E Diel, 1 Nëntor 2026

Starton në Venecia gara për Luanin e Artë



Festivali i Filmit në Venecia ka filluar me deklaratën e regjisorit të “Brokeback Mountain”, Ang Li, i cili tha se "Ky ishte festival më i madh në botë". Kineasti tajvanez drejton panelin e festivalit të këtij viti, që zgjedh edhe fituesin e Luanit të Artë. Organizatorët zgjodhën filmin italian “Baaria”, të regjisorit Xhuzepe Tornatore për hapjen e festivalit, filmi i cili mbështetet në historinë e një familjeje siçiliane. Në vitet e mëparshme festivali është hapur nga filma të Hollivudit dhe në fokus kanë qenë aktorët amerikanë. Siç raporton BBC-ja, mes filmave që janë në garë në edicionin e 66-të të këtij evenimenti për kinematografinë botërore janë filmi “The Road” i regjisorit, Xhon Hillkoat, ku luan Çarlize Theron dhe Vigo Mortensen, versioni i ri i “The bad lieutenant” me Nikolas Geixh dhe filmi francez “White Material” me Isabel Huppert. Sivjet kemi edhe rikthimin e kineastit amerikan të dokumentarëve, Majkëll Mur. Regjisori që më parë ka trajtuar temën e armëve dhe kujdesit shëndetësor në SHBA, kësaj radhe e ka kthyer kamerën në krizën ekonomike globale te kapitalizmit, nëpërmjet dokumentarit “A Love Story”. Natyrisht, në këtë festival nuk do të mungojnë edhe një numër i konsiderueshëm filmash, të cilët do të shfaqen jashtë kompeticionit. Një tjetër emër që rikthehet në Venecia për të promovuar “The man who stare at goats” është aktori i njohur Xhorxh Klunej. Stiven Soderberg shfaq në festival “The informant”, pelikulën që bën fjalë për daljen e sekretit në Amerikën e Korporatave, ndërkohë që regjisori tjetër amerikan, Abel Ferrara, sjell në festival, filmin “Napoli, Napoli, Napoli”.

Sistem sigurie për Muzeun Historik në Vlorë

Muzeu Historik në qytetin e Vlorës do të pajiset me një sistem vëzhgimi dhe sigurie, i cili garanton standardet më bashkëkohore sipas një projekti që pritet të nisë gjatë muajit shtator dhe do të përfundojë brenda pak javësh. Drejtori i Muzeut, Skënder Spahiu thotë për ATSH-në se, “pas përfundimit të projektit të rehabilitimit, do të nisë instalimi i sistemit të vëzhgimit dhe sigurisë, i cili do të krijojë standardet e nevojshme për të parandaluar raste të vjedhjes dhe dëmtimit të vlerave që ruhen në këtë muze”. Aktualisht, është në përfundim rehabilitimi i godinës dhe mjediseve të brendshme të saj, një projekt i financuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve me vlerë 9 milionë lekë. Projekti parashikon rikonstruksionin e mjediseve të brendshme të godinës, restaurimin e fasadës, realizimin e hidroizolimit, modernizimin e sistemit të ndricimit, zëvendësimin e stendave ekzistuese me të tjera më funksionale, etj. Në tërësi, projekti synon të ridimensionojë jo vetëm vlerat e Muzeut Historik, por edhe ato të godinës ku është vendosur, një nga objektet më të vjetra në qytetin e Vlorës, e ndërtuar në periudhën 1918-1922 të shekullit të kaluar. Godina e Muzeut Historik ndodhet në qendër të Vlorës dhe është mjaft e veçantë për shkak të stilit të saj arkitekturor, që përbën një gërshetim të traditave qytetare në ndërtim me elementë të stilit barok. Ajo u ndërtua me kontributin dhe financimin e emrave më të njohur të jetës ekonomike, shoqërore e politike të Vlorës të asaj periudhe për të vendosur aty Bashkinë e qytetit. Pas 1944-ës, funksioni i saj u tjetërsua dhe në vitin 1962 në të u vendos Muzeu Historik, ku janë ekspozuar dhe ruhen qindra objekte origjinale, që përfaqësojnë dhe pasqyrojnë periudha të ndryshme historike, që nga antikiteti deri në ditët tona. Mes tyre përfshihen objekte arkeologjike që u përkasin qyteteve të ndryshme antike në rrethin e Vlorës si, Orikut, Amantias, Plocës, Olimpias(Mavrovë) e më tej, Kioninës (Kaninë), objekte origjinale të periudhës së mesjetës, armë dhe sende luftëtarësh të njohur në histori. Në këtë Muze ndodhen njëkohësisht dhe 2 pavione që evokojnë Luftën e Vlorës në 1920 si dhe Lëvizjen Demokratike të Qershorit 1924. Projektet për Muzeun Historik janë pjesë e investimeve që po realizohen në ruajtjen e vlerave kulturore, historike e arkeologjike si në qytetin dhe rrethin e Vlorës, me mbështetjen financiare të qeverisë. Gjatë vitit të kaluar dhe në vazhdim, kanë përfunduar projektet e rehabilitimit të godinave të Muzeut Kombëtar të Shpalljes së Pavarësisë dhe Muzeut Etnografik, si dhe i Kullave të Dervish Aliut në fshatin Dukat, 30 km në jug të qytetit të Vlorës, i cili është dëshmi e historisë dhe traditave në ndërtim të zonës në shekullin XIX.

4 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›