E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëria në NATO, fundi i një udhëtimi shekullor dhe fillimi i një projekti të ri, anëtarësimi në BE”

Kryeministri i qeverisë, përshëndeti të gjithë shqiptarët nga sheshi “Skënderbej”, me rastin e 4 prillit, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, duke deklaruar se vendi ynë shënoi fundin e një udhëtimi shekullor dhe nis me bindje dhe me siguri të plotë projektin e dytë madhor, anëtarësimin e shpejtë në Bashkimin Evropian. Kreu i qeverisë garantoi se Shqipëria do të shndërrojë besimin e dhënë në përkushtim serioz për zbatimin dhe implementimin e të gjitha vlerave dhe parimeve që Aleanca e Lirive mbart. Qeveria tha Berisha, nuk do të ndalë kursin reformator, duke dhënë siguri të plotë se Shqipëria do të realizojë më 28 qershor, zgjedhjet më të lira dhe të ndershme të realizuara ndonjëherë.

TIRANE - Kryeministri Sali Berisha, vlerësoi dje anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, si një fillim të ri, të ndritur, në të cilin shqiptarët do të kenë NATO-n mburojë të lirive të tyre, epokë në të cilën ata do të mund të ndërtojnë të lirë, të ardhmen e munguar dhe që meritojnë.
Kryeministri, u shpreh nga sheshi “Skënderbej”, para rreth 200 mijë pjesëmarrësve të pranishëm, se “festojmë së bashku 4 Prillin, ditën e parë të anëtarësisë sonë në NATO”. “Ditën e parë, ditën më të madhe për Shqipërinë, prej pavarësisë së saj. Gëzuar ditën e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO”, u shpreh kryeministri duke uruar të gjithë popullin shqiptar në këtë ditë të madhe festive.
“Anëtarësimi në NATO, tha kryeministri, shënon për ne sigurinë e lirive tona, shënon arritjen më të madhe për liritë tona, të fëmijë tanë dhe të gjeneratave që vinë. “Ky anëtarësim shënon fundin e një udhëtimi shekullor; epik në qëndresë, legjendë në dhimbje, sakrifica dhe vuajtjesh më të mëdha se të çdo kombi tjetër. Ky anëtarësim shënon një fillim të ri, të ndritur, në të cilin shqiptarët do të kenë NATO-n mburojë të lirive të tyre, epokë në të cilën ata do të mund të ndërtojnë të lirë, të ardhmen e munguar dhe që meritojnë. Që nga kjo ditë, ne, fëmijët tanë, fëmijët e fëmijëve tanë, do të kenë NATO-n aleancën më të fuqishme të të gjitha kohërave, si pazmore e të ardhmes tonë”, nënvizoi Berisha.
Kreu i ekzekutivit deklaroi se, pas finalizimit të këtij projekti madhor, Shqipëria shkon drejt zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, për zgjedhje të lira dhe plotësisht të ndershme. Kryeministri garantoi gjithashtu, se Shqipëria do të shkojë e sigurtë drejt projektit të dytë të madh historik, integrimit të plotë në Evropën e Bashkuar.
“Ne do të shkojmë të sigurt drejt projektit të dytë të madh historik; integrimit të plotë të Shqipërisë në Evropë. Ne do të shkojmë drejt zgjedhjeve të 28 qershorit për zgjedhje të lira të ndershme”, u shpreh kreu i qeverisë Berisha.
Në fjalën e tij, kryeministri shprehu se më 4 prill, Samiti i Strasburg-Kehlit, e renditi Shqipërinë në krah të Presidentit të SHBA, Obama, Kancelares së Gjermanisë, Presidentit francez e mes liderëve të tjerë me peshë në politikën botërore.
“Në 4 Prill ju qytetarë shqiptarë me përfaqësuesit tuaj më të lartë kaluat së bashku me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, Presidentin e Francës Nikolas Sarkozi, Kancelaren e Gjermanisë Angela Merkel dhe të gjithë udhëheqësit e Aleancës së Atlantikut të Veriut, urën e Evropës, urën që bashkon Kehlin me Strasburgun, Francën me Gjermaninë, urën që simbolizon më bukur se çdo gjë tjetër shpirtin, vizionin e aleancës së Atlantikut të Veriut”, tha Kryeministri.
Berisha tha gjithashtu, se anëtarësimi në NATO, shënon për Shqipërinë, sigurimin e lirive deri në arritjen më të madhe të lirive të fëmijëve dhe brezave që vijnë.
“Qytetarë dhe qytetare të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë kudo që jeni, në dekada, por dhe shekuj pa praninë tuaj pa praninë tonë u morën qindra dhe mira vendime për sigurinë, për fatin, për territorin, për identitetin tonë”, u shpreh Kryeministri.
Gjithashtu ai theksoi se që nga 4 Prilli e tutje Shqipëria, liria e saj, siguria e saj do të vendoset si e barabartë mes të barabartëve në aleancën më të fuqishme të tokës.

“Shqipëria do të kthejë besimin, e vlerave e parimeve të NATO-s”
Kryeministri Sali Berisha ka shprehur dje garancinë e tij ndaj Aleancës së Atlantikut të Veriut se qeveria do ta shndërrojë besimin e dhënë në përkushtim serioz për zbatimin dhe implementimin e të gjitha vlerave dhe parimeve që NATO mbart. Kryeministri ka garantuar se qeveria që ai drejton do të vazhdojë me reforma të thella të gjithanshme për t’iu përgjigjur me besnikëri të gjitha kërkesave të aleancës.
“Le ti sigurojmë ata së bashku se këtë mbështetje të madhe, se këtë besim të jashtëzakonshëm që vendosën mbi ne, do ta shndërrojmë në një energji të pashtershme me një vendosmëri të palëkundur, për të ndërtuar dhe konsoliduar në këtë vend, vlerat, parimet e mëdha mbi të cilat NATO është ndërtuar dhe qëndron. Le t’i garantojmë ne ata, se do të vazhdojmë me reforma të thella të gjithanshme. Ne shqiptarët do t’u përgjigjemi me besnikëri të madhe të gjitha kërkesave të aleancës, do marrim pjesë në të gjitha misionet e saj, lirive, ushtarake, të çdo lloji”, është shprehur kryeministri.
Kreu i ekzekutivit shqiptar ka vlerësuar në vijim se  anëtarësimi i Shqipërisë në NATO u bë i mundur falë solidaritetit të palëkundur nga SHBA dhe NATO.
“Kjo u bë e mundur sepse në këtë periudhë ne njohëm, ne provuam solidaritetin bujarinë mbështetjen më të madhe të të gjitha kohërave. Asnjë komb nuk ka pasur mbështetjen që kemi pasur ne nga vendet e lira këto 17 vjet. Le ti shprehim atyre mirënjohjen tonë më të thellë, bujaria, ndihma e tyre u shndërrua në levën e Arkimendit për ne, për t’u mbledhur sot në këtë shesh si anëtarë të NATO”, theksoi Kryeministri.
Një mirënjohje të pakufishme, vijoi ai, le ti shprehim ne sot së bashku mikut tonë më të madh kombit të madh amerikan, qeverisë së SHBA, Presidentit, Senatit, Kongresit, mikut të shquar të kombit shqiptar Presidentit Xhorxh Bush.
“Ai që themeloi në Tiranë kartën e Adriatikut 3 dhe që në 12 qershor të vitit 2007, do të jepte mesazhin historik ‘Shqipëria në NATO’. Sot është realitet, mirënjohje të thellë dhe të pakufishme dua t’u adresoj në emrin tuaj, Presidentit Barack Obama, i cili mbështeti me ndjenjat më miqësore anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, vlerësoi si të jashtëzakonshme reformat që ne bëmë për të anëtarësuar vendin”, tha Kryeministri.
Gjithashtu, kreu i qeverisë, shprehu  mirënjohjen e tij të thellë dhe të pakufishme Aleancës së Atlantikut të Veriut, Sekretarit të përgjithshëm të NATO, për mbështetjen e madhe.
“Këto vende mike, këta burra të mëdhenj lider të kombeve aleate dhe të NATO bënë që ne shqiptarët të shndërrojmë në realitete njërën prej dy ëndrrave më të mëdha kombëtare, njërën prej projekteve më të mëdhenj të historisë sonë Anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”, nënvizoi kryeministri  Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›