E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis restaurimi i mozaikut të Sarandës

Një grup studentësh shqiptarë, rreth 12 veta, të qendrës së parë restauruese arkeologjike në Sarandë, kanë marrë përsipër restaurimin e mozaikut të muzeut të Sarandës "Onhezmi-Kaonia". I zbukuruar me motive gjeometrike shumëngjyrëshe, mozaiku është cilësuar si mjaft interesant nga ekspertët. Dyshemeja e muzeut "Onhezmi-Kaonia" është një tapet prej mozaiku. Ajo është një dysheme e shtruar me mozaik origjinal, i cili në pjesën më të madhe të sipërfaqes prej 70 km2, u ka rezistuar kohërave, madje edhe shkatërrimit që vuri në shënjestër objekte të këtij karakteri në vitin 1997. Megjithatë, ende ky muze vazhdon të jetë në gjendje të keqe. Nga specialistët mendohet se ai ka arritur deri këtu edhe sepse ndërhyrjet e mëparshme restauruese janë kryer disa dekada më parë, por edhe sepse këto ndërhyrje nuk kanë qenë të duhurat. Jordanezi me banim në Itali, Mohamed Ab Aysheh, restaurues-kërkues, shpjegon se në rastin e dyshemesë së mozaikut të muzeut "Onhezmi-Kaonia" problemet nuk janë të pakta. Ai shpjegon se tashmë ka nisur puna me vëzhgimin dhe piketimin e zonave më të degraduara të tij mbi relievin grafik. Puna është orientuar në pastrimin mekanik dhe kimik, për të vijuar me ndërhyrje konservuese, e cila ka për qëllim konsolidimin në thellës, pasi janë vërejtur shkëputje midis suportit të mozaikut dhe teserave. Ekspertët e angazhuar në restaurimin e mozaikut të muzeut të Sarandës, shpresojnë që puna e nisur të përfundojë brenda dy muajve. Ndërkaq, restauruesi Mohamed Ab Aysheh vlerëson se kjo punë e kujdesshme është realizuar nga specializantët shqiptarë të shkollës së restaurimit arkeologjik, të cilët veprojnë, nën kujdesin e prof. Sandro de Maria. Kjo shkollë ka qëllim kualifikimin e studentëve shqiptarë për restaurimin e objekteve arkeologjike dhe organizohet në kuadër të bashkëpunimit mes Universitetit të Bolonjës dhe institucioneve përkatëse shqiptare. "Këtë vit jemi duke bërë një punë didaktike mbi një sipërfaqe të shtruar me mozaikë, për ta studiuar dhe restauruar nga studentë të shkollës së restaurimit arkeologjik në këtë fushë", shprehet eksperti. Në kuadër të bashkëpunimit arkeologjik midis departamentit të arkeologjisë të Universitetit të Bolonjës me Institutin e Arkeologjisë shqiptare dhe atë të Monumenteve, në restaurimin që është duke iu bërë mozaikut të muzeut "Onhezmi-Kaonia", është përfshirë edhe Agron Islami, përfaqësues i Institutit të Monumenteve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›