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›