Në 110-vjetorin e lindjes së poetit (19002010)
Nga mungesa e të dhënave dokumentare deri vonë mendoja se poeti Sejfulla Maleshova, nga koha që e larguan prej politikës, e kish braktisur poezinë. Këtë e arsyetoja me kushtet e vështira qytetare dhe goditjen shpirtërore që ai mori, por dhe me arsyen se ai asnjëherë nuk do të dallohej si poet prodhimtar. E dija se ashtu si Fan Noli dhe ai kish krijuar kryesisht në momente të caktuara, të diktuara nga rrethana social-politike, siç i dija dhe kërkesat e larta që kish ndaj poezisë së tij. Kështu shpjegohet që poeti sa qe gjallë botoi vetëm një libër, vëllimin poetik “Vjersha” (1945) me 21 poezi, ndërsa vjersha të tjera mbetën të shpërndara në organet e shtypit të viteve ‘20-‘40, të cilat, të marra të gjitha së bashku, nuk i kapërcejnë pesëdhjetë. Pra, nga pikëpamja sasiore kemi të bëjmë me një bilanc modest, një dukuri kjo e njohur në historinë e poezisë, që nuk është përcaktuese në vlerësimin e poetit. Rasti i Sejfulla Maleshovës e vërteton këtë më së miri. Gjithë sa ai krijoi, janë të mjaftueshme për t’i dhënë emrit të tij një vend të nderuar në poezinë shqipe në mes dy luftërave.
Por ç’ndodhte në të vërtetë me poetin gjatë kohës së persekutimit? Në kushtet e izolimit të rreptë, të dramës e të zhgënjimit tepër të hidhur që kalonte, të natyrës së tij të mbyllur, ishin gati të paarritshme mundësitë e kontakteve dhe të informacionit. Të gjitha gjasat të çonin te mendimi apo më mirë te dyshimi se ai e kish mbyllur njëherë e mirë kapitullin e krijimtarisë origjinale. Një gjë dija saktë, se ai përkthente, se përkthimet poetike qenë tani fusha e tij krijuese. Në rrethet e ngushta letrare flitej asokohe për këtë. E megjithatë mbetej pyetja: vërtet nuk krijonte më? Kishte shumë të ngjarë që, në një mënyrë a në një tjetër, duhet të shkruante poezi. Sado e goditur rëndë politikisht dhe e plagosur moralisht, muza e tij ndoshta nuk kish vdekur për një poet të vërtetë si ai.
Mbaj mend se kur poeti ndërroi jetë, mendimi i parë, pas dhimbjes së vetvetishme që ndjeva, ishte për dorëshkrimet e tij. çfarë kish lënë dhe cili do të qe fati i tyre? Me kohë do të merrja vesh se ato qenë sekuestruar dhe qenë në dorë të Degës së Brendshme të Fierit, por nuk dija ku kishin përfunduar më pas. Përmbi tridhjetë vjet, sado që isha interesuar tërthorazi, fati i dorëshkrimeve të tij mbetej mister, një e fshehtë e pashkoqitur. Madje dhe pas përmbysjes së sistemit socialist përsëri shpresa ishte e vagëlluar. Kaluan shumë vite dhe asgjë nuk doli në dritë. Poetin përsëri do ta ndiqte për ironi shpërfillja dhe heshtja. Asnjë kërkim dhe përkushtim serioz për trashëgiminë e tij. Vetëm kohët e fundit, rastësisht u gjet në bodrumet e Ministrisë së Brendshme një dosje me dorëshkrime të poetit. Ishte ky një zbulim i rëndësishëm, që hedh dritë mbi jetën e Sejfulla Maleshovës si krijues në vitet e persekutimit politik. E vetmja dëshmi deri më tani që tregon se muza poetike nuk kish vdekur, se ajo kish kënduar në vetmi dhe në fshehtësi të plotë.
Dhe do ta quaja veten me fat që dosjen e poetit, e cila ndodhet në Arkivin Qendror të Shtetit, do të shkoja dhe ta studioja unë i pari. Do ta hapja dhe shqyrtoja sa me interesin dhe kërshërinë e studiuesit, aq dhe me emocionet e lexuesit të pasionuar të poezisë së poetit rebel. Në mes dy kapakëve të pluhurosur të dosjes voluminoze përfshiheshin fletore e blloqe, fletë të veçanta, një pasaportë e falsifikuar nga koha e ilegalitetit etj. Ndërmjet afro 30 objekteve, shumica e tyre qenë dorëshkrime poezish, të shkruara në fletore apo dhe nëpër faqe më vete, ndërsa pjesa tjetër ishin blloqe me shënime nga veprimtaria politike, artikuj të viteve ‘20, poezi të hershme të botuara në shtypin e kohës. Nga gjithë dosja, sigurisht interesim më të madh paraqisnin dorëshkrimet e poezive origjinale dhe atyre të përkthyera. Por vëmendjen time do ta tërhiqte veçanërisht një fletore e trashë, me kapakë të bardhë, ku qenë shkruar ndaras, në pjesën e parë krejtësisht poezitë e tij origjinale, kurse në pjesën e dytë, përkthimi i një tufë rubaish apo rubajatesh, siç i cilëson poeti, të Omar Khajamit. Duket se ato qenë hedhur në atë fletore në trajtën e një vëllimi, që ndoshta poeti përgatiste jo aq për ta botuar, se sa për ta lënë pas si kujtim.
Në fakt, gjithë sa gjenden në këtë fletore, nga krijimtaria origjinale janë gjithsej gjashtë vjersha, të krijuara kryesisht në vitet 1946-1969. Pyetja e parë që të vjen ndërmend kur njihesh me to është: A thua të jetë ky i tërë bilanci i krijimtarisë së poetit në më se 25 vitet e pasluftës? Fakti që në fletore, në mes vjershave origjinale dhe atyre të përkthyera, janë lënë shumë faqe bosh, të bën të mendosh se autori ndoshta do ta plotësonte me vjersha të tjera. Duam të besojmë që kërkimet e mëtejshme mund t’i japin përgjigje pozitive pyetjes sonë. Por tani për tani duhet t’i gëzohemi faktit që kemi në dorë tufëzën me vjersha të panjohura të poetit.
Nga shqyrtimi i tyre rezulton se dy vjershat e para u takojnë viteve të hershme të pasçlirimit. Ato dallojnë për nga përmbajtja dhe fryma me katër vjershat e tjera të krijuara në periudhën e mëvonshme, sidomos me vjershat e vitit 1969.
Vjersha e parë me titull “Rruga jonë” (1946), është hyrja e një poeme që kish nisur të shkruante, por për shkak të goditjes politike që pësoi, ajo mbeti me sa duket në mes. është një vjershë tipike e shkruar me frymën e kohës, me temë aktuale politike, që sjell atmosferën e jetës shqiptare të viteve të para të pasçlirimit, entuziazmin e punës për të ndërtuar Shqipërinë e shkatërruar nga lufta. Janë njerëzit e inkuadruar nëpër brigada të punës vullnetare, që me lopatat e tyre “ngrenë jetën” dhe “groposin shekuj robërie”. Poeti ndihet i tëri midis tyre dhe me zemrën mbushur plot gaz këndon: “Po, n’ato llogore / Ku sulmon brigada / Me pushkë, libra, kazma dhe lopata / Atje / Me vrull e zjarr / Me ligjërime / Shko dhe lufto si dje / O kënga ime.
Poema është në vazhdën e poezisë politike, aq e trajtuar në krijimtarinë e poetit para çlirimit. Maleshova do t’i mbetej besnik letërsisë së angazhuar, madje pas luftës do të jepte shembullin e një poezie militante, në shërbim të idealeve të veta revolucionare.
Pas tre vjetëve, edhe pse kish ndërruar pozita politike, siç del nga dorëshkrimi i poezisë së dytë, do të marrë pjesë në konkursin kombëtar për “Himnin e Republikës” (1953). Ai do të paraqitet me një tekst të vetin dhe sipas shënimit të vënë me dorën e tij, ka fituar çmimin e parë(!) Për vetë motivin që trajton, ajo është një vjershë politike, mishërim dhe pasqyrë e ideve të ditës, besnike ndaj bindjeve të tij komuniste. Me tone retorike dhe patos, ai i këndon republikës, aspiratës dhe ëndrrës së jetës së tij.
Vetëm dy vjet më vonë (1955) ndihet kthesa në poezinë e Maleshovës dhe kjo duket qartazi në vjershën “Poeti”, që e bën të ndahet nga krijimtaria e mëparshme. Pas gjithë asaj që i ka ndodhur, për herë të parë shpërthen dufin që mban përbrenda. Ka të ngjarë të ketë ndikuar klima liberale pas vdekjes së Stalinit. Në rrëfimin e tij poetik, pranon se ka humbur si politikan, por jo si poet. Vërtet është “përgjunjur” dhe ka pushuar së kënduari përkohësisht, por kjo ka ardhur për shkak të “plagëve të shpirtit” që ka marrë dhe “krahëve që ia kanë shkurtuar”, si dhe për faktin se kundër tij është vërsulur “rrëmeti me sharje dhe shpifje”, duke ia helmuar jetën. E megjithatë, ai është optimist, sepse ka mbetur vargu i tij liridashës, që “ngriti popullin në luftë dhe e çoi në fitore”. Se vargu i tij është “skalitur në zemra si përmendore”. Dhe para kësaj, nuk ka rëndësi lavdia dhe kurora zyrtare. Duke e projektuar këtë situatë në histori, poeti shpreh bindjen se “do të zhduken perandori dhe perëndi”, por “kënga e poetit nuk perëndon”. Më në fund, Maleshova poet e gjen vetveten, ndaj tregohet i bindur e guximplotë në të drejtën e tij. Ashtu në heshtje dhe në vetmi këndon këngën e vet të lirë. Jo rastësisht vë në krye të vjershës vargun e Xh. Karduçit “Muor Giove l’inno del poeta resta” (“Zeusi vdes, por himni i poetit mbetet). Një varg madhështor, me një vërtetësi tronditëse. Me këtë poezi, më shumë se Sejfulla Maleshovën kemi tani Lame Kodrën, poetin rebel, siç e pati quajtur veten në vitet e mërgimit politik në vjershën anonime (1935) plot dy dekada më parë, kur këndonte: “Vjershë o vjershë, shko si bombë / Me tërbim / Shko përpara si flamur / Si kushtrim”. Një këngë kjo kryengritëse, kënduar në luftën kundër robërisë e tiranisë, ndërsa tani shpërthen kundër pabesisë e padrejtësisë, babëzisë për pushtet, ndalimit të mendimit të lirë, i bindur se “Kënga e poetit s’perëndon”.
Ndoshta kjo këngë rebele është vetëm një çast shpërthimi i poetit, sepse do të duhen 13 vjet (1968) që ai të këndojë sërish, po kësaj here një këngë patriotike. Ishte 90-vjetori i Lidhjes së Prizrenit që e nxiti dhe e frymëzoi. Hidhet në histori, në kohën e zgjedhës otomane, kur dhe zoti i kish harruar shqiptarët. Por nuk i ka harruar Skënderbeu dhe pas kësaj figure kapet poeti, dhe tregon se edhe pse ndodhet shumë larg, heroi jetonte me fatin e atdheut të robëruar dhe të fisit të tij, brenda të cilit lëviznin “turma kordhëtarë”, por që s’kishin flamur. Pra, u mungonte udhëheqësi. Në përfytyrimin e poetit, historia do të plekset me mitologjinë. Skënderbeu do të shkojë të takohet me ish-perandorin ilir Shën Kostandinin dhe do t’i tregojë se populli po zgjohet e po pret udhëheqësin, ndërsa ai e këshillon të vejë e t’i kërkojë ndihmë Shën Pjetrit, por shenjti nuk i përgjigjet thirrjes së heroit. Atëherë Skënderbeu nuk pret më, hidhet vetë në aksion, i rrëmben Shën Gjergjit, shenjtit të shqiptarëve, ushtrinë e tij dhe me qerren e Shëndëlliut zbret si rrufe në Mat, veshur me purpur dhe me këtë imazh të bukur e madhështor u kthehet bashkatdhetarëve të tij, si simbol i ushtës dhe flamurit. Kur e mbaron së lexuari vjershën të lind pyetja: Të jetë thjesht një poezi me frymëzim patriotik? A mund të themi që në pozitën që ndodhej poeti, të bënte aludime përtej motivit që trajton?
Një vit më pas (1969) festohet 25-vjetori i çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë. Poeti me këtë rast do të shkruajë dy vjersha me të njëjtën temë (“Lapidari” dhe “Lapidarët”). Dhe tema është ajo e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, të cilën e sheh të mishëruar në një imazh konkret, siç janë lapidarët e ngritur në kujtim të luftëtarëve të rënë për liri. Dëshmi e gjakut të derdhur, e vetëmohimit dhe vetëflijimit të tyre, me të cilin u gdhend epopeja e luftës çlirimtare. Poeti, i njësuar me idealet e saj, e evokon dhe e nderon me venerim, pavarësisht se ç’ka ndodhur me jetën e tij.
Tri poezitë e fundit që na kanë arritur, edhe pse nuk kanë datë, u takojnë pak a shumë viteve kur janë shkruar dhe të tjerat. Më interesantja prej tyre na duket vjersha “Nga një dramë e pambaruar”, një vepër që u nis, por nuk u krye nga autori. është fjala për shpirtin e njeriut, një temë aq e trajtuar nga poezia nëpër shekuj, për të cilën autori shprehet në këtë vjershë meditative. Në konceptin e tij, shpirti i njeriut paraqitet si një mikrounivers, me humnera dhe të përpjeta, me të thella oqeani dhe maja Himalaje, ku përleshen ferri dhe parajsa. Në këtë sfond sa real aq dhe mitik qëndron njeriu si përbindësh dhe perëndi! Ka të ngjarë që pesë vargjet e kësaj vjershe të jenë kredoja e dramës, në të cilën poeti do të shpaloste idetë e veta, filozofinë e tij për këtë fenomen universal e të përjetshëm. I përkthyer artistikisht ky fenomen, në pendën e poetit, do të përcillte dhe shtjellonte përvojën nga kalvari i jetës së tij.
Një dimension tjetër i Maleshovës na shfaqet në dy vjershat e tjera, siç është ai i humorit. “Njeriu me këmbajka dhe servilët” dhe “Po saze dhe daulle...” janë vargje humoristike, të vetmet në gjithë krijimtarinë e tij, momente kur ai rreket të qeshë e të tallet me realitetin e kohës, duke e stigmatizuar dhe fshikulluar. Në të parën flet tërthorazi përmes aludimeve të një metafore orientale, në të dytën është i drejtpërdrejtë, hedh dritë në një aspekt konkret e të qartë të jetës shqiptare. Te “Njeriu me këmbajka dhe servilët” vihet në qendër figura e Udhëheqësit, i rrethuar nga ndjekësit dhe nëpunësit puthadorë. Ai jepet si sulltan, një sundimtar absolut, i lidhur fort pas pushtetit dhe i dëshiruar për lavdi dhe lajka. Fryma tallëse dhe stigmatizuese e bën vjershën sa humoristike aq dhe sarkastike. Të kujton në një farë mënyre vjershën e Nolit “Sulltani dhe kabineti”, një koincidencë e rastësishme, që s’ka të bëjë me ndonjë ndikim, pasi poeti, në kushtet e izolimit ku ndodhej, s’ka të ngjarë ta ketë njohur.
Edhe vjersha tjetër “Pa saze dhe daulle...” ka të njëjtën frymëmarrje humoristike-satirike, por me një adresim real. Satira e saj therëse i drejtohet letërsisë servile të kohës, nga e cila dëgjohen vetëm saze dhe daulle. Një letërsi, që për poetin është konformiste dhe shërbëtore, e larguar nga tradita e saj e shëndoshë. Sepse nuk dëgjohen më fyelli dhe xhuraja e Naimit, as jangari i çajupit, por as lahuta e Fishtës dhe lyra e Nolit. Në këto situata, poeti, hipotikisht thyen sazet dhe mandolinat dhe rrëmben lahutën, por më kot, sepse sazet dhe daullet ia mbysin zërin. Përshtypja që të mbetet është dufi i hidhur i poetit, zemërimi i papërmbajtur ndaj gjithë asaj që po ndodh në letërsinë e ditës. Në fakt, vjersha është një monolog me veten, që autori do ta këndonte vetë dhe do ta dëgjonte po vetë. Një gjendje kjo tepër e trishtuar dhe paradoksale për çdo poet.
Në përfundim mund të themi se në qoftë se realiteti shqiptar për shumë vite me radhë u tregua i padrejtë ndaj Sejfulla Maleshovës, me historinë nuk ndodhi kështu. është historia ajo që e ruajti figurën e tij. Dhe tufëza e vjershave që vjen nga analet e saj, paraqitet jo vetëm si një dëshmi, por tingëllon dhe si një këngë zëplotë, që poeti u përcillte brezave.
#