E Diel, 1 Nëntor 2026

Rehn dhe Rama

Olli Rehn është një nga zyrtarët më të njohur të Brukselit, në detyrën e komisionerit europian për Zgjerimin. Ai raportoi pardje para drejtuesve të Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian për ecurinë e të gjitha vendeve në tërësi që aspirojnë t’i bashkohen BE-së. Duke qëndruar tek Shqipëria, z. Rehn vuri në dukje se, zgjedhjet e 28 qershorit ’09 ishin më të mirat që vendi ynë ka zhvilluar ndonjëherë, dhe në këtë mënyrë ato përbëjnë një kontribut të ri në ecurinë e mëtejshme të procesit të integrimit në Bashkimin Europian, ku përfshihet edhe procesi i liberalizimit të vizave me këto vende brenda gjashtëmujorit të parë të vitit që vjen. Vlerësimi i Rehn për zgjedhjet më të fundit parlamentare në Shqipëri është në vazhdën e opinioneve dhe konsideratave që kanë dhënë më parë edhe përfaqësues të tjerë të lartë të komunitetit ndërkombëtar apo nënvizime të raportit paraprak të OSBE/ODIHR-it. Dhe siç dihet, ndërkombëtarët nuk i thonë kurrë “të zezës”- “e bradhë”, qoftë edhe për pragmatizëm. Ata e dinë mirë se çdo tolerancë e demonstruar në këtë drejtim shndërrohet në bumerang. Nga ana tjetër vlerësimi i ndërkombëtarëve është profesional dhe i paanshëm, pasi bazohet në eksperiencën e gjatë për respektimin e parimeve të shenjta demokratike prej tyre. Ato asnjëherë nuk mund të jenë “konsiderata personale”, sikundër i cilësoi Rama vlerësimet e Wolfgang Grossruk, zëvendëspresident i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për zgjedhjet shqiptare të 28 qershorit, kur vizitoi Tiranën në fillim të dhjetëditëshit të tretë të muajit gusht. Mos vallë “konsiderata personale” do t’i cilësojë Rama edhe vlerësimet e Olli Rehn-it apo zyrtarëve të tjerë të lartë të Brukselit dhe të Uashingtonit, të cilat nuk ndryshojnë asnjë presje nga ato të Grossruk për zgjedhjet më të fundit parlamentare në Shqipëri, që i konsideroi ato si, “…më të mirat e zhvilluara ndonjëherë në vendin tonë”?!...
Nga Rama gjithçka pritet. Duke qenë një njeri i papërgjegjshëm, ai s’mund të bëhej një politikan i përgjegjshëm, për më tepër që karriera e tij, s’është gjë tjetër, veçse produkt i veseve të manifestuara kohë pas kohe qysh në rininë e tij të hershme. Vetëm një skizofren i kësaj kategorie mund t’i cilësojë zgjedhjet e 28 qershorit si të manipuluara. Një vlerësim i tillë është jo vetëm në kundërshtim me raportet e ndërkombëtarëve dhe konsideratat e shumicës dërrmuese të shqiptarëve, por edhe në kundërshtim me deklaratat e tij në daljen e parë publike pas mbylljes së procesit zgjedhor të 28 qershorit, kur tha se “pavarësisht ndonjë parregullsie të vogël, në tërësi procesi zgjedhor u mbrojt dhe u zhvillua në qetësi të plotë”. Por Rama është njeriu që ç’thotë tani s’e thotë pastaj apo që nxjerr vetëm absurditete nga goja e tij, qoftë në jetën familjare ashtu dhe atë politike. Ndryshe s’do të kishte ndodhur që Rama të bëhej udhëheqësi i atyre qytetarëve të majtë shqiptarë për të cilët në fillim të viteve ’90 i kërkonte liderit demokrat Sali Berisha që të “vareshin në litar tek stadiumi Dinamo”. Ai s’mund të bënte karierë në Partinë Demokratike, ku u përfshi fillimisht, për shkak se ishte në konflikt me të vërtetën dhe konkurencën e lirë, si vlera absolute të kësaj partie. Kësisoj Rama e shikon ekzistencën apo karierën e vet politike duke u shfaqur ndryshe nga sa është në realitet, pasi të jetë siguruar se nuk ka kundërshtar përballë. Pikërisht kjo ishte arsyeja që në zgjedhjet e 28 qershorit ai nuk pranoi të kandidoi në krye të listës emërore të deputetëve socialistë. Të vetmin kandidim, ai e ka me veten e vet apo me hijen e vet, që zakonisht është hija e mëngjesit. Në një formë të tillë e solli situatën Rama edhe në kongresin e jashtëzakonshëm të PS-së, ku krijoi mundësinë që të konkurrojë përsëri me vetveten për kryetar. Në përgjithësi anëtarësia e PS-së është një repart politik i organizuar që nuk ka shumë kërkesa për vlerat morale të drejtuesve të saj, mjafton që ata ta çojnë drejt pushtetit. Pikërisht këtë cilësi shfrytëzoi Rama kur iu servir Partisë Socialiste si kandidat për kryetar, pas dorëheqjes së Nanos. Tani që dështoi, ai po thurë lloj-lloj alibish dhe absurditetesh, që nga përdorimi i të burgosurve për të manipuluar zgjedhjet deri tek veprimi i grupeve të brendshme armiqsore me në krye Nanon në përgatitjen e humbjes elektorale të PS-së. Në fakt as njera dhe as tjetra nuk ka ndodhur, por Rama vuan nga halucinacionet, kur veset e veta kërkon t’ua faturojë të tjerëve. Faktikisht të burgosur dhe banditë të tjera ka përdorur vetë Rama në zgjedhjet e 28 qershorit. Përveç atij fakti që është përmendur publikisht ku një i burgosur u bë bodigard i Blendi Klosit në Durrës, gjatë një vizitë që bëra këto ditë në një fshat të largët të Tepelenës mësova se edhe atje Rama kishte dërguar “të fortët” e tij nga Tirana dhe Tepelena, të cilët u bënin presione nga më të ndryshmet zgjedhësve për t’i detyruar ata që të votonin për të majtën. Këtë kategori banditësh e pamë edhe në protestën socialiste të Fierit. Kur rrugaçët dhe banditët e Ramës kishin arritur deri në Komumën e Buzit në Tepelenë, nuk ka pikë dyshimi se ata kanë qenë me shumicë në bashkitë dhe komunat e tjera të Shqipërisë. Rama mendon se këto gjëra nuk i kanë parë as shqiptarët dhe as ndërkombëtarët, ndaj tjerrë lloj-lloj alibish për zgjedhjet e 28 qershorit, duke e konsideruar Parlamentin dhe qeverinë e dalë prej tyre si ilegjitime.
Vetëm disa socialistë tuafë nuk e kuptojnë qëllimin e vërtetë të Ramës për të njollosur këto zgjedhje, që nga gjithë bota dhe shumica e shqiptarëve konsiderohen si më të mirat të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri. Qëllimi i tij është të konsolidohet në krye të PS-së, jo për t’i shërbyer interesave të saj, por interesave të një grupi njerëzish të katapultuar në strukturat e larta të kësaj partie nga administrata e bashkisë Tiranë dhe komuniteti i biznesmenëve të ndërtimit. Kësisoj nuk duhen shumë mend për të kuptuar se duke vepruar në këtë mënyrë, interesat kombëtare për Ramën kalojnë “para liste”. Pak e nga pak po i hiqen petët lakrorit (jo mbiemrit të Maqos), dhe me kontributin demokratik edhe të ndërkombëtarëve, e vërteta po delë plotësisht në shesh. Rama mund të fitojë lehtë kreun e PS-së, por ai do ta ketë vështirë ta orjentojë këtë forcë politike drejt hapësirave demokratike për t’i kontribuar integrimit dhe zhvillimit ekonomiko-shoqëror të vendit tonë, si gjithë vendet e tjera të Bashkimit Europian. Por në fund të fundit, qëndrimi i Ramës më shumë se sa Shqipërinë do të dëmtojë Partinë Socialiste. E pakuptueshme është se si mund ta mbështesin atë disa figura të tjera të njohura dhe kontributore në emancipimin e PS-së, duke e lënë vetëm Blushin, Malajn dhe disa deputetë të tjerë. Socialistët e mënçur duhet të zgjohen nga gjumi i mashtrimit ramist dhe të kontribuojnë sado pak për të ardhmen e vendit dhe familjeve të tyre, duke mos kontestuar vlerësimet e ndërkombëtarëve për zgjedhjet në Shqipëri apo veprimtarinë parlamentare në vend nëpërmjet bojkotimit të Kuvendit të ri. Shqipëria do të integrohet në Europë dhe jo në PS. Në këto kushte nuk kemi pse të dëgjojmë Ramën para Rehn. Përderisa Departamenti Amerikan i Shtetit, Brukseli  dhe OSBE/ODIHR-i u japin ok-eyn e plotë këtyre zgjedhjeve, duke premtuar liberalizimin e shpejt të vizave dhe marrjen e statusit të vendit kandidat, pse u dashka të dëgjohen budallallëqet e Ramës?! Ato mund t’i dëgjojnë vetëm ata socialistë të sëmurë që nuk duan integrimin dhe zhvillimin e vendit, duke i konsideruar si veprimtari armiqësore lavdatat e të huajve apo veprimet ndryshe të vendasve, si në kohën e Enverit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›