E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Durrës filloi sot tërheqja e librave shkollorë

Qindra prindër dhe nxënës u janë drejtuar sot pikave të shpërndarjes së librave shkollorë në Durrës, pas shpalljes së vendimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për fillimin në 14 shtator të vitit të ri shkollor. Rahime Belegu, drejtuese e firmës "Magazina e librit", që ka fituar ekskluzivitetin e shpërndarjes së librave shkollorë në të gjithë rrethin, tha se në Durrës funksionojnë 5 pika të shpërndarjes së librave sipas shkollave, ndërsa 3 të tjera janë ngritur në lagjet periferike, në Plazh, Shkozet dhe Spitallë. Sipas Belegut, deri tani janë shpërndarë alternativat e librave nga klasa e parë deri në klasën e gjashtë me paketën e tyre të plotë. "Nga 350 tituj të botuar këtë vit, jemi në pritje të rreth 30 librave të rinj, që do të plotësojnë paketën e librave shkollorë veçanërisht për klasat e 10-ta në shkollat e mesme sipas sistemit të ri arsimor", tha Belegu. Ajo shtoi se në bashkëpunim me Drejtorinë arsimore rajonale (DAR), librat po shpërndahen edhe në pikat përkatëse të fshatrave dhe komunave. Që prej disa ditësh librat po shpërndahen edhe në Shijak, Armath, Manëz, Sukth, etj. Por belegu shtoi se "interesimi i prindërve është rritur veçanërisht në dy ditët e fundit, kur MASH shpalli 14 shtatorin si dita e parë e vitit shkollor 2009-2010". Në të gjithë rrethin e Durrësit funksionojnë 65 shkolla 9-vjeçare dhe rreth 30 shkolla të mesme publike dhe jopublike.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›