E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Gaza vijon lufta, vriten edhe shumë palestinezë të tjerë

Gaza -Një udhëheqës i lartë i Hamasit ka ftuar dje vendet arabe që t’i bëjnë presion Izraelit për të ndalur sulmet, ndërsa ka theksuar se lufta që po zhvillohet ka penguar mundësitë për bisedime. Udhëheqësi i Hamasit me bazë në Damask, Khaled Mashaal, i bëri këto komente në kanalin televiziv Al-Jazeera ndërsa ofensiva ushtarake e Izraelit në Rripin e Gazës hyri në javën e tretë. Dita e djeshme në Rripin e Gazës u shoqërua me bombardime të reja, sulme me artileri dhe raketa. Avionët luftarakë të Izraelit, helikopterët dhe anijet po vazhdojnë të qëllojnë objektivat në Gaza. Burimet mjekësore atje njoftojnë për një rast ku të paktën 8 palestinezë janë vrarë nga një predhë e tankeve izraelite.

Izraeli ka vazhduar bombardimin e Gazës me më shumë se 40 sulme gjatë natës mbi ato që i quan pika të hedhjes së raketave, depo ta armatimit dhe tunele që përdoren nga militantët e Hamasit.
Zyrtarë mjekësor palestinez thonë se duket se janë vrarë tetë civilë kur një tank izraelit kishte goditur me predhë disa ndërtesa në njërën prej rrugëve në Jabalya në Gazën Veriore.

Ka njoftime se numri më i fundit i viktimave palestineze gjatë kësaj ofensive izraelite ka kaluar mbi 800. Ndërkohë gjatë ofensivës janë vrarë edhe 13 izraelit, shumica ushtarë.

Izraeli e filloi ofensivën me 27 dhjetor si kundërpërgjigje ndaj shtimit të sulmeve të Hamasit me raketa në jug të Izraelit. Qeveria thotë se nuk do ta ndalë ofensivën deri sa të ndalen sulmet me raketa dhe deri sa Hamasi të mos jetë në gjendje të riarmatoset.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›