Pelegrini beson te Reali: Kjo skuadër është e uritur
Në konferencën e tij për shtyp para ndeshjes, trajneri i Real Madridit, Manuel Pelegrini, tregoi besimin në shanset e ekipit të tij për të mposhtur Lionin në ndeshjen e kthimit për Champions League, ku do të vendoset se kush do të kalojë në turin çerekfinal. Nëse madrilenët do ta realizojnë, kjo do të ishte hera e parë në gjashtë vitet e fundit. Sipas “Marca”-s, Pelegrini deklaroi: “Ne po luajmë shumë mirë dhe jemi të motivuar. Jemi të ndërgjegjshëm për atë që kemi për të bërë dhe shpresoj se do të luajmë si në 70 minutat e fundit ndaj Seviljes”. Më pas Pelegrini foli për potencialin e Lionit, por beson se skuadra e tij mezi pret të zbresë në fushë. “Nuk është e nevojshme një përmbysje epike. Jam i sigurt se jemi në një moment të mirë, edhe pse Lioni është rival i fortë. Na duhet të luajmë një ndeshje të mirë. Pas kualifikimit do të synojmë fitimin e Champions League”. Kiliani nënvizoi se skuadra e tij ishte e uritur për të fituar: “Ne jemi një skuadër e uritur, gjë që është reflektuar në fushë; futbollistët duan të fitojnë tituj”. Më pas ka qenë edhe një nga futbollistët e Realit, Serixho Ramos, ai që ka lëshuar një deklaratë të bujshme 24 orë përpara ndeshjes së rëndësishme që do të zhvillohet në Bernabeu. “Do ta mundim Lionin me rezultatin 3-0”, tha mbrojtësi i Kombëtares spanjolle.
#