E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Procedimi për presidentin çështje orësh

Nga Express më 01 prill 2011 në ora 14:50

Kryeministri Hashim Thaçi ka fajësuar të premten partitë politike opozitare si shkelës të Kushtetutës, të cilat me bojkotin e tyre sollën Kosovën në këtë gjendje, ndërsa ka bërë të ditur se procedimi i zgjedhjes së presidentit është çështje orësh.

Kryeministri ka ftuar opozitën të mos e vazhdojë bojkotin, por të marrë pjesë në seancën në të cilën pritet të zgjidhet presidenti. Ai ka thënë se bojkoti i opozitës mund ta çojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat nuk i konvenojnë askujt.

Qeveria, pas një mbledhjeje që e ka mbajtur dje pasdite, i ka dërguar Gjykatës Kushtetuese një kërkesë për të sqaruar nëse deputetët e shkelin Kushtetutën duke bojkotuar seancën.

Mediat e citojnë Thaçin të ketë thënë se Gjykata ka konfirmuar se shkelja ka ndodhur nga bojkotuesit e seancës dhe jo nga ata që e kanë marrë pjesë në seancë.

Menjëherë pasi gjykata të jap përgjigje, Thaçi ka paralajmëruar se Kuvendi do të mblidhet për të bërë zgjedhjen e presidentit. Ai ka thënë se në asnjë mënyrë nuk do të lejohet që të mbahet peng ky post, për shkak se do të dështojë edhe buxheti nëse nuk ka kush ta nënshkruajë.

“Qeveria i ka dërguar këtë kërkesë Gjykatës Kushtetuese pas paralajmërimit të partive opozitare se ata përsëri do të bojkotojnë seancën e Kuvendit, në të cilën do të zgjidhet presidenti i Kosovës. Pyetjet tona janë të drejtpërdrejta si Qeveri dhe theksoj se nuk është shkollë e mirë që bojkoti të bartet në Prishtinë, qoftë i rrugës apo në Parlament”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se me një sjellje të tillë, vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme brenda 45 ditësh.

Por, këto zgjedhje, sipas tij, nuk i konvenojnë as popullit të Kosovës, as miqve ndërkombëtarë, Brukselit dhe Washingtonit. “Ftoj opozitën të jetë aktive dhe të dal mbi interesat e ngushta partiake apo individuale, por këtë proces të ngrirë të zgjedhjes së presidentit nuk mund ta mbajë askush. Do të gjejmë hapësirën legale dhe presidenti do të zgjidhet dhe ne do të procedojmë në orët e ardhshme”, është shprehur Thaçi.

Ai ka përmendur me këtë rast sjelljen e PDK-së si parti opozitare, duke thënë se në të gjitha rastet, si në vitin 2001, në vitin 2004, 2006 dhe 2008, ka qenë pjesë aktive e zgjedhjes së presidentit dhe të gjitha institucioneve tjera të Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›