E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bejtja: Rritet numri i Aksidenteve, për shkak të dehjes

Temperaturat e larta, mjekët këshillojnë: Kujdes me alkoolin, ushqimin, ruajtjen e produkteve të konsumit

Në një kohë kur temperaturat kanë arritur 40 gradë Celsius, helmimet, problemet me virozat dhe shqetësimet e pacientëve kronikë kanë mbërritur në majë. Por jo vetëm kaq, edhe numri i aksidenteve, për shkak të konsumit të tepruar të pijes alkoolike, është rritur në këtë stinë.

Ministria e Shëndetësisë u rekomandon qytetarëve të jenë të kujdesshëm ndaj disa rreziqeve që kërcënojnë shëndetin e tyre, për shkak të temperaturave të larta apo dhe ambienteve të ndotura në zonat ku ata zgjedhin për të pushuar. Drejtori i Shëndetit Publik në këtë ministri, Gazmend Bejtja, ka vlerësuar si tre rreziqet që cenojnë jetën e qytetarëve: konsumin e alkoolit, konsumin e ushqimeve të pasigurta, për sa i përket prodhimit dhe ruajtjen e tyre. “Në çdo rast, kur shtetasit vënë re që në ambientet ku shërbehet ushqim ka papastërti, duhet ta shmangin atë. Ushqimi duhet të ruhet në frigorifer, në temperaturën e duhur. Shtetasit të shmangin përdorimin e ushqimeve që nuk janë ruajtur si duhet”, ka deklaruar Bejtja. Sipas tij, moskonsumi i alkoolit do të thotë reduktim të aksidenteve në 20%, kur nga të dhënat e policisë rezulton se shkaku kryesor i aksidenteve muajt e fundit ka qenë përdorimi i pijeve alkoolike. Por, një rrezik tjetër që kanos shëndetin e qytetarëve është edhe ekspozimi në diell i pushuesve në orët më të papërshtatshme, një mani kjo kryesisht e femrave për të marrë ngjyrë. “është vënë re se ka ende ekspozim ndaj diellit për një kohë të gjatë. Rekomandohet që të shmanget ekspozimi nga ora 11.00 deri në 15.00. Rekomandohet gjithashtu që fëmijët të mos lejohen të flenë në çadra”, ka shtuar Bejtja.

Gjatë sezonit turistik është rritur ndjeshëm edhe numri i qytetarëve që paraqiten te mjeku, për shkak se neglizhojnë kujdesin si ndaj pijeve alkoolike ashtu edhe kujdesit ndaj ushqimit apo rrezeve të diellit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›