Policia mohon përdorimin e lotsjellësit
Policia e Kosovës, përmes një komunikate ka mohuar të ketë përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve të PTK-së, para Kuvendit, por spreji OC.
Në komunikatë thuhet se fillimisht protesta është zhvilluar e qetë, por pas marrjes së informatës se është aprovuar Ligji mbi buxhetin, protestuesit kanë tentuar që me forcë të hyjnë në brendi të oborrit të Kuvendit të Kosovës, duke dëmtuar derën e hyrjes së rrethojës së Kuvendit si dhe është thyer dritarja e shtëpizës së zyrtarëve policorë, që ofrojnë siguri.
Sipas tyre, një gjë e tillë, e hyrjes brenda rrethojës, është penguar nga zyrtarët policorë, që janë kujdesur për sigurinë e protestuesve dhe të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
“Në angazhimin e zyrtarëve policorë për të penguar hyrjen me forcë të protestuesve në brendi të oborrit të Kuvendit, janë lënduar dy zyrtarë policorë (të cilët kanë pësuar lëndime të lehta trupore... Policia thotë se për të parandaluar hyrjen me forcë të protestuesve policia në sasi të kontrolluar ka përdorur sprej mbrojtës (që është materie aerosolli e përfituar prej farave të specit të kuq djegës dhe lëngut të pjeprit) në drejtim të protestuesve”, thuhet në komunikatë.
Sipas tyre, përdorimi i sprejit mbrojtës është bërë me qëllim të parandalimit të hyrjes me forcë në oborrin e Kuvendit dhe nuk ka pasur në cak ndonjë person të caktuar, zyrtar (gazetar) që mund të ketë qenë prezent në këtë protestë.
Po ashtu, Policia thotë se gjatë tentimit për hyrje me forcë dy nga protestuesit kanë kaluar pengesën, duke depërtuar në brendi të oborrit dhe ata janë ndaluar nga zyrtarët policorë dhe pas identifikimit të tyre janë liruar.
“Sqarim për gjithë opinionin e gjere, Policia e Kosovës gjatë protestës së djeshme nuk ka përdorur gazin lotsjellës, siç është potencuar në mediume, por është përdorur spreji (OC-i sqaruar me lartë). Për shkaqe sigurie dhe për veprime policore pa pengesa gazetarët janë udhëzuar që të përcjellin situatën nga një lokacion i caktuar i sigurt, i cili iu mundëson marrjen e pamjeve dhe xhirimeve pa pengesa. Protesta ka përfunduar rreth orës 15:00, pas takimit të realizuar në mes të grupit organizator të protestës dhe Kryetarit të Kuvendit te Kosovës”, thuhet në reagim.
Në protestën e djeshme Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) dhe Unioni i Gazetarëve të Kosovës (UGK) kanë dënuar ashpër aktin e lëndimit të dy gazetarëve, gjatë protestës së punëtorëve të PTK-së.
“Pjesëtarët e Policisë së Kosovës, në tentim për të mos lënë punëtorët e PTK-së të hyjnë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, kanë lënduar Saranda Ramën, gazetare e TV Koha Vision dhe Arton Mulliqin, gazetar i RTV 21. AGPK i konsideron të papranueshme ndërhyrjet e tilla ndaj gazetarëve. Po ashtu, AGPK iu bën thirrje autoriteteve përgjegjëse që të veprojnë urgjentisht ndaj kryesve të këtij akti dhe marrjen e masave përkatëse për ta”, thuhet në reagim.