Çfarë gjuhe flisnin epirotët?!
Arsim Spahiu, një studiues shqiptar i laureuar në Francë, mëton të hedhë dritë në një nga fushat më “të errëta” të dijes. Çfarë flisnin epirotët e vjetër? Për të po kristalizohet: gjuha e tyre kishte karakter pellazg. Prandaj, me doktoraturën e tij të mbrojtur në Universitetin Franshe-Komtese Franche-Comt, ai pretendon të anashkalojë gjërat e thëna sot, më së shumti në mënyrë diletanteske, prej studiuesve shqiptarë, sidomos për karakterin etnik të epirotëve. Në një terren gjuhësor gati të panjohur, ku ka fituar nacionalizmi dhe shpesh dhe pasaktësia, më shumë problemi duket se ka qenë panegjirik sesa shkencor. Në këtë hulli ka punuar doktori shqiptar, duke përdorur një metodikë shkencore të kujdesshme. Ai vetë pretendon se ka shfrytëzuar autorët më të njohur të Greqisë së Vjetër, si edhe autorët modernë të tre shekujve të fundit. Te burimet e tij, ai ka gjetur në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi se epirotët ishin pellazgë. Dhe tek autorët modernë të tre shekujve të fundit, sipas tij, mëtohet në masë se ata ishin pellazgë dhe të tjerë pohojnë se ishin ilirë. Kuptohet se ata që thonë se janë ilirë nuk thonë kurrë pellazgë dhe e anasjella. Por ka edhe një dëshmi gjuhësore që provon se pellazgët ishin ilirë, shprehet ai. Madje, në një intervistë për median ai do ta ilustronte dhe teknikisht: “Kalimi nga “dh” në “d” nga “o” në “a” janë tipare të pellazgjishtes dhe ilirishtes. S-ja në fillim të gjithë emrave që fillojnë me “S” është e aspiruar, kurse në ilirishte dhe në gjuhë të tjera indoevropiane nuk është e atillë dhe as pellazgjisht nuk është kështu e as shqip”. Ka pasur vlerësime të kolegëve për të, por dhe shikime shumë të vëmendshme. Ndër ta, Prof. Mansaku në një nga prezantimet e veprës së tij do të thoshte se “Është gjë e njohur tashmë që në greqisht ka disa elemente të hershme, që nuk shpjegohen dot me vetë gjuhën greke, domethënë që i përkasin një substrati tjetër gjuhësor që nuk janë në atë linjën e zhvillimit të pandërprerë nga indoevropianishtja në greqishte. Këta elementë duket se i përkasin një substrati të hershëm të lashtë, të cilin disa e kanë quajtur pellazgjik disa e kanë quajtur mesdhetar disa protoindoevropian. Autori ka mbrojtur tezën e formuluar edhe nga të tjerë më përpara që pellazgjishtja ka qenë një gjuhë indoevropiane dhe këta elementë në greqishte që nuk shpjegohen dot me greqishten duhen mbledhur dhe duhet parë shtrirja e tyre gjeografike ku mbizotërojnë”.
“Varre në zemër”, “Pellazgët dhe ilirët në Greqinë e vjetër”, “Iliriciteti i maqedonasve”, “Orakulli i Dodonës dhe epirotët, I”, “Mbi arkeologjinë e Dodonës dhe të Epirit, II”, si dhe “Gjuha e epirotëve të vjetër” janë titujt e studimeve të historianit Arsim Spahiu, të cilat vërtetë nuk kanë ardhur me ndonjë bujë të madhe, por kanë treguar punën e një njeriu të pasionuar brenda gjërave shkencore. Në të gjitha teoritë, fryt i një pune të mirë, autori nuk përpiqet që ta shpjegojë pellazgjishten nëpërmjet shqipes, duke e mënjanuar ilirishten që duket se është vërtetë një periudhë e gjatë dhe vërtetë e ndërmjetme. Në argumentet tij përpiqet të hidhet dritë tek vijimësia e përcaktuar pellazgo-ilire-shqiptare.
Shqipja është elementi thelbësor që ka mbajtur identitetin e shqiptarëve dhe ndaj ka qenë sfidë e të gjithë njerëzve që të përpiqen pikërisht atje. Një e tillë fushë ka qenë dhe grishja e Dr. Spahiut, që tashmë jeton dhe shfrytëzon dokumentacionin e avancuar lidhur me temën, në Francë, dhe që mëton të hedhë një dritë të tij mbi antikitetin.
Etnogjeneza shqiptare është një nga fushat më të vështira të studimeve, por edhe nga më të rëndësishmet për historinë e kulturës shqiptare.