Sqarojnë konfuzionin
Gjykata Kushtetuese e Kosovës u ka kthyer përgjigje tri institucioneve më të larta shtetërore në vend, Kuvendit të Kosovës, Presidencës dhe Qeverisë rreth aktgjykimit të saj, me të cilën ishte shpallur jokushtetuese zgjedhja e Presidentit në seancën e 22 shkurtit.
Ky aktgjykim e kishte quajtur antikushtetuese mungesën e kuorumit dhe mungesën e kundërkandidatëve në Kuvendin e Kosovës, gjatë zgjedhjes së shefit të shtetit.
Sido që të jetë, aktgjykimi kishte lënë të paqartë shumëçka, duke shkaktuar edhe konfuzion tek institucionet dhe në opinion.
Vetëm pas sqarimit të Gjykatës Kushtetuese është marrë vesh se në krye të shtetit është Kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, si ushtrues detyre. Një gjë e tillë parashihet me Kushtetutën e Kosovës, por në rastin konkret kjo kishte mbetur e paqartë, për faktin se Gjykata Kushtetuese nuk kishte sqaruar në aktgjykimin e saj nëse Pacolli ka qenë President fare.
Kjo çështje është sqaruar nga Gjykata në përgjigjen për Kryetarin e Kuvendit, i cili ka pyetur nëse Aktgjykimi i Gjykatës ka efekt retroaktiv, që nënkupton se a ka pasur vendi President prej seancës së 22 shkurtit e këndej.
“Aktgjykimi i kësaj gjykate hyn në fuqi me efekt të menjëhershëm më 30 mars 2011 dhe se vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Nr. 04, lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, i 22 shkurtit 2011, më nuk është në fuqi që nga 31 marsi 2001, që është data e këtij publikimi të këtij Aktgjykimi në Gazetën Zyrtare”, thuhet në sqarim.
Rreth çështjes se a ka vendi ushtrues detyre të Presidentit pas aktgjykimit të Gjykatës, në emër të institucioneve respektive, sqarim nga Gjykata kanë kërkuar Jakup Krasniqi, Behgjet Pacolli edhe Hashim Thaçi.
Sqarimi nga Gjykata nuk ka vonuar.
Përgjigjja e Gjykatës për këtë çështje për të tri institucionet ka qenë e njëjtë - nuk ka vakuum institucional në vend.
“Kosova ka ushtrues të detyrës së Presidentit që nga 31 marsi 2011. Pra, nuk ka vakuum institucional që nga data publikimit të këtij aktgjykimi”, thuhet në sqarimin e Gjykatës.
Kreu i Kuvendit ka pyetur Gjykatën nëse Aktgjykimi imponon shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Përgjigjja e Gjykatës në këtë çështje ka qenë e prerë.
“Jo”, thuhet në sqarim.
E, një pyetje tjetër që është ngritur nga Qeveria e Kosovës për Gjykatën Kushtetuese është çështja e kuorumit me rastin e votimit për Presidentin.
Kjo çështje është adresuar në aktgjykimin e Gjykatës me rastin e shpalljes jokushtetuese të zgjedhjes së Presidentit, më 22 shkurt. Gjykata u ka mbajtur një leksion deputetëve se duhet të rrinë në seanca të rëndësishme, duke ua rikujtuar edhe betimin e tyre.
Por, Qeveria e Kosovës ka dashur të sigurohet për këtë çështje, për shkak se koalicioni aktual është i interesuar sa më parë të hyjë në votim për Presidentin e ri.
Por, në pyetjen se a lejohet që raundi i parë dhe i dytë të shpallen të dështuar për shkak të mungesës së deputetëve dhe të procedohet menjëherë me raundin e tretë për të zgjedhur Presidentin me shumicën e thjeshtë, Qeveria ka marrë një përgjigje të palakmueshme për të.
Gjykata e ka cilësuar këtë si një situatë hipotetike, duke mos dhënë përgjigje.
“Prandaj, situatat hipotetike, siç janë përmendur në letrën e Kryeministrit, janë jashtë kufirit të objektit të çështjes dhe mund të jenë bazë për një rast të ri”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.