E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ristani: Rezultati për Tiranën dy ditë pas mbledhjes së tabelave përmbledhëse

16/05/2011  Kreu i KQZ-së thekson se sot do të bëhet dorëzimi i tabelave nga KZAZ-të

Dy ditë pas përfundimit të mbledhjes së procesverbaleve dhe tabelave të rezultateve të KZAZ-ve të Tiranës KQZ-ja do të shpallë rezultatin zyrtar të fituesit të garës për kreun e bashkisë së kryeqytetit. Pas përfundimit të mbledhjes së paradites së djeshme, në një dalje publike për mediet kryetari i KQZ-së Arben Ristani, i pyetur se kur do kemi një rezultat final për Tiranën theksoi se të gjitha procedurat ligjore janë të parashikuara në nenin 123 të Kodit Zgjedhor. “Në bazë të këtij neni KQZ-ja merr tabelat e rezultateve në KZAZ-të e Tiranës. Më pas do t’i bëjë një verifikim të atyre për mënyrën se si është pasqyruar rezultati dhe brenda 48 orësh ato do të ketë një tabelë zyrtare përmbledhëse për rezultatin e Tiranës”, - u shpreh Ristani. Ndërsa në lidhje me mbledhjen e tabelave të KZAZ-ve, kreu i KQZ-së bëri me dije se “deri tani kanë ardhur më shumë se gjysma e tabelave, besoj se do të vijnë sot edhe të tjerat”. Gjithashtu Ristani u shpreh edhe në lidhje me gjetjen e fletëve të votimi të rregullta, por që janë hedhur në kutinë e gabuar nga votuesit më 8 maj. “Nuk mund të them çfarë do të bëhet në këtë rast. kompetente për këtë gjë është KZAZ-ja ku ka ndodhur fenomeni dhe më pas subjektet elektorale, në rast se do të ketë ankimim. 48- orëshi fillon kur vjen tabela e fundit. Rezultati përfundimtar është tjetër gjë, është pas mbarimit të procesit ankimor, tabela përmbledhëse e rezultateve është brenda 48 orëve pas ardhjes së tabelës së fundit”, -theksoi Ristani, i cili bëri me dije se procesi i dorëzimit të materialeve dhe tabelave përmbledhëse nga KZAZ-të pritet të përfundojë ditën e sotme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›