E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fischer: Për Zogun ka dokumente të fshehura në arkivat e Beogradit

Nuk mund të mungonte në 80-vjetorin e Monarkisë së Shqipërisë. Ftesa e bërë që muaj më parë, do të sillte në Shqipëri, për simpoziumin shkencor ndërkombë-tar, nga Kalifornia Profesor, Doktor Bernd Fischer. 

anila mema

E njeh mirë historinë e vendin tonë dhe veçanërisht atë të monarkisë, për të cilën ka shkruar edhe një libër voluminoz, kohë më parë me titull “Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitetin në Shqipëri”. Dje në Tiranë, profesor Fischer, kumtoi tezën e tij “Kontributet zogiste në zhvillimin e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve”. Ndërkohë në një bisedë me median ai shprehet se, historia e monarkisë dhe ajo shqiptare duhet të rishikohet. Për këtë bazohet edhe në arkivat e Beogradit, e cila sipas tij, është një nga arkivat më të mëdha, që ka më shumë sesa Shqipëria, materiale të panjohura për Mbretin Zog. Po ç’mendon ai për këto 80 vite monarki në Shqipëri, cilat janë sipas tij periudhat e arta, cilat ishin arsyet që në 1939 Shqipëria iu “la” Italisë, rishkrimi i historisë shqiptare dhe projektet e reja për të.
Sot ndodheni në 80-vjetorin e Monarkisë Shqiptare dhe lidhjet tuaja me Shqipërinë dhe historinë e saj janë të hershme. Ç’ju tërheq nga ky vend dhe ç’ju bën ta doni kaq fort?
Të them të drejtën, në përgjithësi në Amerikë ka kaq shumë njerëz që merren me studime. Unë personalisht kam studiuar dhe jam tashmë studiues në Universitetin e Kalifornisë. Sigurisht jam i interesuar për historinë, por dua të njoh historinë e Shqipërisë dhe kryesisht vitet e errëta të saj, ato ’70. Në përgjithësi unë merrem me studimin e mbretërive, por historia shqiptare më tërhoqi dhe e zgjodha këtë histori për ta ndjekur më tej dhe më pas për të shkruar një libër rreth tij, të cilin e përfundova disa vite më parë. Mendoj se kjo histori është interesante dhe ekzotike, madje totalisht e panjohur. Sigurisht unë e di si kanë qenë vitet ’70 në Shtetet e Bashkuara, por kjo këtu mu duk një temë ideale për t’u ndjekur.
Ju si një studiues që e njihni mirë historinë e vendit tonë, sot pas 80 vitesh si e shihni Monarkinë Shqiptare dhe cilën nga periudhat do të veçonit?
Monarkia ka pasur gjërat pozitive dhe negative të saj. Megjithatë, ajo që unë mendoj është se pozitivja ka mbizotëruar më shumë këtu. Do të veçoja periudhën që nga 1920 deri në fund të viteve ’30, pasi për mua ishin vitet më produktive, si në fushën ekonomike dhe atë sociale. Në kohën e oborrit mbretëror, mbizotëronte dhe periudha më e madhe e unitetit në vend. Kur Zogu erdhi në fuqi në vitet ’20 ai gjeti kryesisht një anarki dhe nuk kishte një sistem ekzistues politik. Padyshim ai solli organizimin, solli krijimin e një sistemi dhe i vuri gjërat disi me këmbë në tokë, gjë për të cilën kishte më shumë nevojë Shqipëria asokohe. Mendoj se demokracia as nuk mund të ishte e diskutueshme apo e nevojshme në vitet ’20. Por ajo që duhej ishte krijimi i një sensi uniteti nacional. Dhe kjo ka luajtur një rol të rëndësishëm, madje shumë të rëndësishëm.
Megjithatë, në 1939 Ahmet Zogu ia la Shqipërinë Italisë...
Mendoj se ai nuk kishte shumë zgjidhje, duke qenë se u pushtua nga Italia. Por nga ana tjetër mendoj, se për shqiptarët duhet të kishin ndërtuar një formë rezistence. Eshtë shumë e vështirë të përcaktosh se në çfarë situate ndodhej ai. Gruaja e tij në atë kohë sapo kishte lindur, ndërsa ai ishte i shqetësuar për familjen e tij. Megjithatë siç edhe thashë më parë, Zogu duhet të kishte ndërtuar pak më shumë rezistencë dhe se imazhi i tij në Shqipëri do të kishte mbetur më pozitiv.
Ka mëse dy vjet që debatohet për rishkrimin ose jo të historisë së Shqipërisë, ju ç’qëndrim do të mbanit për këtë aspekt?
Absolutisht jam dakord. Historia e Shqipërisë, nuk është vetëm historia e Shqipërisë, por është pjesë e historisë së të gjithëve. Kur dikush shkruan një libër, një kapitull përmban një periudhë të përcaktuar kohe. Por gjithashtu reflektojnë periudhën e tyre dhe gjithkush vendos një pjesë të vetën në shkrimin e një historie. Por unë nuk mendoj se dikush do të ulet dhe do të mund të shkruajë një histori perfekte apo biografinë perfekte të Shqipërisë. Padyshim ne si historianë shpresojmë që të japim një kontribut dhe për më tepër, të tjerët ta shikojnë si të vlefshëm kontributin tonë dhe të krijojmë një histori të mirë, për të ndërtuar një pamje të qartë të gjërave. Por absolutisht mendoj se çdo gjë duhet të rishkruhet, çdo gjë duhet të riciklohet, kjo bën pjesë në procesin e punës së çdo historiani dhe të ndërtimit të historisë, është një koncept shumë i gjallë që tregon vazhdimësinë.
Po a ka fakte të reja për të rishkruar historinë e mbretërisë shqiptare?
Gjithmonë ka fakte të reja. Edhe tani që janë lidhur mjaft marrëdhëniet me Perëndimin, nëse shkon në arkivat e Londrës apo të Uashingtonit dhe të kërkosh mbi shkrimet e historisë vite më parë gjen material të bollshëm, që sjell fakte të reja. Ka gjithmonë materiale për të folur dhe për të shkruar. Po të marr si shembull një studiues që ka folur për Shqipërinë është Dan Perez, i cili ka kaluar gjashtë muajt e fundit dhe pjesën më të madhe të kohës në Beograd, tanimë ka zbuluar dosje të tëra materialesh që kanë lidhje me Zogun. Madje, më ka sugjeruar se koleksioni i tij atje është më i madh sesa koleksioni i arkivit këtu. Ndaj mendoj se deri tani njerëzit, që janë marrë me Zogun nuk e kanë kërkuar këtë dhe prandaj them se, ka gjithnjë material të ri dhe se historia është një proces në vazhdimësi. Arkivat në Beograd mendoj se kanë një pikë shumë e rëndësishme, fillimi për të gjithë individët për të cilët rishkruhet historia.                       
Përsa i përket pjesës së komunizmit, a ka ndikuar ajo në  dëmtimin ose jo të historisë sonë?
Unë mendoj se jeta sociale, është ajo që shërben për të treguar një kënd vështrimi. Ndërkohë nga ana tjetër historia i shërben politikës dhe kjo është diçka nga e cila ne duhet të largohemi sa më shumë që të jetë e mundur. Historia duhet të distancohet dhe të jetë e pavarur nga procesi politik, në të kundërt, ajo nuk është objektive dhe nuk i shërben as qëllimit të vetë historisë dhe as interesave të vendit. Ndaj patjetër politika duhet të pastrohet sa më shumë të jetë e mundur nga historia dhe shkrimi i saj.
Kjo ishte një nga arsyet që ju bëri të shkruani edhe librin...
Siç e përmenda unë jam një profesor historie, Universiteti i Kalifornisë propozoi një temë dhe unë nisa kërkimet. Ka qenë një temë mjaft interesante dhe unë jam i kënaqur që jam marrë gjatë kësaj kohe me historinë shqiptare.
A keni ndonjë projekt të ri tashmë?
Po kam një projekt që po vazhdoj dhe jam në procesin e shkrimit të disa gjërave. Kam marrë materiale të ndryshme të historisë së përgjithshme të Ballkanit. Por disa janë nga Shqipëria, disa nga vendet e ish-Jugosllavisë dhe unë po i mbledh të gjitha bashkë për të gjetur një kuptim të përgjithshëm nëpër një vijë të mesme, gjë që shpresoj që historianët ta bëjnë edhe këtu.

Në ditëlindjen e 50 të Dr. Kekos

Edhe dje nuk do ta braktiste askush. Familja jo se jo, miqtë padyshim, por as edhe lexuesit e rregullt të veprës së tij. Kishte dhe nga ata që për hir të së vërtetës ndodheshin si spontanisht në atë sallë ku dje në mbrëmje, në ambientet e bar “Piaca”, u fol për të, u kumtua, u këndua dhe u pi nga një gotë verë. Si çdo fillim shtatori, miqtë e publicistit dhe shkrimtarit të njohur Teodor Keko, i ndarë nga jeta gjashtë vjet më parë do ta kujtonin dje për 50-vjetorin e tij, por jo vetëm. Dhurata e familjes kësaj here ishte “Amaneti”. Një vepër e re, me tregime të panjohura, gjithsej 12, të cilat i shkroi vitet e fundit të jetës.
"Amaneti", është një vepër që përmbledh një tufë tregimesh, e kuruar me mjaft kujdes nga e shoqja, Xhuli, në bashkëpunim me një grup miqsh. Janë tregime të vyera, të shkruar gjatë periudhës 2001-2002. Të gjitha shoqërohen me datat përkatëse. "Ka punuar gjithmonë, madje edhe në spital, kohët e fundit deri nga janari i vitit 2002", tregon Xhuli, bashkëshortja mbi botimin më të ri të Dor Kekos. E kujton çdo çast tek shkruante, pothuaj deri ditët e mesit të gushtit, teksa bënte shpjegimet përkatëse anash faqeve të tregimeve. "Ndonjëherë sinopset ishin më shumë sesa vetë tregimet, nganjëherë faqja ishte e mbushur me shënime", thotë ajo. Por e ka të vështirë të rrëfejë. E ka të vështirë të flasë për letërsinë e tij, për vlerat e shkrimeve, se me to është rritur, është dashuruar... "Unë e dija, se edhe pak kohë i kishte mbetur dhe dëshira ime ishte të më tregonte se cilat nga këto tregime kishte më të dashura. E stimuloja jo më shumë për të shkruar sesa për të treguar për ato që i pëlqenin. I thosha m'i shëno me një kryq në cep të faqes, por nuk m'i bëri asnjëherë", shprehet ajo.
Ashtu si dhe në përmbledhjet e mëparshme me tregime, edhe në këtë të fundit, autori na sjell Shqipërinë në prag të ndryshimeve të mëdha e të viteve të tranzicionit. Me një gjuhë dhe stil krejt të veçantë, Teodor Keko bën që personazhet e tij të zbulojnë para nesh Shqipërinë e vërtetë. Në faqet e librit lëvizin pushtetarë të korruptuar, prostituta që mendojnë më shumë se zyrtarët për të mirën e këtij vendi, nëpunës të ndershëm, por të papunë për shkak të reformave politike, njerëz të mirë që janë të detyruar të bashkëjetojnë me njerëz të këqij… Dymbëdhjetë tregimet e fundit të shkrimtarit Teodor Keko vijnë për lexuesin sipas amanetit të lënë nga vetë autori, të redaktuara nga publicisti Andi Bejtja, i cili ka shkruar dhe pasthënien e librit, që më shumë se pasthënie, është një esse në kujtim të mikut të tij dhe shkrimtarit të dashur për të gjithë. Vepra me kopertinë të hirtë, punuar me mjaft kujdes nga piktori Vladimir Myrtezai dhe botuar nga shtëpia botuese “Toena”, që dje ndodhet në libraritë e Tiranës. Është një vepër me 181 faqe dhe kushton 600 lekë.

Historianët, një mendje: Të rishikohet historia e Zogut

A duhet të rishkruhet historia e Ahmet Zogut dhe historia në tërësi?!

Kjo është një nga pyetjet, përgjigjen e së cilës dje më shumë se kurrë e gjeje në çdo kumtesë të historianëve dhe studiuesve të njohur shqiptarë dhe të huaj, të cilët ishin mbledhur në ambientet e hotel “Sheraton” për 80-vjetorin e Monarkisë Shqiptare. I pari që e mori fjalën ishte ministri i Kulturës, Ylli Pango, i cili nuk mund ta konsideronte tjetër veçse një monarki në terr, periudhën e mbretërisë. “Periudha e Mbretërisë Shqiptare, e cila mban vulën e personalitetit politik dhe shtetarit të njohur shqiptar, Ahmet Zogut, shënon moment të rëndësishëm në stabilitetin e shtetit shqiptar. Sistemi politik, marrëdhëniet ndërkombëtare të shtetit shqiptar gjatë kësaj periudhe, zhvillimi i ekonomisë, arsimit, kulturës, reformat e ndryshme që u realizuan në periudhën e monarkisë dhe rezultatet e tyre janë një objekt i rëndësishëm studim. Ndaj dhe kjo konferencë do të sjellë kontribute të vlefshme për ndriçimin e historisë së kësaj periudhe, duke bërë një hap të ri në rishkrimin e historisë sonë kombëtare, në mënyrë objektive e korrekte”, u shpreh Pango. Sipas tij, mbështetja e dhënë nga MTKRS për këtë konferencë është bërë, pasi kështu i shërbehet më mirë njohjes, kultivimit dhe ndriçimit të trashëgimisë sonë historike, dhe pikërisht trashëgimia apo arritja më e çmuar e një kombi, është shteti shqiptar. Ndërkohë pjesë e këtij simpoziumi ka qenë edhe    Princi Leka II. “Familja Mbretërore Shqiptare e konsideron veten kontribuuese në shërbim të një kombi, i cili i ka dhënë mbarë njerëzimit, figura që i nderon bota e qytetëruar e Perëndimit, që nga Skënderbeu, deri tek Nënë Tereza”, tha Princi Leka në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare, me temë “Monarkia Shqiptare 1928-1939”. Sipas Beqar Metës, drejtor i Institutit të Historisë, i cili mbajti kumtesën “Politika e shtetit shqiptar ndaj minoriteve gjatë periudhës së Ahmet Zogut, theksoi se defektet në historinë aktuale qëndrojnë në dy etapa të ndryshme: e para që një pjesë e mirë e studiuesve nuk kanë shkruar në arkiva të shohin fakte duke pretenduar se i kanë marrë dikur në kohën e komunizmit, përzgjedhja e asaj kohe bëhej në mënyrë tendencioze dhe sigurisht kanë mbetur tek ai bagazh faktik. Tjetra është metodat e analizës që nuk janë të balancuara, por që e shohin historinë me këndvështrimin e vjetër, jo bardhë e zi, por si një gjë të zezë që nuk solli progres në jetën ekonomike, politike e shoqërore dhe harrojnë thelbin që ky konsolidoi shtetin shqiptar për herë të parë. Nga pikëpamja metodike nuk është anashkaluar teksti që paraqet gjendjen ekonomike të asaj periudhe si një gjendje totalisht të zezë dhe ja faturon të gjithën regjimit, por harron të bëj krahasime me dhjetëvjetëshin e mëparshëm apo të mëvonshëm. Dhe duke pasur këtë këndvështrim, nuk është ndryshuar as struktura e vjetër, shikoni historinë e 2007, është e barabartë me atë të 1984 dhe mbi të gjitha këto kanë qenë edhe kritika në një recension 24 faqësh”, shton ai. E ndërkaq, teza të tjera për rishikimin e historisë së monarkisë ka qenë edhe ajo e Teodor Karecos, për reformat agrare dhe demokratike të një monarku. Ndërkohë kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila ishte e pranishme në ekspozitën e çelur në ambientet e Muzeut kombëtar, u shpreh se, “Historia e Mbretërisë së Shqipërisë vlen për t’u studiuar në të gjithë gjerësinë e saj, për të gjithë bazën legale mbi të cilën u ngrit shteti shqiptar, përmes vizionit modern të Mbretit Zog. Është ndoshta historia e parë e gjithë historisë së shtetit shqiptar që vlen për t’u studiuar në të gjithë gjerësinë e saj, qoftë nga pikëpamja që unë e shoh si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë: për ligjet që janë bërë, për Kushtetutën, kodet, qarkoret”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit. Por në konferencën e mbajtur që nga ora 10:00 deri në orën 18:00 kanë kumtuar rreth 20 profesorë, historianë e studiues, vendas dhe të huaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›