Vllaznia, fitorja me Skënderbeun sot nuk është jetike
Edhe pse pretendimet e shkodranëve janë vetëm për Kupën e Shqipërisë, ata sot ndaj korçarëve nuk e shohin si ndeshje decizive
E ka thënë trajneri Vata pas ndeshjes së parë të turit çerekfinal të kupës me Laçin, por e pranojnë edhe drejtuesit e tjerë të Vllaznisë. Skuadra shkodrane realisht nuk konsiderohet pretendente për ta fituar këtë trofe, por ajo nuk do të heqë dorë nga fitimi i saj kollaj. Megjithatë, në përgjithësi, skuadra është e qetë.
Ajo është stërvitur gjatë kësaj periudhe e qetë, pa asnjë lloj presioni, e këtu ka ndikuar ndoshta edhe heshtja e shtypit që drejtuesit e klubit vendosën pikërisht për këtë arsye. Sfida me Skënderbeun do tregojë në njëfarë mënyre edhe forcën e Vllaznisë. Kryetari i Bordit Mbikëqyrës të shoqërisë aksionare Vllaznia, Ritvan Troshani, që është njëkohësisht edhe nënkryetari i Bashkisë Shkodër, duke folur në lidhje me këtë çështje, ka thënë:
Për ne është një ndeshje e rëndësishme dhe prandaj skuadra duhet ta tregojë veten e saj. Skënderbeu vërtet është skuadra kampione, por edhe ne jemi Vllaznia dhe duhet të shfaqim vlerat tonë më të mira. Kam shumë shpresë se tashmë lojtarët e ardhur në merkaton e janarit do të jenë ingranuar plotësisht me skuadrën dhe do të japin më të mirën për skuadrën në këtë ndeshje.
Unë besoj te fitorja, sepse do të kemi edhe përkrahjen e tifozëve të zjarrtë shkodranë. Mbështetja që skuadra ka pasur nga drejtuesit e klubit ka qenë maksimale gjatë kësaj periudhe. Edhe stafi drejtues ka pasur mbështetjen e duhur. Ajo çfarë pritet tashmë është kthesa me rezultate.
Kthesa Ka një koincidencë të bukur për ndeshjen e sotme me Skënderbeun. Nëse në ndeshjen e kampionatit ndaj korçarëve ndodhi ajo historia me Sukajn, që prishi klimën në skuadër, solli humbjen e atij takimi dhe më pas edhe një ecuri jo të mirë në rezultatet e ardhshme, tashmë ndaj po këtij kundërshtari pritet kthesa për mirë. Mbase që sot do nisë një ecuri krejt tjetër për kuqeblutë dhe shpresat janë të mëdha.
E rëndësishme është që fitorja sot nuk konsiderohet jetike. Mosqënia nën presion e futbollistëve mund të ndikojë për mirë tek ata. Çka do të thotë se për ndeshjen e sotme askush nuk u ka vënë kusht për të fituar medoemos. Kupa edhe konsiderohet e rëndësishme, por edhe jo. Kjo ngaqë drejtuesit e klubit nuk i kanë vënë kusht trajnerit dhe skuadrës për të qenë medoemos në Kupat e Europës.
Do të ishte mirë natyrisht nëse do merrej ky trofe, sepse do gëzonte një qytet të tërë, por nga ana tjetër, kuqeblutë po shohin më tepër për të ardhmen. Në kushte të tilla, pritet një lloj reagimi për mirë i futbollistëve të Vllaznisë. Shumë prej tyre nuk e kanë justifikuar ende besimin e trajnerit dhe drejtuesve të klubit. Prandaj pritet reagimi i tyre dhe, nëse ky reagim do jetë ai i pritshmi, sigurisht që shkodranët duhet të jenë entuziastë për fitore.
Një tripikësh në këtë takim do tu jepte atyre shumë shpresa për kalimin në gjysmëfinale, ngaqë ndeshjen vendimtare pastaj me Flamurtarin do ta kenë sërish në Shkodër dhe shpresat janë më të mëdha për kualifikim. Në këtë mënyrë, me këtë atmosferë pritet suksesi i kuqebluve, gjithnjë nëse ata do të japin më të mirën e tyre në këtë ndeshje.
Formacioni: Sykaj jashtë, rikuperohen Hajdari e Hasani
Në ndryshim nga ajo çfarë mendohej, trajneri Vata pritet të ndryshojë sërish formacionin me të cilin do luajë në ndeshjen e sotme me Skënderbeun. Ndonëse mendohej që do hidhte në fushë atë 11-ësh që provoi në miqësoren e së premtes me Adën, në fakt ka bërë ndonjë ndërhyrje në të. Kështu, kur mendohej se Sykaj do luante si mbrojtës i djathtë, në këtë pozicion do luajë sërish Gocaj.
Në qendër të mbrojtjes pritet të jetë dyshja Kraja-Vuk, ndërsa në të majtë të mbrojtjes kapiteni Belisha dhe në portë kuptohet Vujadinoviç. Në mesfushë, në vend të Smajlit, që është i skualifikuar me kartonë, do të luajë Hajdari në të djathtë. Ai e ka lënë pas dëmtimin që ka pasur në një nga gishtat e këmbës dhe do luajë nga minuta e parë, por jo në të majtë këtë herë. Në qendër të mesfushës pritet të jetë dyshja Moreno-Brnoviç, ndërsa në të majtë do luajë malazezi tjetër Popoviç.
Në sulm ndërkohë nuk do të jetë Gjini, nga sa mendohej, por sërish malazezi Jablan, i mbështetur nga Hasani, edhe ky i rikuperuar nga dëmtimi muskulor që ka pasur në kofshë. Pra, me shumë mundësi, kjo pritet të jetë 11-shja që Vata do hedhë në fushën e lojës sot dhe me të cilën do kërkojë suksesin ndaj Skënderbeut.
Loro Boriçi lirohet nga dëbora, do të luhet normalisht
Tashmë nuk ka më asnjë dyshim. Dëbora që kishte pushtuar që prej tri javësh tapetin e stadiumit Loro Boriçi, thuajse e ka lënë krejtësisht atë. Ngritja e temperaturave dhe ndonjë reshje shiu e rënë gjatë këtyre ditëve kanë ndihmuar në shkrirjen e saj. Në kushte të tilla, dje fusha në përqindjen më të madhe të saj ka qenë e lirshme. Që do të thotë se ndeshja ndaj Skënderbeut sot do të luhet normalisht. Terreni ndoshta mund të jetë pak i rënduar si pasojë e lagështirës së madhe që ekziston, megjithatë kjo nuk do ti pengojë futbollistët e dy skuadrave të shprehin vlerat e tyre më të mira në këtë ndeshje.
Skuadra kuqeblu grumbullohet te hotel Argenti
Në fillim u mendua që skuadra nuk do të grumbullohej për këtë ndeshje por më pas, drejtuesit kanë ndryshuar mendje. Në këtë mënyrë, në orën 19:00, futbollistët mbrëmë janë grumbulluar te stadiumi dhe më pas kanë marrë rrugën me autobus për te hotel Argenti, në të hyrë të qytetit të Shkodrës. Klubi shkodran vazhdon tia krijojë të gjitha kushtet ekipit dhe tashmë sigurisht që pret prej tij rezultatet e dëshiruara.
