Prokuroria, Berisha: Ligji do kalojë
ADI SHKEMBI
Kryeministri Sali Berisha ka mbrojtur dje para deputetëve të tij ligjin “Për Prokurorinë”, duke garantuar se ai do të jetë sipas standardeve. Por kreu i qeverisë, teksa i ka bërë thirrje opozitës që të japë konsensusin për këtë ligj ka lënë të kuptohet se ai do të votohet. Në mble-dhjen e parë të grupit parlamentar të PD-së pas pushimeve të verës, kreu i qeverisë u shpreh se kushtetuta autorizimin e ligjeve ia përcakton maxhorancës. “Ju siguroj se pavarësisht nga komentet se do të jetë i standardeve më të mira, se kjo maxhorancë është thellësisht e përcaktuar për standarde demokratike. Ligji do të konsultohet me grupet e interesit, por Kushtetuta e këtij vendi, sikundër të gjitha kushtetutat e tjera, autorizimin e ligjeve dhe të reformave ia përcaktojnë qartë maxhorancës dhe qytetarëve dhe këtu nuk mund të ketë iluzione, se do të ketë përjashtime”, theksoi kreu i qeverisë. Sipas tij, “natyrisht konsultimet janë dhe mbeten të domosdoshme me të gjitha grupet e interesit. Reformat janë përgjegjësi e plotë e maxhorancës dhe maxhoranca do të vazhdojë me reformat në mënyrë të pandërprerë. Është jashtëzakonisht i rëndësishëm ligji “Për Policinë Gjyqësore”. Është ligji “Për administrimin e gjykatave”, ligji ‘Për policinë e burgjeve”, “Për Gjykatën Administrative”, etj”. Kryeministri Berisha u shpreh në mbledhjen e grupit parlamentar se në këtë sesion Kuvendi, do të miratohen një sërë ligjesh, të cilat do të konsultohen paraprakisht edhe me grupet e interesit. Kreu i qeverisë ka përsëritur ftesën për opozitën, duke shtuar se kjo paketë ligjore është e domosdoshme të miratohet në kuvend. “Kemi të bëjmë një paketë ligjesh për të cilat duhet të merret patjetër mendimi i të gjitha grupeve të interesuara. Por ligjet do të votohen dhe ne jemi shumë të hapur për t’i votuar duke mirëpritur çdo kontribut të opozitës. Natyrisht ato janë të domosdoshme dhe ato do të votohen në Parlament. Unë uroj dhe shpresoj që të punojmë bashkërisht me opozitën, pasi nuk është qeveria më pak se opozita e interesuar, apo anasjelltas opozita nuk është më pak se qeveria e interesuar për standarde evropiane, të Policisë Gjyqësore, të Prokurorisë, të Gjykatës Administrative, apo ligje të tjera”, u shpreh Berisha.
Paga e kryeprokurorit
Ndërkohë në pjesën me dyer të mbyllura të mbledhjes së grupit parlamentar, kreu i qeverisë është ndalur në nenin e ligjit “Për Prokurorinë”, i cili saktëson rrogën e titullarit të këtij institucioni. Burime brenda grupit të PD-së bëjnë të ditur për gazetën se, kreu i qeverisë është shprehur që pavarësisht nga ndryshimi i nivelit të pagës, që do të miratohet në ligjin e ri, kryeprokurorja Ina Rama do të gëzojë pagën aktuale deri në fund të mandatit të saj dhe paga e ndryshuar do të hyjë në fuqi vetëm për pasardhësin e saj. Sipas Berishës, Ina Rama ka nisur punë me këtë pagë që ka aktualisht dhe nuk do t’i ndryshojë deri në fund. Ndërkohë që sipas tij, titullari i institucionit të Prokurorisë nuk mund të ketë pagë më të madhe se të kryetarit të Gjykatës së Lartë, ndërkohë që sipas tij, mund të ketë pagë më të madhe se të ministrit. Gjithsesi, ligji “Për Prokurorinë” pritet të hapë debate të mëdha sidomos gjatë diskutimit të tij në komisionin parlamentar të Ligjeve për shkak se grupet e interesit, pikërisht prokurorët janë shprehur kundër këtij ligji.
Ligjet që do miratohen
Kodi Zgjedhor
Heqja e imunitetit
Ligji “Për Prokurorinë”
Ligji “Për Policinë Gjyqësore”
Ligji “Për administrimin e gjykatave”
Ligji “Për Policinë e Burgjeve”
Ligji “Për Gjykatën administrative”
Ligji “Për hapjen e dosjeve”
Meta: Qeveria, agresion për kapjen e Prokurorisë
Kreu i LSI-së Ilir Meta akuzoi qeverinë se, ka dështuar me reformën në drejtësi. Meta e ka cilësuar ligjin “Për Prokurorinë” që po përgatit qeveria si një agresion për kapjen e institucionit të akuzës.
“Reforma në drejtësi përbën dështimin e rëndë të radhës së Qeverisë së Sali Berishës. Goditja që synohet ndaj pavarësisë së Prokurorisë, është një tjetër konkretizim i filozofisë autoritariste dhe autokratike që kjo Qeveri ka nisur që në natën e 21 prillit, kur u miratuan ndryshimet kushtetuese”, tha Meta. Sipas tij, “përpjekjet për të ndryshuar statusin kushtetues të prokurorëve, heqja e imunitetit të tyre, shkarkimi nga detyra me fillimin e procedimit penal, ndryshimi i varësisë së Policisë Gjyqësore, heqja e të drejtave të përfaqësuesit të Presidentit në Këshillin e Prokurorisë dhe marrja e tyre nga përfaqësuesit e qeverisë, shmangia e qëllimtë nga procesi i mendimit ekspert dhe veçanërisht e Shoqatës së Prokurorëve dhe e trupave të tjera të specializuara juridike dhe të gjitha këto janë një agresion i rëndë për kapjen, që kjo Qeveri do t’i bëjë institucioneve të pavarura, veçanërisht atij gjyqësor”. Kreu i LSI-së akuzoi qeverinë se në hartimin e një projektligji të tillë të rëndësishëm, siç është ai “Për prokurorinë”, qeveria ka shpërfillur dhe rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare.
“Qeveria nuk ka asnjë ndjeshmëri ndaj këshillave dhe vërejtjeve të vazhdueshme të partnerëve tanë ndërkombëtarë, të BE-së, SHBA-së dhe OSBE-së, që tashmë po i bien fort kambanave të alarmit për qëllimet e mbrapshta uzurpuese të qeverisë ndaj gjyqësorit.
Reforma në Drejtësi dhe Reforma Zgjedhore, janë sfidë për gjithë klasën politike të vendit dhe si të tilla nuk mund të realizohen si monopol i një force politike, dhe me një mungesë të theksuar të transparencës. Ato nuk e realizuan në asnjë element të tyre përpara ftesës për në NATO, gjë që ishte kërkuar prej partnerëve tanë, dhe mesa duket, nuk do të realizohen as gjatë kësaj legjislature, pavarësisht premtimeve të rreme të Kryeministrit Berisha”, tha Meta. Kreu i LSI-së i bëri dje thirrje opozitës të jetë në një qëndrim në parlament për të mbrojtur pavarësinë e sistemit gjyqësor. “Unë ftoj gjithë opozitën në një qëndrim të përbashkët, që të përdorë gjithë mjetet parlamentare e ligjore në mbrojtje të pavarësisë të sistemi gjyqësor që ai të mos uzurpohet nga revanshizmi i Sali Berishës”, përfundoi Meta.
“Projektligji cenon rëndë pavarësinë e Prokurorisë”
TIRANE – Drafti i hartuar nga Ministria e Drejtësisë me qëllim ndryshimet në ligjin e Prokurorisë, cenon pavarësinë e organit të akuzës. Shkëlqim Hajdari, sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Kombëtare të Prokurorëve të Shqipërisë, kritikoi dje ashpër disa pika të projektligjit që ka për qëllim ndryshimin e statusit aktual të Prokurorisë. “Heqja e imunitetit të një prokurori, nuk është as më pak, as më shumë sesa ta rrezikosh atë seriozisht”, tha prokurori Hajdari, i cili njëkohësisht është edhe drejtues i Prokurorisë së Apelit në Tiranë. “Me aq sa jemi informuar, projektligji i Ministrisë së Drejtësisë parashikon heqjen e imunitetit të prokurorëve. Së pari, prokurorët kanë imunitet simbolik pasi me ligjin aktual ata mund të arrestohen me pëlqimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Por heqja e këtij imuniteti simbolik të prokurorëve jo vetëm që nuk do të ketë ndikim pozitiv, por do të shkatërrojë edhe punën dhe përkushtimin e tyre për kryerjen e detyrës”, është shprehur më tej sekretari i Shoqatës Kombëtare të Prokurorëve. “Nëse prokurori nuk është i garantuar nga presionet që mund t’i vijnë gjatë ushtrimit të detyrës, qoftë edhe nga presionet që vijnë prej grupeve kriminale, atëherë do të ketë probleme”, u shpreh në reagimin e tij kryeprokurori i Apelit të Tiranës. Sipas tij, në thelb, nëse miratohet në Parlament, projektligji që ka përgatitur Ministria e Drejtësisë, cenon rëndë pavarësinë e Prokurorisë si institucion kushtetues. “Përveçse një lloj varësie nga ekzekutivi, i cili ka në varësi policinë që mund t’i arrestojë prokurorët, këta të fundit mund të bëhen kurban me një kallëzim të vetëm që mund të bëhet në Prokurori, pasi kemi mësuar se projektligji i Ministrisë së Drejtësisë parashikon shkarkimin e tyre në rast se kallëzimi regjistrohet si procedim penal edhe nëse në akuzat që bëhen nuk ka asgjë të vërtetë”, vijoi më tej komentet e tij, Kryeprokurori i Apelit të Tiranës. Ai denoncoi dje në mënyrë publike faktin se pikërisht ku Ministria e Drejtësisë beri ndërhyrjet në dy nenet e ligjit, të cilat konsiderohen të papranueshme, përfaqësuesit e Prokurorisë dhe misionet e asistencës së huaj evropiane dhe amerikane në Tiranë, nuk u thirrën më në tryezat e diskutimeve mbi projektdraftin. Kryepr-okurori i Apelit të Tiranës e konsideroi projektligjin problematik në rast se atij nuk i bëhen rregullimet e kërkuara ndërsa tha se, nëse Parlamenti e miraton atë, ai është një dokument i pakonsultuar me grupet e interesit, prokurorët dhe Prokurorinë, si dhe me organizmat e huaj që asistojnë reformën në drejtësinë shqiptare. “Prokurorët nuk kanë imunitet për të hequr. Heqjen e imunitetit e kanë më të vështirë politikanët”, është shprehur Kryeprokurori i Apelit duke i kujtuar klasës politike premtimet e saj për kufizimin e imuniteteve si një gjest që u pretendua se do t’i shkonte në ndihmë mbështetjes së luftës kundër korrupsionit. Krahasuar me imunitetin e prokurorëve, i cili hiqet me një autorizim nga Prokurori i Përgjithshëm, gjyqtarët dhe politikanët janë ata që gëzojnë imunitetin më të fortë. Për politikanët kërkohet autorizimin nga Parlamenti dhe kjo është një procedurë e vështirë pasi kërkon një numër të caktuar votash, ndërsa për gjyqtarët heqja e imunitetit parashikohet me votim nga KLD-ja, çka përsëri kërkon një numër votash nga anëtarët. tr.so
Çfarë parashikon projektligji i Prokurorisë
TIRANE – Drafti i Ministrisë së Drejtësisë për ndryshimet në ligjin aktual të Prokurorisë, parashikon një sërën ndryshimesh që fillojnë me heqjen e imunitetit të prokurorëve. Ata sipas projektligjit mund të arrestohen nga policia pa autorizim nga Prokurori i Përgjithshëm. Nga ana tjetër, drafti parashikon pezullimin e prokurorëve nga puna nëse ndaj tyre bëhet ankesë në gjykatë apo regjistrohet procedim penal. Projektligji parashikon uljen e pagës së kryeprokurorit në masën e rrogës së një anëtari të Gjykatës së Lartë. Sipas projektligjit, anëtari i Presidencës në Këshillin e Prokurorisë e humbet të drejtën e votës dhe zëvendësohet me dy anëtarë, përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë dhe me të drejtë vote. Po ashtu në rast njoftimi të akuzës, ende pa u vërtetuar ajo, projektligji parashikon shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe zëvendësimin e tij në detyre me një kandidaturë tjetër.