E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDIU+LSI, presion PD-së në Durrës: Kreun e Këshillit të Bashkisë, ose dolëm të pavarur

16/05/2011  Situata post-zgjedhore në qarkun e Durrësit, “lufta” e të vegjëlve me nga 4 vota secili

DURRËS- Humbja e mandatit për të katërtën herë të kryetarit të Këshillit të Bashkisë në Durrës ka sjellë jo pak telashe për PD-në. Ndërsa mazhornaca synon të marrë së paku kryetarin e Këshillit të Bashkisë në saj edhe të mandateve të plota që ka sot, partitë e vogla aleate të saj kanë hedhur në tryezë në rrugë ende jozyrtare skemën e re. PDIU e LSI kanë respektivisht nga 4 këshilltarë dhe vota e tyre është shumë e vlefshme nëse PD kërkon të mbajë mandatin e kryetarit të Këshillit të Bashkisë. Por këto subjekte në skemën e tyre pritet t’i parashtrojnë PD-së idenë që kjo e fundit të mbështesë kandidaturën e tyre, duke mos i lënë kështu bluve as këtë post të rëndësishëm. PDIU e LSI nuk kanë ndonjë “miqësi” mes tyre dhe kjo është dukur edhe gjatë numërimit të votave në KZAZ të zgjedhjeve të 8 majit, teksa palët janë acaruar disa herë mes tyre. Deri më tani aleati kryesor për PD ka qenë PR, por kjo ka marrë vetëm një votë duke mbetur në hije dhe pa ndonjë peshë nisur edhe nga fakti se vota saj nuk mund të shkojë politikisht në të majtë. Presioni partive aleate të PD nuk është shfaqur në sipërfaqe, por realisht po diskutohet gjithandej. Nga ana tjetër Partia Demokratike dhe ajo Socialiste kanë nisur garën në Durrës për të bindur palët aleate në mbështetjen e kandidatëve respektiv për të kryesuar këshillin e kësaj bashkie. Partia Demokratike së bashku me aleatët e saj PDIU, LSI e PR ka 24 këshilltarë përkundrejt 21 këshilltarëve të PS së bashku me PDS e PDK. Por demokratët i druhen një rrjedhje të votës ngase për kryetarin e Këshillit të Bashkisë do të votohet në mënyrë të fshehtë. PD do ta ketë të vështirë mbajtjen e shumicës për shkak të mosmarrëveshjes dhe xhelozisë mes LSI e PR apo LSI e PDIU. Kryetari i Bashkisë Vangjush Dako, i cili ka fituar me diferencë shumë të madhe të votave, është shprehur se ka shpresë të sigurojë këshill të qëndrueshëm. Deri më tani më e rriskuar nga formula e re e përbërjes së këshillit duket PD pasi aleatët e saj mund të mos qëndrojnë dot në të njëjtin skalion me të për shkaqe të ndryshme. Paraprakisht flitet për mundësinë e kalimit të disa këshilltarëve si të pavarur kryesisht të kampit të mazhorancës së sotme. Ky ndoshta do të jetë edhe hapi i parë për të pasur më pas në atë të bashkimit me të majtën socialistë. PS i duhen fare pak vota për të kryesuar këshillin. Vetëm dy këshilltarë të partive të vogla të “Aleancës për qytetarin” i mjaftojnë PS për ta mundur përfundimisht PD edhe në këshilli. PDIU si subjekt politik nuk ka ndonjë kriter të dukshëm apo motiv të fortë për të qenë fanatik në rreshtin me demokratët dhe kjo do i mjaftonte PS për të shpresuar. PDIU ka marrë 4917 vota shifër kjo mjaft e lartë nisur nga fakti se ky formacion politik e pati testimin e parë në zgjedhje lokale dhe vinte pa struktura të ngritura. Sipas analizave rezulton se një pjesë e mirë e anëtarësisë së këtij subjekti që deri më parë kanë votuar për PD të kenë kaluar në anën e subjektit të ri, ndërsa dyshohet se për kandidat për kryetar bashkie kanë votuar në shumicë Dakon. Kryetari i bashkisë ka shpresa pikërisht tek ky grup fillimisht për t’i veçuar së paku një a dy këshilltarë si të pavarur dhe më pas për t’i pasur në anën e tij. E njëjta skemë ka të ngjarë të funksionojë edhe me LSI, elektorati i së cilës është i majtë. PS e PD do të garojnë mes tyre për të marrë kryetarin e Këshillit të Bashkisë, ndërsa subjektet e tjera mund të jenë mbështetëse. Edhe Këshilli i Qarkut të Durrësit duket se do të ketë konfigurim të ri pas ndryshimit të raporteve në një pjesë të mirë të njësive vendore. Xh.Gradica

Listat

Subjektet e mëdha politike PD e PS kanë ndryshuar në mënyrë të ndjeshme listën e këshilltarëve. PD do të ketë 9 këshilltarë të rinj, kurse PS 11 të tjerë. Partia Socialistë ka rehabilituar ish-deputetin Bardhyl Agasin e me pas kryetarët e socialistëve Gentian Bejko, Alfred Mullaraj e Edison Konomi. Ndër emrat e rinj në këshillin e parë të pas 8 majit janë përshirë për herë të parë Redi Demiri, mjeku Gazmend Kabashi, Ilia Muloshi, Fatmir Shahini, Eduart Ruci e Astrit Duci. Në grupin e ri të këshilltarëve të PD për herë të parë Ledia Kovaçi, Nevila Kalaja, Neritan Golja, Indrit Hamiti, Anila Velja, Sabri Xhakeri dhe ish-deputeti Pëllumb Berisha. Ka rënë në sy fakti se demokratët do të kenë katër zëra femërore përkundrejt 3 të socialistëve në këtë këshill konstituimi i të cilit pritet të bëhet në pak javë. Partia Demokratike nuk do të ketë më në këshill deputetin Igli Cara, ish-kryetarin e PD në vitet e vështira 1997 Edmir Kapedani, Arqile Gorea, Sabah Jemishta, Rezart Kthupi, Andi Lila, Ismail Dervishi e Frederik Tufa. Edhe PS nuk do të ketë më deputetin Gazmir Bizhga dhe emrat Astrit Kote, Alfred Dhuli, Eduart Prenga, Sërvet Kasa etj. Palët nuk kanë dhënë arsye lidhur me rifreskimet e thella që ka përmbysur në masën 60 për qind listën e mëparshme.

Qarku

Ndryshime pritet të pësojë shumë shpejtë edhe përbërja e këshillit të qarkut të Durrësit. Partia Demokratike ka lëshuar në zgjedhjet e 8 majit disa bashki e komuna duke “gremisur” raportin e deritanishëm. Komuna e Ishmit, Maminasit dhe bashkia e Fushë-Krujës nuk do të kenë më kryetar të njësive vendore të mandatuar nga PD pasi në këto njësi kanë fituar socialistë. Këta të fundit kanë marrë gjysmën e bashkive e komunave në qark dhe konkretisht Bashkinë e Durrësit, Shijakut e Fushë Krujës, si dhe komunat Ishëm, Maminas, Thumanë e Nikël. Këtë herë PS në qarkun e Durrësit do të ketë edhe një aleat të ri atë të PDNJ, e cila me anë të kandidatit Avdyl Demijeli ka fituar mandatin e komunës së Bubqit. PD ka vetëm Bashkinë e Sukthit, Manzës e Krujës, si dhe komunat Katundi i Ri e Xhafzotaj. Por kjo ka aleatë së paku deri më tani LSI-në e cila ka fituar mandatin e kryetarit të komunës në Gjepalaj, Rrashbull e Cudhi. Nëse këta të fundit do të mbeten të pakënaqur në Këshillin Bashkiak politikisht mund të ndryshojnë kahjen e votimit në këshillin e qarkut do të konstituohet pas bashkive e komunave. PS ka nisur të punojë me krahëmarrje për të siguruar sa më shumë gjeografi e mandate qeverisëse, e cila do i krijojë shtrat të sigurt në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013.

Partia Socialiste

1. Bardhyl Agasi

2. Gentian Bejko

3. Alfred Mullaraj

4. Jolanda Labi

5. Edison Konomi

6. Gëzim Agasi

7. Roland Xhelili

8. Redi Demiri

9. Natasha Paço

10. Gazmend Kabashi

11. Ilia Muloshi

12. Fatmir Shahini

13. Veziko Kerraj

14. Fatmir Gjergji

15. Sotir Ngresi

16. Eduart Ruci

17. Tomorr Agalliu

18. Ledion Lako

19. Astrit Duci

Partia Demokratike

1. Zamir Ramadani

2. Seid Kertusha

3. Eglantina Begteshi

4. Armand Teliti

5. Klodian Pajuni

6. Ledia Kovaçi

7. Sokol Kapedani

8. Eduart Ndreu

9. Nevila Kalaja

10. Neritan Golja

11. Indrit Hamiti

12. Anila Velja

13. Ilija Ilija

14. Sabri Xhakerri

15. Pëllumb Berisha

PDIU

1.Fatmir Voloti

2.Sokol Kazazi

3.Krenar Lasko

4.Ilir Tahiri

LSI

1.Flutura Kona

2.Flamur Gjuzi

3.Hajri Nuhu

4.Vasip Habili

PDK

1. Skënder Koni

PR

1.Dilaver Tepelena

PDS

1.Ilia Milloshi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›