E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bota në protesta kundër sulmeve izraelite

Tel-AvivManifestime të shumta janë organizuar në mbarë botën për të kundërshtuar sulmet izraelite në Rripin e Gazës, si pasojë e së cilëva janë shënuar mbi 800 viktima. Mijëra persona, shumë prej të cilëve palestinezë të vendosur në Itali manifestuan dje pasdite në Milano, në Torino dhe në Firence kundër ndërhyrjes izraelite në Gaza me thirrjet "Izrael terrorist" dhe "Palestina është toka ime", njofton agjencia Ansa. Në Torino manifestuesit u përpoqën të ngrinin një flamur palestinez përpara bashkisë së qytetit dhe dogjën një flamur izraelit përpara selisë së shoqatës Itali-Izrael.

Në Firence të paktën pesë mijë persona manifestuan në qetësi përpara katedrales, por një flamur izraelit u dogj përpara konsullatës së Shteteve të Bashkuara të qytetit. Protesta janë organizuar edhe në qytete të tjera të Italisë.

Gjithashtu, mbi 10 000 persona manifestuan sot në vendet nordike për të protestuar kundër ofensivës izraelite në Gaza, manifestimi më i madh në Skandinavi që nga fillimi i konfliktit, njoftojnë burime policore. Disa incidente shoqëruan manifestimin në Oslo, ku morën pjesë 2 000 persona, me hedhjen e fishekzjarreve dhe të gurëve, gjatë të cilave pati dy të plagosur. Policia u përgjigj duke shpërndarë manifestimin me anë të gazit lotsjellës.

Në Stokholm, rreth 5 000 persona u mblodhën në qendër të qytetit përpara se të drejtoheshin për në ambasadën izraelite, me thirrjen e komunitetit kryesor mysliman të vendit dhe të shoqatave propalestineze, me mbështetjen e partive të majta suedeze.

Në Danimarkë, Aleanca prosioniste daneze mblodhi rreth 400 persona në sheshin e Hotelit të qytetit të Kopenhagës, pavarësisht pranisë së kundërmanifestuesve, për të mbështetur të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje, njoftojnë organizatorët.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›