Në Kosovë, Zërin e hedhin në gjyq

Vendim gjykate / Foto arkiv
Financuesi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bejtush Zhugolli, ka kërkuar nga gazeta “Zëri” 700 mijë euro, si dëmshpërblim për dëmtimin e imazhit që i është bërë kompanisë së tij, “Pejton”.
Zhugolli, përmes avokatit të tij, ka paditur gazetën “Zëri” për shkrimin “Baballarët e tenderëve të Kosovës”. Pas disa ditësh, gjykata i ka dërguar ftesë gazetës për të marrë pjesë në seancën që do të mbahet më 15 maj. Përmes padisë, Zhugolli ka kërkuar nga gjykata që t’i aprovojë padinë për kompensimin e dëmit material dhe jo material, në një vlerë prej 700 mijë eurosh.
Më tej, ai shprehet në padi se gazeta “Zëri”, në mënyrë të paargumentuar, ka shkruar se disa kompani e pranojnë se kanë financuar PDK-në, duke përmendur në mesin e tyre edhe disa prej kompanive më të mëdha që janë përfituese të tenderëve dhe financuese të partisë më të madhe në pushtet.
Në fund të padisë, Zhugolli ka kërkuar nga gjykata që gazeta Zëri të detyrohet ti kompensojë atij dhe kompanisë së tij dëmin material dhe jo material prej 700 mijë eurosh, për shkak të botimit të shkrimit më 2 prill të këtij viti.
Gazeta “Zëri” citon njohës të gjykatave që thonë se është e çuditshme se si padia e Zhugollit është shqyrtuar brenda pak ditësh, në një kohë kur rreth 300-400 mijë lëndë janë duke pritur prej vitesh për tu shqyrtuar. / Kosova.com