Në Kosovë i thonë nja dy fjalë në parlament për skandalin e interkonjeksionit
Jashtë rendit të ditës, në parlamentin e Kosovës është ngritur edhe çështja e skandalit të interkonjeksionit mes dy vendeve. Ndërkohë që Tirana po zien nga skandali, në Kosovë ka heshtje, heshtje që përforcohet edhe nga fakti se gazeta Zëri, që denoncoi skandalin, ka disa ditë offline.
Në parlament, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, tha se nëse shkrimet e publikuara në media janë të vërteta, diçka e tillë është brengosëse. Ai kërkoi në emër të forcës së tij politike që të punohet për realizimin e projektit që do e pavarësonte Kosovën nga varësia prej energjisë serbe.
Por ministri i Ekonomisë, Besim Beqaj, tha se kjo është një çështje profesionale. Ai tha se nuk duhen transferuar në Kuvendin e Kosovës temat e debatueshme të Kuvendit të Shqipërisë.
Kryeredaktori i Zërit e kishte quajtur një skandal më vete faktin që në Prishtinë po heshtet ndaj këtij skandali. Kryeministri Hashim Thaçi deklaroi se do flasë pasi të informohet.