E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në 47 fletët e para 38 pro kandidati të Aleanca për Qytetarin Basha

16/05/2011  Shkon në më shumë se 90 numri i fletëve të hedhura gabimisht

Socialistët tentojnë t’i shpallin të pavlefshme

Fletët e votimit për kryebashkiakun të gjetura në kutinë e kryetarit të minibashkisë gjatë numërimit, pra në kutinë e gabuar, deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme janë rreth 90 të tilla. Numrit të 47 fletëve të një dite më parë, i janë shtuar dhe 45 të tjera të gjetura. Burime nga KZA-të ku ëhtë evidentuar ky fenomen shprehen se vetëm në 47 fletët e para, janë evidentuar rreth 38 për lulzim Bashën. Nga grupet e numërimit dyshohet që ky numër mund të arrijë mbi 100 ndoshta shkon në 150 fletë votimi të hedhura në kutinë e gabuar, por të cilat janë të rregullta, si dhe janë në favor të kandidatit të “Aleancës për Qytetarin” për kryebashkiakun e Tiranës Lulzim Basha. Nga ana e tyre komisionerët demokratë kërkojnë që këto fletë votimi të gjetura që të shtunën të lexohen nga KQZ-ja, e cila do të jetë kjo e fundit që do të vendosë pikërisht për vlefshmërinë apo pavlefshmërinë e tyre. Por komisionerët e majtë nuk kanë rënë dakord, ashtu si dhe mbrëmjen e djeshme, duke kërkuar që fleta e hedhur gabimisht jo në kutinë e duhur duhet konsideruar si fletë votimi e pavlefshme, edhe pse votimi aty është tërësisht i vlefshëm. Madje, për këtë qëllim është bllokuar dje gjatë gjithë ditës njësia nr. 9, ku janë evidentuar rreth 9 fletë të tilla. Në njësinë nr. 8 janë gjetur 23 fletë të tilla, gjithashtu vota të hedhura aksidentalisht janë gjetur dhe në njësinë nr. 7 e kështu me radhë

Mbledhja në KQZ

Gjetja e fletëve të votimit në favor të Lulzim Bashës ka ngjallur debate mes komisionerëve të KZAZ-ve, të cilat janë transferuara edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në mbledhjen e pasdites së djeshme ishte përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste në KQZ Genc Gjonçaj që ngriti shqetësimin se “votat për kryebashkiakun të gjetura në kutinë e kryetarit të minibashkisë, pra në kutinë e gabuar, duhen të konsiderohen të pavlefshme dhe të mos rivlerësohen”. Por menjëherë ka ardhur reagimi i përfaqësuesit të Partisë Demokratike Njazi Kosovrasti, i cili theksoi se në lidhje me këto fletë duhet të kontestohen nga komisionerët e KZAZ-ve, në mënyrë që të jetë KQZ-ja ajo që më pas do të bëjë shqyrtimin e këtyre fletëve. “Vendimi për cilësimin të vlefshme apo jo të këtyre fletëve është një vendim që i përket vetëm KZAZ-së dhe askujt tjetër. Dhe për këtë kërkoj që gjërat të zhvillohen normalisht në zbatim të Kodit Zgjedhor”, - tha Kosovrasti. Gjithashtu ai i kërkoi më pas kolegut të tij socialist që të mos përcjellë panik te njerëzit pa pasur ndonjë situatë shqetësuese. Gjithashtu përfaqësuesi i PS-së i kërkoi KQZ-së që të marrë një vendim mbi KZAZ-në nr. 49 dhe kërkoi certifikimin e rezultatit të së shtunës, ku sipas PS-së fitues rezulton Edi Rama. Por Kosovrasti u shpreh se e ka të paqartë nxitimin e Partisë Socialiste për ta përmbyllur këtë poçes. “Është e pafalshme të thuash se rezultati është tashmë dhe duhet vetëm ta certifikoni. Ju kujtoj, zotëri, se procesi vazhdon dhe po bëhet shqyrtimi i të dhënave, ndaj gjërat duhet të bëhen normalisht dhe sipas radhës”, - tha Kosovrasti.

Kodi nuk përcakton pavlefshmëri

Në pikën 3 të nenin 117 të Kodit Zgjedhor për “llojet e votave dhe kriteret për vlerësimin e votës” theksohet se “vota të pavlefshme janë fletët e votimit kur fleta e votimit nuk ka të njëjtën madhësi, ngjyrë ose formë me fletën e votimit të miratuar nga KQZ-ja; në fletën e votimit janë bërë shënime apo shenja që bëjnë të pamundur vlerësimin e votës; në fletën e votimit janë bërë shënime në favor ose në disfavor të subjekteve të caktuara zgjedhore; është votuar për më shumë se një nga subjektet zgjedhore në fletën e votimit; nuk është votuar për asnjë nga subjektet zgjedhore në fletën e votimit; nuk është e qartë se për kë është votuar; ose kur zgjedhësi ka votuar për një person apo subjekt që nuk është në fletën e votimit”. Pra, në asnjë rast Kodi nuk përcakton vlefshmëri ose jo kur ngatërrohet hedhja e fletëve në kutitë e gabuara. Pra, kjo mbetet një vendim i mirëfilltë i KZAZ-ve që e hasin këtë rast.

Vlerësimi i votave

Kodi Zgjedhor në nenin 118 të tij mbi “vlerësimi i votave” thekson se vlerësimi i votave fillon menjëherë pas kryerjes së numërimit të fletëve të votimit. Numëruesi i parë i grupit të numërimit hap në mënyrë të plotë çdo fletë votimi, bën vlerësimin e saj me zë të lartë, duke vepruar sipas kësaj radhe: a) verifikon nëse fleta e votimit ka të njëjtën madhësi, formë dhe ngjyrë me fletën e votimit të miratuar nga KQZ-ja; në rast të kundërt e vlerëson votën të pavlefshme; b) verifikon nëse në fletën e votimit është vula e KQV-së dhe vula e kryetarit të KQV-së; në rast të kundërt e vlerëson votën të pavlefshme; c) verifikon nëse ekziston ndonjë nga shkaqet e tjera për deklarimin e votës së pavlefshme, të parashikuara në shkronjat “c” deri “ë” të nenit 117 të këtij Kodi; nëse ekziston një nga këto shkaqe, e vlerëson votën të pavlefshme. Pra, në asnjë rast nuk theksohet se vota në kutinë e gabuar shpallet e pavlefshme nga KZAZ-ja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›