E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur njerëzorja kthehet në varg

SHKRUAN: Dorina Azo 23-12-2010 12:02

Na kanë imponuar për të mësuar shumë leksione për analizën letrare, vargun, figurën, pasi nëpërmjet tyre ne do të mësonim mbi të shkruarin dhe të lexuarin, në mënyrë që të mos katandiseshim në lexues mediokër të letërsisë. Më ka ndodhur shpesh kohët e fundit të lexoj libra nga shkrimtarë profesionistë apo të atyre që së paku një herë të vetme kanë qenë pranë njerëzve që bënë histori, duke treguar historinë e tyre për komercialitet, pa u ndalur në asnjë thellim psikologjik, duke u kthyer kështu në njerëz apatikë, pedantë, të pazotë për të transmetuar njerëzoren. Përveç kësaj, në kokën tonë këta ngrenë dilemën e madhe: janë të vërteta apo false këto histori? Kjo etje e madhe për të transmetuar zbavitësen, e kthyer në modë, para se të bjerë interesimi i publikut, ka harruar të sjellë atë për të cilën ne kemi më shumë nevojë: humanen. “E revoltuar” nga kjo dyndje, preferoj të lexoj vetëm ata që shkruajnë me gjak, pasi, siç thotë filozofi i madh Fridrih Niçe, “gjaku është shpirt, nuk është e lehtë të kuptosh gjakun e tjetrit, të kuptosh shpirtin e tij, prandaj këta lloj autorësh nuk duhet të lexohen sa për të kaluar kohën, sepse ai që shkruan me gjak dhe me mençuri duhet të mësohet përmendsh”.

E doktoruar në gazetari dhe në shkencat e komunikimit, autorja Arta Sakja pas botimit të vëllimit të parë me tregime “Bëjnë dashuri dhe shohin ëndrra me politikë”, sjell për lexuesin 114 poezi të përmbledhura në botimin e saj të fundit “Dielli ka harruar...”. Poezitë e saj përcjellin te ne të jetuarit lumturinë, mërzitjen, dashurinë zhgënjimin, dhembshurinë, mallin, prehjen e shpirtit në bukuritë e natyrës, përjetimet për ndryshimet urbane, jetën studentore, pra njerëzoren.

Në vargjet e saj autorja ka dashur që asgjë të mos hyjnizohet, por çdo gjë të humanizohet, të mos flitet duke përdorur fjalë artificialisht të bukura, por të dhurojë kënaqësi nga jeta e përkthyer në vargje të mençura. Kjo e bën edhe më të veçantë poezinë e saj, pasi, kur i lexon ato, të kthehen në shpirt motre, që të njeh dhe depërton deri në thellësitë më intime të shpirtit tënd. Ja si shprehet autorja te poezia me titull “Unë në udhëkryqin tim”: “Sinjalet e gjelbra që të sjellin tek unë / duhet të jenë vyshkur…/ Të pangjyrta ëndrrat / dhe netët të zbehta. / Tinguj shprese nisa, sido t’ish /të patingullt. /Në udhëkryqe mbeta ku rrugë dashurie ndahen. / E pajetë pritja / unë drejt asgjësë kthyer”. Pasi lexon poezitë, kupton se në to përmes simboleve janë pasqyruar ndjenja universale të dhëna nëpërmjet tonalitetit të së përditshmes të jetës sonë. Secili prej nesh do të gjejë vetveten në këto poezi, botën e tij të ndjenjave dhe nuk do të hezitojë të jetë pjesë e saj, pra të hyjë në brendësi të vargjeve dhe rrokjeve të autores.

Përveç kësaj, pas leximit të këtyre poezive jemi më të lirë në të gjykuarit e të drejtave dhe ndjenjave njerëzore, pa qenë e nevojshme të flasim për merita e për virtyte, apo të errësojmë pamjet e së përditshmes, edhe kur ato tregojnë shenja zhgënjimi të jetës. Pa dashur të mbetemi akademikë të të menduarit për të shkruarin, sidomos te poezia kjo nuk gjen vend, arti i autores i derdhur në vargje dëshmon shpirtin e saj të lirë, energjik, pa paragjykime për ta jetuar jetën ashtu siç dëshirojmë, por para së gjithash duke ditur shumë mirë se çfarë dëshirojmë. “Eci rrugëve ku nuk lashë kujtime. / E qetë, / në mungesë kompleksesh, / nën shoqërinë e gjapërt të Lanës... / edhe pse shiu i ngjiz në shtriqjen e saj. / Më vjen keq. / Prej kohësh ajo nuk i lind”, - shkruan poetja te poezia “Mungesa që s’do t’i kesh”.

Të gjitha këto refleksione për njerëzoren autorja i ka sjellë për lexuesin në 8 nëndarje të poezive. Njëri pas tjetrit ciklet e poezive lidhin rreth unazës së ekzistencës sonë gjithnjë e më shumë pjesëza të jetës së përditshme, të cilat, duke u bashkuar në një të vetme, pra në një vëllim poetik, të futin në mendim, madje të bëjnë të mendosh shumë për njerëzoren.

Poetja Arta Sakja pritet të nxjerrë në botim derdhje të tjera reflektimesh në prozë e poezi, sepse duket se i pëlqen të lundrojë mes të dyjave.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›