E Shtunë, 31 Tetor 2026

Udhëtarët në kufi nuk janë kontrolluar

Autori i Lajmit: red.
Organizata Botërore e Shëndetësisë i kërkoi Shqipërisë të merrte masa për t u mbrojtur nga gripi i derrave. Mëngjesin e djeshëm rezultoi se në doganat më të mëdha të vendit asnjë udhëtar që ka hyrë në Shqipëri nuk është verifikuar sipas këtij plani masash. Nga verifikimi në disa nga doganat me fluksin më të madh në vend, rezulton se asnjë plan masash nuk u është dërguar në terren specialistëve. Kështu, në pikat e kalimit kufitar të Kapshticës, Kakavijës, porti i Vlorës, Porti i Durrësit, Dogana e Morinës dhe në Qafë-Thanë asnjë nga udhëtarët nuk është verifikuar siç u urdhërua një ditë më parë. Ndërsa kërkohej që pranë çdo pike të kishte sanitarë dhe policia të verifikonte nëse udhëtarët vinin nga vendet e prekura, asnjë veprim i tillë nuk është bërë. Pranë doganave thuhet se masat e kontrollit do të nisnin gjatë ditës, por me mijëra udhëtarë që zbritën mëngjesin e sotëm në portin e Durrësit dhe të Vlorës nuk janë kontrolluar.
Ky lajm është publikuar: 30/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›