“Vejusha gazmore” flet shqip
Ana, një vajzë e re nga Shqipëria që është larguar herët së bashku me prindërit nga Tirana për në Francë dhe Danilo, një dandy nga një familje tradicionale franceze, janë një çift i dashuruar, por për disa arsye lidhja e tyre do të shkëputet. Dy origjina të ndryshme: një e vjetër aristokrate perëndimore dhe një e re e thjeshtë nga juglindja evropiane ndeshen me njëra-tjetrën. Por dashuria mbase do t’i kishte kapërcyer pengesat, nëse nuk do të ndërhynin prindërit e Danilos, me botëkuptimin dhe paragjykimet e vjetruara. Martesa mes Danilos dhe Anës anulohet dhe lidhja e tyre prishet. Danilo jepet pas aferave të ndryshme. Kurse Ana vendos të marrë më të mirën nga ajo që mund t’i ofrojë Perëndimi sipërfaqësor: sigurinë financiare. Prandaj martohet me një burrë pasanik, bankierin plak Glavari. Kjo histori shqiptare vjen premierë absolute në Teatrin e Operas dhe Baletit. Opereta në tri akte “Vejusha Gazmore” do të ngjitet në skenën e Teatior të Operas më datat 23-24-25-26 dhjetor për publikun shqiptar. E kompozuar nga artisti vienez Franc Lehar, kjo operetë vjen si një përshtatje në formë ironike me origjinalin.Ajo do të mbyllë edhe sezonin e parë 2010 të Teatrit të Operës. Për herë të parë kjo operetë u ngjit në skenë me titullin “Atasheu i Ambasadës” në vitin 1861. Më 1905 kjo operetë vjen premierë në skenën e Vjenës në versionin “Vejusha Gazmore”. Origjinali është teksti humoristik që francezët thurën për gjermanët. Këta të fundit së bashku me austriakët e rishkruan, duke bërë humor me vendet e Evropës lindore. Në vijim historia e operetës me tri akte është rishkruar disa herë. Në versionin shqip kishte munguar. Regjisori austriak Christian Papke, sjell një konceptim të ri të shfaqjes duke përmbysur ngjarjet. Kësaj here të qeshurat vijnë nga perëndimi. Versioni shqiptar vjen si një histori humori, me motive shqiptare, ku humor bëhet me vendet e perëndimit. Në qendër të subjektit janë një çift i dashuruar, por që për disa arsye lidhja e tyre do të shkëputet. Ngjarjet e veprës që do të vihet në skenë në Tiranë kanë zanafillën në vitin 2005. Ajo është paraathënia e veprës ndërkohë që akti i parë ku ngjarjet e dashurisë së humbur (në 2005) rikthehen në vitin 2013 për tu shtjelluar me hyrje-daljet e personazheve shqiptare e franceze e për tu përmbyllur me një fund të lumtur. Skenografia është realizuar nga Aloise Gille,ndërsa orkestra e Teatrit të Operas dhe Baletit drejtohet nga dirigjentja Deniola Kuraja. Regjisor i kësaj vepre është austriaku Christian Papke, ndërsa skenografia Aloise Gille. Dirigjent kori është Dritan Lumshi, as/dirigjent kori Valmir Xoxa dhe ilustrimi koreografik Rovena Shqevi. Në vepër interpretojnë D. Selimaj, A. Meni, E. Palushaj, R. Llupo, L. Sula, S. Alla, G. Myftari, E. Zeraliu, D. Skuro, J. GjoJdeshi, K. Xama, A. Likaj, B. Brahja, R. Qevani, L. Milla, T. Aliko, E. Muço, A. Qirko, I. Hoxha, L. Kola, shoqëruar nga Orkestra Simfonike dhe Kori i TKOB. Vepra vjen në skenë me mbështetjen e MTKRS dhe Ambasadës Austriake.