E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në BE askush s’e merr seriozisht idenë e ndarjes së Kosovës

Kryetari i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, Eduard Kukan ka thënë për portalin Dukagjini se, idetë për ndarje të Kosovës nuk kanë qenë asnjëherë temë diskutimi në Parlamentin Evropian.

“Mund të ju siguroj se kjo nuk është një çështje diskutimi në ndonjë instancë të Parlamentit Evropian, qoftë nëpër Komisione ose grupe pune. Thjeshtë kjo nuk është në agjendën dhe as në tavolinën e bisedimeve të Parlamentit Evropian. Kjo sepse ne nuk besojmë dhe nuk mendojmë se duhet humbur kohë në këto lloj diskutimesh, sepse askush në Bashkimin Europian, nuk e merr seriozisht këtë çështje”, ka thënë Kukan.

“Ne sa herë flasim për Kosovën, flasim për Kosovën në vijat ose kufijtë e saj që ekzistojnë sot. Siç thashë ndoshta ka disa zëra, që shprehin thjeshtë mendimet e tyre personale por kjo çështje nuk diskutohet në Parlamentin Evropian”, ka vijuar më tej Kukan.

Kukan madje shprehet i bindur se tema e ndarjes nuk është hapur as në Komisionin Evropian e as në Këshillin e Evropës.

“Me sa di unë, është e njëjta situatë në të gjitha institucionet evropiane, për sa i përket Komisionit dhe Këshillit Evropian, nuk mendoj se kjo është një çështje që mund të merret dhe diskutohet seriozisht. Sipas informacioneve që kam, situata është e tillë në të gjitha institucionet evropiane”, ka shtuar Kukan.

(ar.si/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›