E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Durrës shtetasit e huaj tashmë janë një realitet i përditshëm

Të paktën 1088 shtetas të huaj nga rreth 56 vende të ndryshme të botës jetojnë në qytetin e Durrësit prej vitesh, ku pjesën kryesore e zënë kinezët, italianët dhe turqit. 

Embëlsira nga Turqia

Azis M, që ka ardhur 4 vjet më parë nga rrethinat e Ankarasë, ndjehet mirë në Durrës, ku bashkë me vëllezërit e tij kanë hapur fillimisht një punishte dhe shitore ëmbëlsirash, të cilat tashmë janë bërë të njohura dhe mjaft të kërkuara në qytetin bregdetar. "Nuk jemi të vetmit turq në Durrës. Dy bashkëshortë, bashkëatdhetarë tanë kanë një laborator dentar, kanë mjaft pacientë dhe janë të kënaqur", tregon Azisi, që vijon më tej me  përvojën në plotësimin e dokumentave për të marrrë një leje qëndrimi. Tani është më e lehtë pasi në territorin e portit është hapur Zyra për migracionin dhe inspektorët janë mjaft të sjellshëm. Mjafton të paraqesësh dokumentacionin e parashikuar dhe brenda pak ditësh pajisesh me lejen e re apo të rinovuar", thotë ai. Në periferi të qytetit jeton Brajan F., një misionar fetar, me shtetësi britanike, por që jeton në Kanada dhe në Durrës vjen çdo gjashtë muaj. "Unë udhëtoj në të gjitha kishat që kemi në qytete të ndryshme të Shqipërisë, por dokumentacionin e lejes së qëndrimit e plotësoj në Durrës, ku kam marrë edhe një banesë me qira", shprehet Brajani.

Hartë e gjerë gjeografike e botës në Durrës 

Harta e prejardhjes së shtetasve të huaj, veç vendeve të rajonit tonë, zgjerohet më gjerë, deri në SHBA e Afrikën e Jugut, Australi e Argjentinë, Kanada dhe Finlandë, Tanzani dhe Suedi, Pakistan, Lituani e Zambia. Por nuk mungon në Durrës as një shtetas serb, që punon në një nga sipërmarrjet private në periferi të Durrësit. “Janë 56 vendet e huaja të shënuara në regjistrat tanë elektronikë", thotë Manuka, duke shtuar se aplikimet e të huajve në Zyrën e migrcionit kanë sjellë në arkën e shtetit që nga fillimi i këtij viti 5.7 milion lekë. "Rreth 73 përqind e të huave në territorin e shtatë rretheve që mbulon drejtoria rajonale janë pajisur sipas kërkesës me leje qëndrimi 1-vjeçare, që rinovohet lehtësisht, ndërsa  277 të tjerë, ose 25.5 përqind, kanë preferuar lejet 5-vjeçare", tha, Gëzim Prebibaj, shef i sektorit të Migracionit në Drejtorinë rajonale të Durrësit.  Sipas tij, nga 1088 shtetastit e huaj të territorin tonë, vetëm tre, një Egjiptian, një Italian dhe një Maroken janë pajisur pas kërkesës së tyre me leje të përhershme qëndrimi. Ndërsa martesat me shqiptarë po bëhen diçka e zakonshme. Të paktën 69 të huaj në territorin e Durrësit janë pajisur me leje familjare, pasi kanë krijuar familje me vajza shqiptare, por dhe vajza të huaja me djem shqiptarë, duke vendosur të qëndrojnë këtu.

"Që nga fillimi i këtij viti, për herë të parë në Zyrën e Migracionit, kanë aplikuar për herë të parë 237 shtetas të huaj, shumica e të cilëve për leje 1-vjeçare qëndrimi, ndërsa 73 të tjerë kanë rinovuar lejet e mëparshme", përfundon nënkomisar Prebibaj. Pjesa kryesore e tyre janë me banim të përkohshëm në rajonin e Durrësit, kryesisht të mbërritur në Shqipëri për motive pune, ku nuk mungojnë dhe misionarët fetarë, apo që kanë krijuar familje në Shqipëri. Drejtori i Policisë rajonale të Kufirit dhe Migracionit, kryekomisar Naim Manuka tha sot se në territorin që përfshin rrethet e Lushnjes, Kavajës, Durrësit, Kurbinit, Lezhës, Mirditës dhe Krujës, janë pajisur me leje qëndrimi të përkohshme nga 3-mujore deri në 5-vjeçare 1088 shtetas të huaj, nga 56 vende të botës. "Në këtë territor janë të pranishëm përfaqësues të të gjitha kontinenteve", thotë Manuka, sipas të cilit afro 57% e tyre kanë bizneset e tyre, ose janë punësuar në sipërmarrje të ndryshme shqiptare dhe të huaja. Kinezët, italianët dhe turqit kryesojnë listën. Por shtetasit kinezë "zënë" vendin e parë në listën me leje të përkohshme qëndrimi në rajonin e Durrësit. "421 banorë nga qytete të ndryshme të Kinës punojnë kryesisht në fabrikat e çimentos që po ndërtohen në rrethin e Krujës dhe vetëm njëri prej tyre ka kërkuar të ndryshojë statusin e lejejes së qëndrimit nga motiv pune, në motiv familjar", thotë kryekomisar Manuka. Sipas tij, pas kinezëve, në bazë të statistikave të sektorit të migracionit, vijnë italianët dhe turqit, përkatësisht 200 dhe 105 shtetas, lejet e qëndrimit të të cilëve i përfshijnë të tre motivet: pune, familjare dhe për misione fetare.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›