E Diel, 1 Nëntor 2026

Vëzhguesit vendorë: Zgjedhjet ishin një arritje, plotësuan standardet ndërkombëtare

Raporti i Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë (KVV), i publikuar sot, i konsideron zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit një arritje për vendin. "Gjithë problematika që shoqëroi zgjedhjet në jo pak raste ishte produkt i lojës politike të partive dhe subjekteve zgjedhore. Ky proces në tërësinë e tij ishte një arritje pozitive për realizimin e standarteve për zgjedhje të lira e të ndershme, që përputhen me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe standartet e Këshillit të Europës", thuhet në raportin e publikuar për mediat nga përfaqësuesi i Koalicionit, Kristaq Kume. Raporti i KVV-së vëren dhe disa probleme të konstatuara gjatë procesit zgjedhor, si votimi në grup apo problemet me grupet e numërimit të votave. Në këtë dokument vlerësohen vendimet e marra nga Kolegji Zgjedhor si tërësisht të pavarura dhe të pandikuara politikisht, ndërsa puna e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për nxjerrjen e rezultateve zgjedhore konsiderohet transparente. KVV është një bashkim vullnetar e jo politik për vëzhgimin e proceseve elektorale, i përbërë nga gjashtë OJF: Instituti Shqiptar për Zhvillimin e Sistemit të Zgjedhjeve, Shoqata për Kulturë Demokratike, Gruaja për Veprim Global, etj. Ky Koalicion angazhoi në zgjedhjet e 28 qershorit një rrjet prej 2500 vëzhguesish të cilët përçuan në kohë reale raportet e tyre përgjatë ditës së votimeve, duke punuar të pavarur nga vëzhguesit ndërkombëtarë. KVV ka përvojë në monitorimin e proceseve elektorale, duke filluar me zgjedhjet e vitit 2003 për të vijuar me ato të 2005-s dhe 2007-s.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›