E Shtunë, 31 Tetor 2026

N`duar të Limakut

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës kalon zyrtarisht të hënën nën menaxhimin e koncesionarëve Limak De Lion. Komiteti Ndërministror i PPP’së ka marrë këtë vendim, pas përmbushjes së parakushteve nga ana e koncesionarëve. E, kompania Limak e ka futur ANP’në hipotekë në një bankë turke, në emër të një kredie prej 85 milionë eurove. Punëtorët tani kanë filluar nënshkrimin e kontratave të reja. Nga Albulena Maloku më 02 prill 2011 në ora 08:04

Pas dy muajve vonesë, aterrimi i koncesionarit turko–francez, Limak De Lion në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës do të bëhet të hënën. Ky është edhe koncesionimi i parë i një ndërmarrjeje të madhe kosovare, që i ofron Qeverisë së Kosovës një mesatare prej 39,42 për qind të të ardhurave bruto. Ky konsorcium muaj më parë kishte lënë në hipotekë aeroportin në një bankë turke, e cila i siguronte menaxhimin e kësaj ndërmarrjeje.

Komiteti Drejtues Ndërministror të Partneriteteve Publiko-Private ka marrë vendim të premten se që nga e hëna, me Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” të menaxhojë Limak De Lion. Ceremonia e pranimdorëzimit të menaxhimit do të mbahet të hënën, më 4 prill në ANP. “Këtij procesi i ka paraprirë përmbushja e një numri të konsiderueshëm parakushtesh, e ndër to sigurimi i financimit nga LKIA-ja, miratimi i disenjeve për terminalin e aeroportit”, thuhet në komunikatën e PPP’së. Kryetari i Sindikatës së ANP’së, Sylejman Zeneli ka treguar për Express se janë njoftuar për transferimin dhe thotë se disa prej punëtorëve janë duke i nënshkruar edhe kontratat e reja nga punëdhënësi i ri. Ai tregon se në fillim nuk janë pajtuar me draftin e kontratës së punës dhe thotë se i kanë paraqitur sugjerimet e tyre për ndryshimin e saj. “Drafti i kontratës së punës që na është prezantuar ka qenë i papranueshëm për ne dhe ne kemi paraqitur sugjerimet tona në lidhje me këtë”, thotë Zeneli. Ai tha se modeli i kontratës që kanë sugjeruar sindikata është e bazuar në Ligjin e punës. Të gjitha kërkesat e tyre ai thotë se janë pranuar dhe punëdhënësi i ri këtë model e ka aprovuar. ”Në këto kontrata nuk kanë lëvizur as pagat e punëtorëve dhe janë nënshkruar për tri vjet me mundësi vazhdimi”, tha kryetari Zeneli. Ai pret që kjo që është nënshkruar e gjitha të respektohet e të zbatohet në përpikëri nga punëdhënësi i ri. Në një komunikatë për media, ANP’ja ka njoftuar se ceremonia e kalimit të kompetencave do të fillojë me fluturimin inaugurues nga kompania ajrore Adria Airways nga Muncheni në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’, ku të gjithë udhëtarëve do t’iu shpërndahen dhurata simbolike nga ana e punëdhënësit të ri, Limak De Lion. Përderisa aeroporti muaj më parë ishte futur hipotekë në bankën turke Vakifbank, e cila i ka dhënë 85 milionë euro kredi kompanisë Limak për menaxhimin e ANP’së. Lajmin e kishte bërë të ditur agjencia turke e lajmeve, Anadolu Ajansi, sipas së cilës, kërkesa për kredi ishte bërë nga kompania turke.

E, ky konsorcium kishte fituar kontratën më 12 gusht të vitit të kaluar, pasi që i kishte ofruar Qeverisë së Kosovës një mesatare prej 39,42 për qind të të ardhurave bruto në këmbim me të drejtën për koncesion. Prej Limak De Lion është kërkuar që të bëjë investime për të modernizuar dhe zgjeruar aeroportin e Prishtinës, duke investuar mbi 100 milionë euro në infrastrukturë të re, ku përfshin edhe ndërtimin e një terminali të ri. Gjithashtu nga fituesi kërkohet të operojë me aeroportin duke ofruar shërbime të zgjeruara në nivel të cilësisë së lartë. Ndryshe, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” pritej të kalonte zyrtarisht nën menaxhimin e konsorciumit “Limak – Lyon” më 17 shkurt të këtij viti. Por koncesionari kishte kërkuar afat shtesë për të përmbushur procedurat e nevojshme për këtë proces.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›