E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më pak njësi për grupet e rralla të gjakut

Mungesat e gjakut, punonjësit e shëndetësisë në Spitalin Ushtarak dhurojnë gjak për të aksidentuarit dhe pacientët

Në të gjitha vendet perëndimore dhurimi vullnetar i gjakut është një detyrim dhe një angazhim thuajse rutinë i qytetarëve. Kjo jo vetëm sepse tashmë dhurimi i gjakut në vendet e zhvilluara është një kulturë e njohur nga të gjitha moshat aktive, por edhe për shkaqe shëndetësore. Sipas mjekëve, dhurimi i gjakut ndihmon rigjenerimin e organizmit të njeriut, ndërkohë që ka efekte pozitive edhe për pastrimin e gjakut të personit që dhuron.

Nga viti në vit, Ministria e Shëndetësisë raporton rritje të numrit të dhuruesve vullnetarë të gjakut, e megjithatë numri vazhdon të jetë i ulur krahasuar me vendet e zhvilluara. Edhe pse data dje ishte 6 gusht dhe ndodhemi në zemër të pushimeve verore, përsëri fushatat sensibilizuese nuk kanë munguar nga ana e autoriteteve shëndetësore. Përfaqësues të Kryqit të Kuq, Ministrisë së Shëndetësisë kanë qenë dje në një seancë dhurimi vullnetar të gjakut, pranë qendrës së transfuzionit në Spitalin Ushtarak. Ekspertët e politikave të dhurimit kanë kërkuar që në këtë sezon problematik, si për shtimin e numrit të aksidenteve ashtu edhe në mungesë të operacioneve me planifikim, të ketë ndërgjegjësim më të madh nga popullata për dhurime drejt qendrave të transfuzionit. “Numri i dhurimeve gjatë periudhës së verës bie, dhe shkaku pse bëhet e vështirë vera është sepse dhe ka një rritje të numrit të aksidenteve. Ato aksidente që kanë qenë gjatë periudhës së korrikut, kanë arritur të përballohen. Vështirësi ka pasur në furnizimin me gjak të pacientëve me grupe të rralla. Për këtë arsye, mungesat në gjak ndihen më shumë gjatë gushtit dhe shtatorit”, sqaroi Irena Qendro, drejtoresha e qendrës së transfuzionit të gjakut. Qendra e dhurimit të gjakut, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq, kanë zhvilluar fushatë sensibilizuese në Spitalin Ushtarak, ku kanë dhuruar gjak punonjësit e këtij spitali.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›