Arsen Venger kundër "xhaketave të zeza" në Angli
Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger ka folur ashpër për gjyqtarët e Premiershipit. Francezi, i cili drejton stolin e londinezëve prej 12 vjetëve, deklaroi se "xhaketat e zeza" ndikohen lehtësisht nga presioni që ushtrojnë trajnerët e tjerë në pushimin ndërmjet pjesëve të lojës. "Topçinjtë" udhëtuan të shtunën në fushën e Aston Vilës, duke pretenduar ta mbyllnin vitin 2008 me fitore. Me tri pikët në këtë sfidë ata do të riktheheshin në vendin e katërt dhe të mos shkëputeshin më shumë nga kryesueset. Por, jo gjithçka shkoi sipas planeve të Venger: edhe pse në fund të pjesës së parë skuadra e tij kryesonte 2-0, në fraksionin e dytë të lojës, Vila barazoi shifrat në 2-2. "E kam të qartë sesi funksionojnë gjërat këtu", deklaroi tekniku. "Në pushimin 15 minutësh ndërmjet pjesëve, gjyqtarin e kontestuan dhe kur skuadrat hynë në fushë për pjesën e mbetur të takimit, ai ndryshoi sjellje. Çdo vendim i diskutueshëm akordohej në favor të Vilës. Kjo është gjithçka që ndodhi, e me situata të ngjashme jemi përballur edhe në mjaft fusha të tjera". Ndër të tjera, Venger pohoi se shkëputja e mëtejshme nga kryesueset e ka zhgënjyer skuadrën e tij. "Jemi të zhgënjyer, sepse ishim fare pranë fitores, por nuk arritëm të mbronim avantazhin, shpjegoi francezi. Lejuam kundërshtarët të barazonin. Kjo ndodhi në një kohë kur Vila nuk po krijonte shumë mundësi shënimi. Besoj se ndeshja ndryshoi menjëherë pas golit të parë të tyre, sepse humbëm përqendrimin. Mund ta kishim qarkulluar edhe më mirë topin, por lojtarët u nervozuan dhe nuk arrinin të dilnin nga gjysmëfusha jonë. Në fund, kjo na kushtoi 2 pikë në klasifikim". Si kundërpërgjigje për Venger, trajneri i Aston Vilës, Martin O‘Nill pranoi se asistenti i tij, Xhon Roberton, diskutoi me gjyqtarin. Gjithsesi, ai i ka kërkuar llogari për episodin me Gabriel Agbonlahor, vetëm pak çaste përpara se Denilson të shënonte golin e parë të sfidës.