“Në 4 vitet që vijnë do të gjashtëfishojmë investimet në rrethin e Gramshit”
Kryeministri Berisha prezanton në Gramsh kandidatin për kryetar bashkie, Kastriot Zera
Kryeministri Sali Berisha prezantoi dje kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për kryetar të bashkisë së Gramshit, Kastriot Zera. Në fjalën e tij Berisha u shpreh se qeveria do të financojë çdo projekt të zotit Kastriot Zera dhe kryetarëve të komunave të këtij rrethi për të sjellë në Gramsh ndryshimin më të madh, zhvillimin më të fuqishëm në këtë qytet dhe rrethin e tij.
“Jam sot këtu për t’ju premtuar se në 4 vitet që vijnë investimet tona në qytetin dhe rrethin e Gramshit do të rriten me 6 herë”, u shpreh Kryeministri.
Duke u ndalur në investimet e bëra nga qeveria në këtë rreth, Berisha theksoi se “brenda dy viteve ju do të mbërrini në Tiranë për një kohë 50 minuta më të shkurtër dhe se Gramshi e Tirana do të kenë një distancë jo më të madhe se rreth 1 orë”.
Ai garantoi se “do të ndërtojmë rrugën e re buzë liqenit që lidh Gramshin – Drizën – Shtërmenin – Cërrikun dhe Paprin”.
Kreu i qeverisë deklaroi se “do të investohet për modernizimin dhe pajisjen me teknologji moderne të spitalit të qytetit, ndërtimin e rrjetit të brendshëm të ujësjellësit dhe kanalizimeve, do të rikonstruktohet pjesa tjetër e rrugës për në Maliq si dhe do të fillojë se shpejti ndërtimi i rrugës Drizë – Banjë – komunë e Poroçanit”.
“Alternativa jonë është alternativa e qytetarit dhe ne këtu bazojmë gjithçka. Bazojmë projektin e madh të Gramshit të zhvilluar, qytet dhe rreth i zhvilluar, Shqipërisë vend i zhvilluar brenda vitit 2017, Shqipëria dhe Gramshi në grupin e vendeve të zhvilluara”, nënvizoi Berisha.
Kryeministri deklaroi se kjo platformë është platformë mundi, djerse, përkushtimi, por edhe platforma e interesave tuaja më të mira, është platforma e problemeve tuaja më të mëdha, është platforma e vizionit tuaj më të shkëlqyer.
Kreu i mazhorancës bëri thirrje që “të shkojmë së bashku në këto zgjedhje me vetëdijen më të madhe se vota për Kastriot Zerën, për kandidatët e ‘Aleancës për Qytetarin’, është vota për integrimin e vendit tonë në Europë”.