Po, kam një fëmijë jashtë martese
Eduards
Politikani amerikan dhe ish-kandidati i demokratëve për në Shtëpinë e Bardhë, John Eduards, ka pranuar se është babai i një fëmije të paligjshëm, që ka ardhur në jetë në shkurt të vitit 2008, ndërsa e shoqja e tij ndodhej në një betejë kundër kancerit. Ish-ylli i demokratëve deklaroi para medias së vendit të tij, se ishte penduar që një vit më parë kishte pranuar marrëdhënien jashtëmartesore, por jo atësinë e fëmijës që kishte ardhur në jetë si pasojë e kësaj lidhjeje. Ai e pranoi marrëdhënien në gusht të vitit të kaluar, para shtypit, por tha se ishte një marrëdhënie që kishte 2 vjet që kishte përfunduar dhe mbi të gjitha mohoi kategorikisht të kishte sjellë në jetë një fëmijë. Ndërkaq, bashkëshortja e Eduards deklaroi se do të vazhdonte të qëndronte me të shoqin, pavarësisht deklaratave. Debati në lidhje me atësinë e vajzës që shumë shpejt do të mbushë dy vjeçe, u komplikua kur një ndihmës i Eduards deklaroi se ai ishte i ati i Frances Quinn. Eduards ka qenë një figurë kyçe në Partinë Demokratike. Përveç ambicies së tij për të qenë President i Shteteve të Bashkuara, ai në vitin 2004 konkurroi së bashku me senatorin Keri për postin e numrit dy. Eduards e bëri deklaratën e tij në shtyp dy ditë më parë. Në të shkruan: “Unë jam babai i Quinn dhe do të bëj gjithçka që kam në dorë për t’i dhënë vogëlushes dashurinë dhe mbështetjen që meriton. Kam bërë gabim që për një kohë të gjatë e kam mohuar lidhjen e saj me mua dhe shpresoj që një ditë, kur të rritet, ajo të më falë për këtë”. Më pas ka shtuar se e ka mbështetur financiarisht që në fillim të bijën, përmes një marrëveshjeje që ka bërë me të ëmën. “E di se për të gjithë ata që kam zhgënjyer dhe lënduar, fjalët nuk do të mjaftojnë kurrë, por më vjen thellësisht keq”. I pyetur nga një gazetar se përse iu deshën dy vjet për të pranuar një atësi, Eduards u përgjigj se nuk kishte qenë e lehtë, pasi bëhej fjalë për lumturinë dhe qetësinë e shumë njerëzve që janë lënduar dhe janë zhgënjyer, për të mos folur për fëmijët. E shoqja e Eduards, që është përballur me kancerin e gjoksit, tha se për të nuk kishte rëndësi fakti i fëmijës së të shoqit dhe se kjo është pjesë e jetës së tij. Me këto fjalë ajo ka pranuar faktin se do të vazhdojë të qëndrojë me të shoqin. çifti pati një tragjedi kur humbi djalin e madh në moshën 16-vjeçare në një aksident automobilistik. Aktualisht ata kanë 3 fëmijë.
#