E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, kush përfiton nga vlerësimi

16/03/2012  Metodologjia përfshin vetëm subjektet që nuk kanë përfituar më parë

Do të riverifikohen vetëm dosjet me shkelje ligjore

Metodologjia e re që do të aplikohet për vlerësimin e pronave për kompensimin financiar të pronarëve, do të përfshijë vetëm ato subjekte që nuk kanë përfituar më parë një përfitim të tillë. Tashmë, grupi i punës në Ministrinë e Drejtësisë ka filluar punën për përgatitjen e metodologjisë së re, e cila parashikohet të ngrejë vlerën e pronave që do të kompensohen financiarisht. Por ky ndryshim nuk ka si qëllim në vetëvetë të prekë të gjithë procesin e kompensimit financiar që nisur që nga viti 2004, por do të synojë ndryshimin e vlerës aktuale të hartës së pronës. Metodologjia e re nuk do të cenojë ata që tashmë e kanë përfituar këtë kompensim, përveçse në rastet kur konstatohen shkelje ligjore, theksoi Elvis Çefa, Drejtori i Agjencisë së Kthimit të Pronave. Nisur nga praktikat e deritanishme të kompensimit, vlera e disa objekteve ka qenë më e lartë se realja dhe vlera e disa të tjerave më e ulët dhe pikërisht për këtë arsye u vendos ndryshimi i metodologjisë. Lidhur me këto ndryshime Çefa shtoi se metodologjia e re ka në themel të saj standardin ndërkombëtar. Sipas kreut të AKKP-së, ajo do të jetë më fleksibile dhe më reale, pasi vlera e pronës ashtu si e çdo produkti tjetër është e ndryshueshme në varësi të vendit, kohës dhe kushteve të tjera të tregut. "Tashmë do të ketë në momentin kur kjo të miratohet, do të ketë një metodikë të re me një formulë sa më të përshtatshme dhe brenda standardeve bashkëkohore të përcaktimit të çmimit të tregut, që do të thotë dhe produkti do të jetë pa diskutim më real. Pra, vlera e pronave që do të kompensohen tashmë, por jo vetëm, do të jetë egzaktësisht sa është vlera e tregut në momentin kur kompensimi do të ekzekutohet", vijon Cefa. Sipas projektligjit, vlerësimi i pasurive të paluajtshme sipas kësaj metodike do të kryhet bazuar në çmimin e tregut, llojin e pasurisë së paluajtshme dhe qëllimin e përdorimit të pasurisë së paluajtshme. Sipas procedurës së re të vlerësimit, treguesit bazë të vlerës së pasurisë së paluajtshme do të përcaktohen dhe do të miratohen të veçanta për tokën, ndërtesat dhe strukturat inxhinierike. Ndërsa vlera e pasurisë së paluajtshme do të llogaritet si një shumë e vlerave të një njësie, objekti ndërtimor/struktura inxhinierike, dhe tokës mbi të cilën ngrihet kjo e fundit, të cilat do të formojnë një pasuri të veçantë të paluajtshme. Aktualisht, në Ministrinë e Drejtësisë është ngritur grupi i punës që është duke u marrë me metodologjinë e re të përllogaritjes së çmimeve të pronave për kompensim. Kur kjo metodologji të ketë përfunduar, do të miratohet në qeveri. Më pas qeveria do të autorizojë një institucion të posaçëm për përcaktimin e çmimeve të kompensimit. Për sa i përket shtyrjes së afatit për shqyrtimin e dosjeve të pronave deri më 31 prill 2013 Cefa shtoi se, "është shtyrë data e përfundimit të këtij procesi që do të thotë që AKKP menjëherë me miratimin dhe hyrjen në fuqi të këtyre ndryshimeve ligjore, duhet të ketë sërish të drejtën të shprehet me një vendim themeli për kërkesat e patrajtuara deri më sot". Aktualisht, mësohet se janë rreth 10 mijë dosje që janë të depozituara në AKKP dhe pas ndryshimit të afatit do të fillojë të rishqyrtohen. Sipas ekspertëve të Agjencisë, afati i ri është i mjaftueshëm për të vijuar punën për shqyrtimin e këtyre dosjeve, si dhe u jep mundësi ish-pronarëve të shmangin një sërë procedurash për rivendosjen në afat të aplikimeve të tyre. Në vitin 2011 Agjencia e Kompensimit e Kthimit të Pronave ka dhënë 1600 vendime, që kanë të bëjnë me njohje fillestare të pronës dhe vendime të kompensimit.

Vlerësimit të pronës i nënshtrohen toka dhe objektet ndërtimore. Në kategorinë e tokës futen toka bujqësore, toka pyjore, pyje, livadhe dhe kullota, truall publik apo tregtar.

Në kryerjen e veprimtarisë së tij, asnjë nga anëtarët e organeve shtetërore për kthimin dhe kompensimin e pronave ose të grupit të ekspertëve nuk duhet të kenë konflikt interesi.

Në ligj është vendosur krijimi i Drejtorisë së Koordinimit, pasi shkëmbimi i dokumentacioneve mes institucioneve përgjegjëse është një prej procedurave më burokratike.

Nga data 5 mars ka nisur dorëzimi i dokumenteve nga 700 subjekte që përfitojnë kompensim financiar për trojet e zëna. Afati i aplikimit do të jetë pafundësisht i hapur.

Përveç pjesës së dosjeve të patrajtuara asnjëherë, një çështje që kërkon zgjidhje dhe që prej muajsh është bllokuar është edhe ajo e rivlerësimit të vendimeve të mëparshme.

Baza e të dhënave

Me vendim të qeverisë do të përcaktohet një institucion përgjegjës për krijimin e bazës së të dhënave shtetërore të vlerësimit të pasurisë së paluajtshme dhe për administrimin e saj. Aktualisht, vlera e pronës që kompensohet përcaktohet në bazë të vlerës së tregut, në përputhje me metodologjinë e propozuar nga Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, miratuar me vendim të Kuvendit, por që në disa raste rezulton që nuk është reale.

Metodologjia e re e vlerësimit

Pronarët kundër: Ligji i ri ul çmimin

Pronarët shprehen kundër vendimit të qeverisë për të ndryshuar formulën e llogaritjes së çmimit të pronave që kompensohen. Reshit Vorpsi i "Pronësi dhe drejtësi", e sheh këtë lëvizje si tentativë për të reduktuar faturën financiare të kompensimit, duke ulur dhe çmimet për metër katror. "Çmimet që ka metodika sot janë dy deri në tre herë më të ulëta se çmimet që ka realisht tregu dhe çmimet e reja synojnë pikërisht një gjë tjetër, që të ulin këto çmime në nivele të tjera. Fatura financiare e kompensimit të pronarëve është e papërballueshme për shtetin shqiptar. Më 31 prill të 2013 mbyllet ai që quhet afat 20-vjeçar, i cili parashikon të drejtën e pronarëve për të kërkuar një pronë. Pra, automatikisht çdo pronar, i cili brenda këtij afati kohor nuk ka kërkuar t’i kthehet prona e tij patjetër që ka humbur këtë të drejtë për ta kërkuar qoftë dhe gjyqësisht", tha Reshit Vorpsi. Vendimi i fundit për çmimet me të cilat kompensohen pronarët, daton në vitin 2008.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›