E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet drejt përfundimit

PS

Ndërkohë që kreu socialist ka nisur një tur jashtë Shqipërisë, axhenda e brendshme e selisë rozë ka vijuar edhe dje me procesin zgjedhor për strukturat lokale. Berati, Shkodra dhe Durrësi kanë zhvilluar procesin e zgjedhjes së kryetarit të rrethit, një strukturë e krijuar rishtazi, për të cilën votojnë delegatët e kongresit, krerët e njësive vendore, krerët e këshillave, si dhe drejtuesit e organizatave bazë. Përfundimi i procesit në Berat ka nxjerrë në krye Selman Hodajn, me 122 vota, përkundrejt rivalit të tij Stavri Cecam që ka arritur të mbledhë 103 vota. Gara mes dy kandidatëve u zhvillua nën “mbikëqyrjen” e deputetit Erjon Braçem që është njëkohësisht edhe anëtar i Kryesisë së PS-së. Një moment me rëndësi ka qenë dorëheqja nga gara e kandidates tjetër Valbona Zylyftari, pak pas nisjes së procesit të votimit.

Ndërkohë procesi zgjedhor i zhvilluar në Shkodër është shtyrë përsëri për motive ende jo shumë të qarta. Sipas informacioneve të ardhura nga ky qytet, bëhet e ditur se gjatë zhvillimit të zgjedhjeve ka pasur një tërheqje dhe mandej rikthim në garë të kandidat Agim Shima. Për të zgjidhur situatën dhe për t’i dhënë fund procesit elektoral duket se do të mblidhet Asambleja e Rrethit, e cila do të caktojë edhe datën e re të zhvillimit të zgjedhjeve.

Më e thjeshtë ka qenë procedura elektorale në Durrës, ku në përfundim të procesit ka rezultuar fitues kandidati Genti Bejko, që ka marrë 129 vota, përkundrejt rivalit Aurel Voda, që ka grumbulluar 102 vota.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›