Ne 2013 skema te reja subvencioni

Vitin e ardhshëm do të aplikohet një skemë e re subvencionimi për fermerët dhe agropërpunimin. Lajmi bëhet me dije nga Zëvendës ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Ndoc Faslia e cili deklaron për mediat se skema e re e subvencionit ëhstë gati. Sipas zëvendës ministrit të bujqësisë brenda pak javëve pritet plotësimi me aktet nënligjore i ligjit për kooperimin, çka dhe i hap rrugë formimit dhe ngritjes së shoqërive të bashkëpunimit. Konkretizimi i kësaj skeme pritet të bëhet në muajt e parë të vitit që vjen, kur dhe do të nisin subvencionet për këto ferma. Hapi i dytë i rëndësishëm është ai që do të ndërmerret në fillim të vitit që vjen me skema të veçanta mbështetjeje për të forcuar procesin e kooperimit dhe bashkëpunimit te fermerët, përpunuesit dhe agropërpunuesit. Gjatë takimit kombëtar me fermerë nga i gjithë vendi Faslia ka sqaruar lehtësirat që do tu krijohen grupeve të interesit për bashkëpunim. Qëllimi kryesor është nxitja e iniciativave të bashkëpunimit dhe kooperimit në sektorin bujqësor i cili aktualisht karakterizohet nga ferma të vogla dhe ajo çka vihet re është që dhe nivelet e kreditimit janë të limituara. Për këtë arsye bashkëpunimi dhe bashkimi i fermerëve do të ishte një mundësi për të përballuar këto probleme, për të rritur prodhimin bujqësor, për të përmirësuar standardet në prodhim, për të siguruar tregje e për të qenë konkurrues”, ka thënë zëvendës ministri i Bujqësisë.