AAK vendos të hënën nëse do të votojnë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) thotë se nuk do të ndihmojë procesin që kandidati Behgjet Pacolli të zgjedhet për president të vendit. Por deputetja e kësaj partie, Donika Kadaj-Bujupi, nuk ka sqaruar mirë nëse do të jenë të pranishëm në seancë gjatë zgjedhjes së presidentit, ashtu siç ka rekomanduar Gjykata Kushtetuese.
Gjatë një konference për media Kadaj-Bujupi nuk ka shpalosur ndonjë alternativë për zgjidhjen e krizës me presidentin, por tha se ka plotë njerëz tjerë që janë më meritor se kandidati Pacolli për të qenë president.
Krahas kundërshtimit të kandidaturës së Pacollit, deputetja e AAK-së nuk e bën të qartë qëndrimin e partisë nëse do të jenë pjesë e procesit nëse do të shkohet sikur më 22 shkurt.
“Në seancën e Kuvendit të Kosovës ku sërish do të votohet për zgjedhjen e presidentit, AAK-ja do të veprojë konform udhëzimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe do të respektojë vendimin e këtij institucioni. Por për këtë çështje AAK-ja do të dal me një qëndrim definitiv të hënën”, ka thënë ajo, transmeton KosovaPress.
AAK reagon lidhur me PTK-në
Aleanca ka reaguar edhe për privatizimin e ngutshëm të PTK-së dhe ka dënuar ushtrimin e dhunës ndaj qytetarëve të Kosovës dhe gazetarëve dje para Kuvendit të Kosovës.
Deputetja Kadaj-Bujupi tha se ky është një tregues i qartë se durimi i qytetarëve të vendit ka humbur nga mungesa e një vizioni të Qeverisë dhe politikat e saj të pakujdesshme dhe korrupsionit.
Ajo vlerësoi se këto veprime po e rrezikojnë stabilitetin e vendit dhe po tregojnë që kjo qeveri pa legjitimitet ka përshkallëzuar krizën institucionale, duke i ka nxjerrë problemet nga Parlamenti dhe Qeveria, në rrugë.
Si rrugëdalje nga e gjithë kjo, AAK fton për rikthim të plotë të rendit kushtetues në vend, respektim të dokumentit më të lartë juridik të Republikës së Kosovës, mosndërhyrje dhe jopresion mbi deputetët e zgjedhur, mbi organet e drejtësisë, mediat dhe sindikatat e punëtorëve.
“Vetëm kështu i shpëtojmë institucionet dhe demokracinë në vend, e rikthejmë imazhin e mirë të Republikës së Kosovës në botë dhe besimin e qytetarëve tanë në institucionet e vendit”, ka thënë Kadaj-Bujupi.