Në 102 vjetorin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Mbledhja e dijetarëve shqiptarë më 14 nëntor - 22 nëntor 1908 në Manastir, ishte momenti vendimtar i cili i dha formë dhe përmbajtje gjuhës shqipe. Sot më 22 nëntor shënohet 102 vjetori i Kongresit të Manastirit, një prej ngjarjeve më madhore në historinë e gjuhës dhe popullit shqiptar, përcaktimi dhe krijimi i Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Mbledhja e dijetarëve shqiptarë më 14 nëntor - 22 nëntor 1908 në Manastir ishte momenti vendimtar, i cili i dha formë dhe përmbajtje gjuhës shqipe përmes hartimit të alfabetit. Në këtë kongres ishin të pranishëm 150 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjipt, Amerikë etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, në atë kohë redaktor i dy revistave që botoheshin në Selanik: ”Liria” dhe “Dituria”. Kërkesa e patriotëve shqiptarë ishte që gjuha shqipe të mos shkruhej as me shkronja arabe, as me shkronja greke, por me alfabetin latin, gjë që nënkupton mosnënshtrimin qoftë ndaj otomanëve, qoftë ndaj grekëve. Kongresi vendosi me votë unanime të lihej mënjanë alfabeti i Stambollit, dhe ta shkruanin gjuhën shqipe vetëm me alfabetin latin me 36 shkronja. Gjithashtu, u vendos që pas dy vjetësh të mbahej një Kongres i dytë në Janinë, për të shqyrtuar problemet drejtshkrimore e letrare, si dhe për të bërë përpjekje për shkrirjen e dialekteve gegë dhe toskë në një gjuhë të njësuar shqipe. Duke qenë se para Kongresit të Manastirit, gjuha shqipe ishte shkruar me shkronja arabe, greke, sllave, apo përshtatjet e tyre, vendosmëria e delegatëve për t'i kthyer sytë nga Perëndimi ishte haptazi një shpallje kulturore e pavarësisë.