Karzai synon të joshë talebanët me ofertën për punësim
Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, ka shpalosur sot planin e tij ambicioz, të financuar nga perëndimi, për t’i ofruar para dhe punësim luftëtarëve talebanë, nëse ata ulin armët dhe i kthehen jetës civile.
Këto komente ai i bëri pasi që Sekretari amerikan i shtetit, Robert Gates, cilësoi talebanët si pjesë të “fabrikës politike” të Afganistanit, por shtoi se çfarëdo roli i tyre në të ardhmen varët nga dorëzimi i armëve nga ana e tyre.
Edhe Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, shpalosi strategjinë e saj jo-ushtarake për stabilizimin e Afganistanit dhe Pakistanit, e cila kërkon angazhimin e më shumë ekspertëve civilë dhe kthimin e ekstremistëve në jetën e shoqërisë.
“Ne si popull afganë e dinë se duhet të vendoset paqja me çdo kusht. Atyre që do t’iu qasemi për t’u kthyer do t’iu ofrohet mundësia për të punuar, për të gjetur vende të punës, ata do të jenë të mbrojtur dhe do të kyçën sërish në shoqëri”, tha Karzai.
Megjithatë, ai theksoi se ithtarët talebanë të vijës së fortë, të cilët kanë qenë pjesëtarë të Al Qaidës dhe grupeve tjera terroriste, nuk do të pranohen. Karzai theksoi se pret që plani të shpaloset përfundimisht gjatë konferencës ndërkombëtare për Afganistanin, e cila do të zhvillohet më 28 janar në Londër.