Nxënësit e viteve të II-ta duhet të zgjedhin mes dy profileve, ose atë shqoqëror ose atë natyror

Nxënësit e shkollave të mesme që janë në përfundim të vitit të II-të, duhet të dorëzojnë pranë drejtorisë së shkollës kërkesën për profilin ku duan të ndjekin mësimin gjatë vitit të ardhshëm shkollor. Sipas Drejtorisë Arsimore, kalimi i nxënësve në vitin e III-të do të shoqërohet edhe me një ndarje të re të klasave, çka do të sjellë kategorizimin e nxënësve me prirjet drejt shkencave ekzakte (profili natyror ) dhe ata që kanë prirjet në formimin teorik (profili shoqëror). Përzgjedhja e profilit do të jetë individuale sipas kërkesës së bërë nga vetë nxënësi, i cili duhet të dorëzojë shkresën e plotësuar së bashku me miratimin e prindërve se në cilin profil do të vijojnë shkollën. Me mbledhjen e të dhënave do të kryhet edhe shpërndarja e re e nxënësve në klasa, si dhe do të përcaktohet programi i ri mësimor që do të ndiqet në to gjatë vitit të ardhshëm shkollor. Secila prej shkollave të mesme pas mbylljes së këtij procesi do të dorëzojë pasqyrën pranë drejtorisë arsimore të rrethit, ku do të jenë të hedhura të gjitha të dhënat në lidhje me kërkesat e bëra për ndarjet e profileve. Mbi bazën e kërkesave do të ripërcaktohet edhe shpërndarja e mësuesve që do të japin mësim në këto shkolla, duke realizuar kështu shpërndarjen sipas nevojave reale të shkollës. Ndërkohë gjatë vitit të ardhshëm në të gjitha shkollat e mesme do të përfshihet kurrikula e re mësimore me lëndë bërthamë dhe ato me zgjedhje për nxënësit që do të mbarojnë këtë vit klasën e IX-të dhe do të hyjnë në vitin e parë. Këta të fundit do të ndjekin një proces të reformuar mësimor ndryshe nga planet mësimore të zbatuara për nxënësit që filluan shkollën e mesme dy vjet më pare.
...