Në Durrës, me danc modern dhe bashkëkohor
Kompani të njohura teatrore do të marrin pjesë për herë të parë në Festivalin Ndërkombëtar të Dancit Modern dhe Kontemporan, edicioni i katërt i të cilit do të zhvillohet në Durrës nga 30 prill-6 maj 2009. Pjesëmarrjen e tyre në këtë edicion e kanë konfirmuar dhjetë kompani teatrore nga Kanadaja, Italia, Turqia, Shqipëria e Hungaria, ndërsa Greqia dhe Izraeli do të paraqiten me nga dy trupa. Shfaqjet e këtij edicioni të katërt të Festivalit të Dancit Modern do të zhvillohen në skenën e teatrit "Aleksandër Moisiu" dhe arenën e amfiteatrit antik të Durrësit. Për herë të parë, trupat e dancit modern nga vende të ndryshme të Evropës do të performojnë në mjediset e monumentit 1900-vjeçar, duke mundësuar edhe rritjen e numrit të shikuesve pjesëmarrës. Pritet që të marrin pjesë në këtë festival edhe specialistë, drejtues dhe menaxherë të festivaleve të ngjashme nga Belgjika, Holanda, Turqia, Maqedonia, Italia etj. Festivali Ndërkombëtar i Dancit Modern Bashkëkohor, është një projekt që synon të kthehet në traditë. Festivali ka krijuar kushte mjaft të mira për njohjen e tendencave të dancit modern bashkëkohor, për studentët e degës së Koreografisë. Në fund të këtij aktiviteti, më 6 maj, organizatorët e Festivalit Ndërkombëtar të Dancit Modern dhe Bashkëkohor do të nderojnë me Çmimin e Karrierës një nga balerinët apo koreografët e shquar shqiptarë në vite.