E Diel, 1 Nëntor 2026

Sytë e Edi Ramës (III)

Si për të konfirmuar vëzhgimin tonë, Egoarku Rama, që kërkon të jetë protagonist jo vetëm në planin politik, por edhe në atë studimor, po dje na dha një shfaqje tek dera e selizë rozë. Për kronikë foli për martesa dhe kurorëzime, si gjithmonë duke harruar martesat e tij shumëfishore. Nuk ka gajle, pos mos ta dinim që është inkoherent dhe njeri me hënë, do ta komentonim. Tjetër gjë, interesante bile - na u duk autoreferencial, i panevojshëm deri në gjumë, riciklimi staturës së tij morale me letra të hapura KLD-së. Ujku bërtet “kapeni ujkun”. Ai, në kundërshtim me natyrën e tij, në konferencë për shtyp fliste me kokën ulur duke lexuar deklaratën për të mos dhënë elemente observimi. Natyrisht nuk ia doli dot, natyra fiton gjithmonë, dhe sytë i bënë tekaçift. Sa e bukur. Sforcoja e tij për t’i fokusuar drejt kamera ishte njëkohësisht qesharake e më pa e dëmshme për shëndetin e tij, të përkeqësuar.
Ne të dashur, lexues, pothuajse arritëm në fund të këtij triptiku mbi sytë e Egoarkut. E nisëm nga një konstatim i natyrshëm, i vërtetë, mbi kokërdhokët që i lëvizin sa andej- këtej kur flet në publik, nëse nuk besoni, rishikojeni (në qoftë se nuk e keni parë me vëmendje) në konferencë shtypi dhe do të kënaqeni nga shfaqja e jashtëzakonshme e bulbave të Edvinit. Këto po që janë protagoniste në media. Kongresi i Partisë Socialiste i krahasuar më këtë eveniment është një bllof i koordinuar. Krejt siç është edhe puna e bojkotit. Ato sy rrëfejnë shumë gjera. Janë sy që deklarohen të pafajshëm, që tregojnë gabimet e rinisë, padrejtësitë që kanë bërë në një moment gropësire.
Për ta bërë më serioze këtë konstatim, i hymë një analize me themel dhe mësuam se syri i takon grupit të organeve shqisore, që ka të bëjë me shqisën e të shikuarit. Syri në vetvete është një organ shumë i ndjeshëm, që detekton dritën (syri i thjeshtë) dhe ngjyrën (syri i komplikuar). Në natyrë syri gjendet i vendosur në kokë të gjallesave, më saktësisht në zgavrat e ashtit të kokës, si tek njerëzit edhe tek kafshët. Gjallesat e ndryshme kanë struktura të ndryshme të syrit si dhe aftësi të ndryshme të të shikuarit. Përtej kësaj u ndalëm të depërtonim më thellë se ndoshta kishte shkaqe më të thella. Nëse e ka nga depresioni akut, nga lodhja e një përgjegjësie që s’e mban dot, apo diçka tjetër, ne nuk e cilësojmë dot, pa parë kartelën e tij mjekësore apo pa asistuar në një vizitë tek okulistët rusë të yzllovës.
Përsa i përket protagonizmit të syve, ato i lëvizin vetvetiu në kahun e kundër të pozicionimit të kokës dhe mund të thuhet se janë funksionale në teatralitetin e këtij Egoarku. Bile edhe fjala copëzohet me qëllim, ritmikisht për të sugjestionuar një stan delesh të dehura, tamam sikur të ishte një fotokopje e keqe e Snoop dog (një rreper afro-amerikan). Në disa studime këtë epifenomen, Mack e Rock (1998) e kanë quajtur  inattentional blindness (verbëri pa vëmendje), e shkaktuar kryesisht nga traumat e alkoolit të tepërt dhe kequshqimit.
Mirëpo afër atyre syve, ngrihen duna mishi që mbrojnë erën, diellin dhe ujin të depërtojë në lugun e lotëve. Prandaj është në këtë onirizëm të thellë, gjendja kur shihen ëndrra syhapur, apo siç thotë populli, edhe duke i pasur sytë në ballë, tregohesh sylesh.
Sa për sytë në ballë, shkenca e kirurgjisë ka bërë përparime. Një prej teknikave që Egoarku mund të provojë në sheshimin e dunave të mishin afër syve është blefaroplastika tradicionale, e cila është në gjendje t’i eliminojë strajcat e kreshtat cutaneo poshtë dhe anash syve në pak orë. Kjo është një ndërhyrje që prodhon një rivitalizim të fytyrës dhe të vështrimit, por nuk eliminon dot ngjyrën e zezë që pushtojnë territorin përreth syve. Është e vështirë sepse ajo ka lidhje me qetësinë shpirtërore dhe një mjek okulist nuk është specialist i problemeve shpirtërore, kur ato janë të ngjizura edhe me probleme psikike. Disa teknika më moderne të blefaroplastikës si “fat sliding blepharoplasty”, “arcus marginalis release”, etj, janë më efikase në zbutjen e qarkores së zezë që është afër bordit të orbitës së syve, paçka se gjithsesi duhet kohë që të dallohet një përmirësim mediatik. Çka përshkruam, hyn në teknikën e korrigjimit të fasadës të aparatit viziv njerëzor, pasi për atë të qyteteve, Egoarku ynë është specialist vetë.

(fund, m’u lodhën sytë, kush ka takat të vazhdojë...)

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›