E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hakmarrja, vritet vëllai i Klodian Saliut

Ekzekutohet i treti djalë i familjes Saliu. Hasmëritë e “Bandës së Durrësit” janë rikthyer sërish me gjakderdhje, për të marrë hak mbi vëllanë e mbetur gjallë të rivalit të Lul Berishës, Klodian Saliu. 

Arian Saliu 37 vjeç, ka rënë pre e një breshërie automatike, e dalë nga një armë e tipit “Scorpion” në kryqëzimin e rrugës “Mujo Ulqinaku”. I plagosur nga atentati ka mbetur edhe Denis Hoxha 35 vjeç, një mik i viktimës. Shtetasi 37-vjeçar nga Spitalla Arian Saliu , i martuar me dy fëmijë ishte vëllai i Çim dhe Klod Saliut, të cilët kanë humbur jetën në atentate mafioze, i madhi në verën e shkuar, ndërsa vëllai i vogël 3 vjet më parë.
Ngjarja e rëndë që tronditi Durrësin ka ndodhur në orën 18:10, në një rrugë të rrahur shpesh nga kalimtarë të ndryshëm. Arian Saliu së bashku me Denis Hoxhën po udhëtonin së bashku në një autoveturë të tipit “Wolksëagen 5”. Në momentin kur automjeti ndodhej në udhëkryq, shoferit i është duhur të ulë marshet e makinës, pasi në atë segment ka trafik të shpeshtë. Pa arritur të marrë ende kthesën, golfi me targë italiane DE 566 BE është bërë shënjestër e armës automatike “Scorpion”. Një çiklomotor i lehtë i tipit “Scooter”, pa targa është afruar ngjitur me golfin. Njëri prej personave që ndodhej në motor ka hapur menjëherë zjarr ndaj Arian Saliut, i cili ishte ulur në postin e pasagjerit. Atentatorët kanë arritur të zbrazin të gjithë krehrin e armës automatike me kalibër të vogël dhe të zhduken në kryqëzim pa lënë gjurmë. Motori ka arritur të çajë me lehtësi mes autoveturave të tjera. Mbi “Scooter” ndodheshin dy persona, të pajisur me kokore, çka vështirëson së tepërmi identifikimin e atentatorëve.
Sipas policisë, mekanizmi i vrasjes së Arian Saliut është i njëjtë me atentatin që i mori jetën vëllait të tij të madh, Ndriçim Saliut, më 23 korrik të vitit 2007. Policia nuk ka dyshime se shënjestër e vetme e atentatit ishte Arian Saliu. Sipas bluve, Denis Hoxha ka mbetur i plagosur aksidentalisht. Saliu u godit me katër plumba në trup, por dhe pse ka mbërritur i gjallë në Urgjencën e Spitalit të Durrësit, mjekët nuk kanë arritur t’i shpëtonin jetën pasi ai kishte humbur shumë gjak. Në spital Saliu është transportuar nga shoku i tij Denis Hoxha, i cili megjithëse kishte marrë një plumb në shpatull arriti të drejtojë me shpejtësi autoveturën “Golf 5” drejt Spitalit Rajonal. Sipas mjekëve, gjendja e shoferit Hoxha është jashtë rrezikut për jetën.
Vetëm dy minuta pas ngjarjes në udhëkryqin e lagjes “Mujo Ulqinaku” ka mbërritur me të shpejtë policia. Në vendngjarje janë gjetur 20 gëzhoja kalibër 7.35 mm, të cilat i përkisnin armës së atentatorëve. Për fat të mirë asnjë prej kalimtarëve të rastit nuk është goditur nga breshëria e plumbave. Gëzhojat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Sipas policisë lokale, prita ka qenë e organizuar mirë, në një vend ku makinave u duhet të ndalen për të marrë kthesën e udhëkryqit. Në polici janë shoqëruar mbi 40 persona, gjysma e të cilëve kanë qenë dëshmitarë okularë, ndërsa pjesa tjetër persona të njohur të Spitallës. Në mënyrë urgjente janë marrë në pyetje edhe familjarë të viktimës. Atentati i tipit mafioz ka ngritur menjëherë në këmbë të gjitha strukturat e policisë së Durrësit. Postblloqe të shumta janë vënë kudo, duke rrethuar me shirita të gjithë zonën nga Pallati i Sportit e deri tek Stadiumi. Sipas policisë së Durrësit, Arian Saliu është person me precedentë penalë, por për herë të parë dhe të fundit ai është burgosur në vitin e largët 1988 kur ishte vetëm 17 vjeç. Bëhej fjalë për një krim ordiner, i cili i kushtoi Saliut pak muaj burg. Me ardhjen e demokracisë ai nuk ka regjistruar kurrë ndonjë precedent penal, ndonëse është vënë disa herë nën hetim për lidhjet që vëllai i tij Klodian mbante me “Bandën e Durrësit”. Ndërsa personi i plagosur Denis Hoxha nuk rezulton me precedentë penalë.    p.r

Seriali i vrasjeve, pasi banda u nda për monopolin e drogës

Dy miqtë e “përbetuar” Lulëzim Berisha (ndodhet në burg) dhe Klodian Saliu (i vrarë) nisën konfliktet dhe formuan dy organizata kriminale, rivale me njëra-tjetrën në vitin 1998. Rivaliteti u bë aq i ashpër, sa në Durrës e Tiranë u kryen një sërë ekzekutimesh mafioze. Shkak për zinxhirin e vrasjeve ishte përpjekja e rrymave brenda bandës për të kontrolluar linjat monopol të trafikut të drogës, derisa banda u nda më dysh. Në dosjet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda është shënuar viti 1994, kur u vu re bashkëpunimi i Lul Berishës e Klodian Saliut. Banda, është hetuar nga pala italiane dhe më pas edhe ajo shqiptare, si një organizatë kriminale me akuzat e trafikut ndërkombëtar të drogës, prostitucionit dhe trafikut të armëve. Filli i vrasjeve mafioze në Durrës e Tiranë nisi në vitin ‘98. Më 17 tetor 1998, Lul Berisha në bashkëpunim me Plaurent Dervishajn dhe Dritan Colin si dhe Klodian Saliun e Ilir Xhungën (të vrarë) ekzekutuan në Durrës Dritan Sallakun. Në këtë ngjarje mbetën të plagosur Ilir Nelaj dhe Agim Rexhepi. E njëjta organizatë vret Arjan Pajën e Viron Currin, ndërsa plagoset rëndë Marsel Sotiri. Më pas, Lul Berisha, me djemtë e tjerë të bandës vrasin Eduart Ongarin si bashkëpunëtor të Sotirit dhe këtë të fundit e ekzekutojnë më 22 gusht të vitit ’99. Zinxhiri i vrasjeve rinis në vitin 2000, kur më 9 korrik vritet në Shënavlash të Durrësit Dritan Disha. Ai njihej si mik i afërt me Marsel Sotirin dhe Erjon Lamen. Seriali i vrasjeve vijon, kur më 28 shkurt 2005, banda e Lul Berishës ekzekuton Klodian Saliun. Në krye të organizatës që drejtonte Saliu u vu Indrit Dokle. Ndërsa një vit më parë, në muajin korrik, viktimë e vrasjeve ndërmjet bandave të Durrësit mbeti vëllai i Klodian Saliut, Ndriçim Saliu. Tjetër krim i bandës është cilësuar dhe ai i Avni Gashit, në maj 2005. Gjatë gjithë këtyre viteve, Lul Berisha ka arritur t’i shpëtojë disa atentateve të organizuara për eliminimin e tij. Tashmë ai ndodhet në burg, në pritje të gjykimit. Pas arrestimit të tij u ndaluar dhe miku i tij, Indrit Taullaj dhe rivali Indrit Dokle. I vetmi në kërkim nga banda është Plaurent Dervishaj.

Vrasja e Klodian Saliut

Mesnatën e 28 shkurtit 2005 një breshëri arme automatike i merr jetën Klodian Saliut, biznesmen nga Durrësi dhe plagos Osman Trumën. Dy viktimat po udhëtonin me një automjet tip “Benz” me targa DR 8907 C në autostradën Tiranë-Durrës, kur në afërsi të fshatit Koxhas në Maminas, nga një automjet tjetër është hapur zjarr në drejtim të tyre. Sipas dëshmive të marra më vonë nga i mbijetuari i atentatit, u bë e ditur se automjeti ku qëndronin atentatorët i është afruar makinës “Benz”, në mënyrën që ka provokuar uljen e shpejtësisë, duke e bërë më të lehtë dhe më të sigurt eliminimin e “shënjestrës”. Pas goditjes automjeti ku udhëtonte 29-vjeçari Saliu ka humbur drejtimin dhe ka përfunduar në një kanal në anë të autostradës, ndërsa atentatorët janë larguar me shpejtësi. Ndër të parat pista në të cilat filloi të hetojë policia pas atentatit ishte ajo e larjes së hesapeve. Hetimet e mëtejshme dhe një ditar i gjetur në banesën e 29-vjeçarit, ku ishin shënuar ekzekutime mafioze të kryera dhe të tjera që priteshin, zbardhën më pas se ai ishte një ndër themeluesit e “Bandës së Durrësit”. Ditari hidhte dritë mbi divergjencën e iniciuar prej tij brenda bandës dhe rivalitetin që pasoi në vijim me ekzekutime të ndërsjella nga dy grupet.

Vrasja e Ndriçim Saliut

Vëllai i madh i Klodian Saliut, 46-vjeçari Ndriçim Saliu u ekzekutua nga 2 plumba në gjoks mbrëmjen e 23 korrikut 2007. Ai ndodhej në një lokal, në lagjen 18, pranë së cilës banonte, kur dy persona me motoçikletë pa targa qëlluan në drejtim të tij. Ngjarja ndodhi 2 vjet pas ekzekutimit të vëllait të vogël, Klodian Saliu, 29 vjeç, i cili është akuzuar zyrtarisht nga prokuroria si i implikuar në ngjarjet e “Bandës së Durrësit”. Sipas policisë në atë kohë, vrasja u konsideruar e kryer nga killer me pagesë. Banorët pranë dëgjuan 7 të shtëna pistoleta dhe më pas një zhurmë të fortë të motoçikletës, e cila u zhduk me maksimumin e gazit. I vetmi dëshmitar okular ka qenë administratori i lokalit, në pronësi të Saliut, i cili mbeti i plagosur. Nisur nga të qenit vëllai i Klodian Saliut, policia e lidhi krimin me hakmarrjen prej bandës së Lul Berishës, dikur mik me vëllanë e viktimës. Prej asaj dite, autorët kanë mbetur ende të paidentifikuar nga policia, pavarësisht dyshimeve se cilët fshiheshin pas krimit. Vetë Ndriçim Saliu njihej si person jo problematik në qytet. Ai zotëronte disa aktivitete, një pjesë e të cilave i kishte shfrytëzuar bashkë me të vëllamë, që humbi jetën në atentat në vitin 2005.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›