E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spy story e Kapelos, Kombëtarja nën përgjim

Angli U gjetën mikrofonat e fshehur në hotelin e skuadrës

Sikur të mos mjaftonin aventurat jashtëmartesore të lojtarëve të tij, tani Fabio Kapelo duhet të bëjë llogaritë edhe me një histori spiunazhi. Në fakt, Federata Angleze ka bërë të ditur se ka gjetur mikrofona spiunë në hotelin tradicional, në të cilin Kombëtarja u akomodua gjatë fazës përgatitore për miqësoren ndaj Egjiptit javën e shkuar. është e mundur, shkruan “Times”, që dikush të ketë regjistruar në mënyrë sekrete të paktën 7 orë bisedë mes trajnerit, stafit teknik dhe skuadrës, mbi tema si premiot për ndeshjet e Botërorit të Afrikës së Jugut, modulet taktike për sfidën ndaj Egjiptit dhe në përgjithësi përgatitjet për Botërorin, e deri komente e thashetheme rreth tradhtive seksuale, që kanë përfshirë kohët e fundit Xhon Terrin dhe Eshli Kol. Nuk është e qartë se kush është autori i këtij spiunazhi. “Grove Hotel” thekson se ka aplikuar si gjithmonë siguri maksimale për të garantuar privatësinë e skuadrës. Nga ana e saj, Federata Angleze ka masat e saj të sigurisë për çdo transfertë, impiant, apo hotel ku ndodhen lojtarët dhe duket se janë respektuar. FA tashmë vrapon të bëjë riparimet e mundshme. Ndërkohë që ka nisur një hetim për të përcaktuar se kush i ka vënë mikrofonat. Avokatët theksojnë se bëhet fjalë për një shkelje të rëndë të privatësisë.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›