E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Apoloni bum zbulimesh

24/08/2010 Gjendet një shtatore gruaje në qytetin antik

FIER- Një tjetër zbulim i rrallë është bërë në parkun arkeologjik të Apolonisë në Fier. Pas bustit që dyshohet se i përket një aristokrati romak, një tjetër bust njeriu është zbuluar ditën e djeshme nga grupi i arkeologëve shqiptaro-francez. Bëhet fjalë për një bust femre që i përket sërish periudhës romake që përkon me shekullin e II ose të III pas lindjes së Krishtit. Busti i femrës është gjetur shumë pranë vendit që u zbulua busti prej mermeri i atletit romak. “Sot u zbulua një tjetër bust. Ai i përket një gruaje, e cila mendohet të jetë ose gruaja ose motra e atletit që u gjet pak ditë më parë. Arkeologët e ekspeditës shqiptaro-franceze e kanë zbuluar bustin sot, ndërsa kanë deklaruar se ky bust i përket periudhës romake dhe është ndërtuar me gurë gëlqeror të Karaburunit”, ka deklaruar Zhan Luk Lamboli, kreu i ekspeditës franceze. Sipas ekspertëve, busti u gjet në një pjesë aneksi ku mendohet se kalonte sistemi i kanalizimeve në periudhën e hershme. Ndërkohë ndryshe nga busti i atletit, ky i djeshmi nuk ka qenë në gjendje shumë të mirë, pasi kishte disa dëmtime të lehta. Mendohet që edhe ky bust të zhvendoset për në Tiranë. Ndërkohë ekspedita shqiptaro-franceze që po gërmon këto ditë në Apoloni, zbuloi pak ditë më parë bustin e një romaku ndoshta aristokrat dhe sipas ekspertëve ai u gjet në gjendje shumë të mirë. Vetë ekspertët, flasin për një zbulim spektakolar duke iu referuar vjetërsisë së saj, përmasave të mëdha dhe gjendjes së mirë në të cilën është zbuluar. Po kështu pak ditë pas atletit në Apoloni u gjet edhe një tjetër vepre antike me vlera të shumta historike e kulturore. Një këmbë bronzi, pjesë e një statuje romake është zbuluar nga gërmimet që kreu ekspedita shqiptaro-franceze. Nga format dhe mënyra e krijimit duket se këmba e statujës i përket një luftëtari romak. Vepra mendohet se i përket shekullit të II ose të III pas lindjes së Krishtit. Këto zbulime kanë tërhequr tashmë vëmendjen e shumë arkeologëve, por edhe të shumë turistëve, të cilët kanë shfaqur dëshirën për të parë nga afër këtë vend si dhe gërmimet që po zhvillohen.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›