E Diel, 1 Nëntor 2026

“Në 7 vite kemi shtruar 10 mijë km rrugë”

25-10-2012 / Gazeta 55

Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi
 
Ministria i Transporteve Sokol Olldashi ka diskutuar  në seancën e sotme parlamentare për investimet në infrastrukturë.
Duke iu përgjigjur akuzave të deputetëve të opozitës për mungesën  e investimeve në disa qarqe, Olldashi u shpreh se qeveria aktuale ka bërë shumë  herë më tepër investime sesa PS-ja gjatë 8 viteve në pushtet. “Diskutimi është politike me strategji të opozitës për të goditur suksesin e kësaj maxhorance, programin e rrugëve. Janë bërë disa rrugë edhe në kohën e PS, por kemi bërë 250 kilometra rrugë në tetë vjet, ne si mazhorancë  kemi bërë 10 mijë kilometra rrugë, kjo është një distancë katastrofike që na ndan.  Ju nuk keni asnjë lloj argument për këtë debat”, theksoi Olldashi.
Në lidhje më qarkun e Vlorës u shpreh se janë bërë 4 herë më shumë investime sesa në kohën që vendi qeverisej nga PS.
“Përpjekja juaj për të ndarë atdheun në ishuj është shumë  e keqe, po ju them se statistikat zyrtare tregojnë se kjo qeveri ka investuar  7 vjet në Vlorë katër herë më shumë sesa tetë vitet e qeverisë së juaj,  në të gjitha gjërat , rrugë, shkollë, ujësjellës, kanalizime, bujqësi. E vetmja rrugë që keni bërë në këtë qark atëherë është rruga Vlorë-Drashovicë”, u shpreh ministri Olldashi gjatë seancës parlamentare.  
Më pas   ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, informoi në Kuvend se rruga Levan-Vlorë është brenda standardeve dhe se kosto shtesë erdhi për shkak të kërkesave të komunitetit të banorëve përgjatë këtij aksi rrugor.
Gjatë debatit në Parlament për kontratën për shtesë fondesh me Bankën Europiane të Investimeve, për rrugën Levan-Vlorë, Olldashi tha se fondi prej 1.7 milionë euro është përdorur për të ndjekur kërkesat e komunitetit të komunave ku shkon rruga. 
Sipas tij, përveç mbikalimeve e nënkalimeve që parashikon rruga janë shtuar edhe 1.7 milionë euro punime të tjera pikërisht për të zgjidhur kërkesat e komunitetit të banorëve përgjatë rrugës. Pavarësisht kundërshtive opozita parlamentare dha votën “pro”, duke e miratuar projektin për aksin Levan-Vlorë, me 116 vota.
Njëkohësisht, Kuvendi miratoi ligjin për komunikimet elektronike, i cili mori 105 vota “pro”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›