E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli i Vlorës liron Kuqon e Beratit

Autori i Lajmit: Romir Saraçi
I akuzuari për vrasje në bashkëpunim dhe shfrytëzim prostitucioni nga drejtësia italiane është lënë për herë të dytë i lirë për shkak të çregullimeve mendore që ka i dënuari. Gjykata e Vlorës ka marrë vendimin për të liruar nga burgu Aleksandër Kuqon, i cili ishte dënuar me burg përjetë nga një gjykatë në Milano, dhe me 21 vjet nga Gjykata e Fierit. Kuqo, i njohur ndryshe si “i forti” i Beratit, i dënuar për vrasje dhe trafik prostitucioni, u lirua dje pas dokumentit që avokati i tij dorëzoi, në të cilin Kuqo përcaktohej si i sëmurë mendor. Vendimi është marrë dje, gjatë seancës së zhvilluar në Gjykatën e Apelit të Vlorës, e cila ka ndryshuar masën e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Fier, kur kjo e fundit, në vitin 2001, i kishtë dhënë atij 21 vjet burg dhe kishte vendosur që Kuqo të qëndronte në spitalin e burgut në Tiranë. Prokurori i Apelit, Aleksander Goga, që ndiqte këtë çështje, nuk ka pranuar, duke kërkuar rekurs të vendimit.
Vendimi
Gjykata e Apelit ka vendosur që Aleksandër Kuqo të marrë mjekim në një spital civil, duke marrë si të mirëqenë kërkesën e avokatit të tij që mjekimi nën izolim nuk është i favorshëm për shëndetin e tij. Pas përfundimit të shqyrtimit të kësaj çështjeje gjatë gjykimit të së ciles nga gjykata u verifikua kryesisht edhe vendimi Nr. 13 datë 22.01.2003, nga kjo gjykatë me vendimin penal Nr. 403 datë 29.07.2008 është vendosur rrëzimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për lënien në fuqi të masës së mjekimit të detyruar në një institucion psikiatrik të vendosur ndaj shtetasit Aleksandër Kuqo me vendimin Nr. 13 datë 23.01.2003 të Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, refuzimi i kërkesës së prokurorit për caktimin e institucionit psikiatrik konkret për zbatimin e masës së mjekimit të detyruar të caktuar ndaj shtetasit Aleksandër Kuqo me vendimin e sipërpërmendur. Në marrjen e këtij vendimi, së pari për sa i përket ndryshimit të kushteve mbi të cilat është caktuar mjekimi i detyruar, gjykata i është referuar midis të tjerave edhe aktit të ekspertimit psikiatriko-ligjor të mjekëve: Dr. Afrim Dangëllia, prof. asc. dr. Vuksan Kola, dhe ekspertit Sokol Preci të Institutit të Mjekësisë Ligjore pranë Ministrisë së Drejtësisë. Në këtë akt ekspertët konkluduan se i pandehuri vuan nga çregullime mendore.
Dënimet
Ndërkohë, Aleksandër Kuqo u arrestua në Shqipëri në vitin 2001 për llogari të drejtësisë italiane, ndërsa që atëherë ka pasur tentativa nga mbrojtja që kërkonte apelim të vendimit duke paraqitur raporte mjekësore, ku Kuqo nuk paraqitej mirë nga gjendja mendore. Nga ana tjetër, mbi Aleksandër Kuqon rëndojnë dhjetëra akuza nga drejtësia italiane, e cila në vitin 1999 vendosi ta dënojë atë me burgim të përjetshëm. Nga Gjykata Penale e Milanos në Itali rëndojnë mbi Aleksander Kuqon një sërë akuzash, si vrasje me paramendim në bashkëpunim, mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe trafikim i femrave për prostitucion, në bashkëpunim. Pas arrestimit dhe vendimit të Gjykatës së Fierit, i dënuari u dërgua në Spitalin Psikiatrik Rajonal të Vlorës, për mjekim të detyruar. Lirimi i tij u quajt një skandal i drejtësisë shqiptare, pasi Gjykata e Fierit në atë kohë e konvertoi vendimin e Gjykates së Milanos për burgim të përjetshëm në 21 vjet burg. Ndërkohë, gjatë kësaj kohe Aleksandër Kuqo rezulton të jetë marrë me biznes privat ku posedon një fabrike vere si dhe disa dyqane e objekte të tjera në qytetin e Beratit.

Kërkesa e Aleksandër Kuqos

KERKUES: Aleksander Kuqo, i biri i Todit dhe i Leonorës, i datëlindjes 1964, lindur në Berat dhe banues në Fier, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, me arsim 8 klasë, me masë mjekimi të detyruar, i mbrojtur nga avokati Roland Mici, i zgjedhur nga familjarët e shtetasit Aleksandër Kuqo, me prokurën e posaçme me Nr 2688 Rep e Nr 633 kol, dt 23.05.2006, (në mungesë në shpalljen e vendimit).
OBJEKTI: Kundërshtim i urdhrit të ekzekutimit të datës 30.07.2008 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier. Vendim i cili është lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Shkallës së Parë Fier.

Ky lajm është publikuar: 30/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›