Gates shpreh keqardhje për gabimet e bëra në Pakistan
Sekretari amerikan i mbrojtjes, Robert Gates, ka shprehur keqardhjen e tij për gabimet e bëra në të kaluarën në Pakistan, në momentin kur ai po angazhohet për forcimin e marrëdhënieve me Islamabadin, aleatin e vet në luftën kundër Al Qaidës.
Gjatë vizitës së tij të parë në Islamabad pas tri viteve të tëra, Gates tentoi të bindë udhëheqësit pakistanez, të cilët e shikojnë me skepticizëm planin e SHBA-së për ta fituar luftën në Afganistanin fqinjë.
“Unë kam qenë në qeveri në fillim të viteve të 90-ta, kur Rusia u largua nga rajoni dhe SHBA-ja në pjesën më të madhe braktisi Afganistanin dhe ndërpreu marrëdhëniet në fushën e mbrojtjes me Afganistanin. Ishte ky një gabim i madh strategjik, i cili ishte rezultat i disa vendimeve dashamirëse, por shkurtpamëse të legjislativit të SHBA-së”, tha Gates.
Duke folur në Universitetin për Mbrojtje Kombëtare në Islamabad, Gates theksoi se ndalimi i kontakteve ushtarake në vitet e 90-ta, për shkak të programit bërthamor të Pakistanit, ka minuar partneritetin mes dy ushtrive dhe ka krijuar një “deficit” të besimit, i cili po vazhdon edhe sot.
Ai u zotua se SHBA-ja është e gatshme që të investojë kohën dhe energjinë e nevojshme, për të vendosur një partneritet të vërtetë dhe të qëndrueshëm me Pakistanin.